Blerina Rogova- Gaxha, fituese e Çmimit “Asdreni” në Festivalin Ndërkombëtar “Netët Korçare të Poezisë”

Blerina Rogova Gaxha - Netët Korçare të Poezisë

Në Festivalin Ndërkombëtar “Netët Korçare të Poezisë”, që u mbajt me 28 dhe 29 maj në qytetin e Korçës, në mesin e 28 poezive konkuruese, poezia “Thasë” e poetes nga Kosova, Blerina Rogova- Gaxha, u vlerësua me Çmimin ASDRENI.

Juria profesionale, e përbërë nga poetja Mimoza Ahmeti, poeti Skënder Rusi dhe shkrimtari Primo Shllaku, e vlerësuan lartë poezinë “Thasë” për këndvështrimin origjinal, për përcjelljen e vlerave universiale përmes kumtit poetik.

Blerina Rogova Gaxha u lind më 1982. Ka botuar librat me poezi: “Gorgonë“ (2009), “Kate“ (2013), “Ajo vjen nga Lindja“ (2016), “Thasë“ (2020) dhe monografinë “Vdekja në letërsinë moderne shqipe”.

Laureate e çmimit ndërkombëtar për letërsinë “Crystal Vilenica Award 2015” në Slloveni, dhe e tri çmimeve kombëtare për librin më të mirë të vitit Gorgonë 2010, Thasë 2020, dhe Vdekja në letërsinë moderne shqipe (Ndre Mjedja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli)”, 2022, ndarë nga Ministria e Kulturës e Kosovës.

Së fundmi është botuar në Antologjinë e poeteve shqiptare “Magma”, përpiluar dhe përkthyer nga Vlora Konushevci dhe botuar nga SHB “Littera”, Prishtinë.

Në vazhdim mund të lexoni poezinë fituese të festivalit.

Blerina Rogova- Gaxha, Netët Korçare të Poezisë, Korçë 2022

Thasë

dhe kështu
erdhi koha me i mbledhë plaçkat e me ikë
me e mbledhë jetën
me e zhvendosë prej apartamentit të vogël
në një të madh

thasë të zinj e thasë të bardhë
asgja nuk futet kollaj aty
një jetë e palosun mirë
e ngushtueme nëpër dollapë
rroba, këpucë, brekë, unaza, fotografi e korniza të zbrazta
vathë të mëdhenj vathë të ndryshkun harruem nëpër kuti
libra të vjetër e të rinj
libra në çdo anë
po qysh e zënë thasët jetën palë-palë
të ngjeshun të rrasun të zipueme
të palueme e të shpalueme
m’shkapërderdhet nëpër thasët e zinj e të bardhë
copë-copë jeta ime e palosun me kujdes
erna e parfume përhapen nëpër dhomë po
para largimit dikush duhet me i mbledhë sendet
burri ma bën me dije se koha po shkon
e unë nuk di qysh me e mbledhë jetën copë-copë
me e ba duq nëpër thasët e bardhë e të zinj
thasë najloni thasë të konoptë thasë letre
një copë jetë diku një diku tjetër
kujtimet e palosuna mirë kam tutë me i shpuplue
një qafore një bylyzuk një bluzë e bardhë
të gjitha bluzat e zeza
dikush duhet me i mbledhë sendet
me i futë nëpër thasë e me i bajtë
derisa të vnojnë pluhun sërish
qiellin e katit të tetë me e futë në ndonji thes të zi
të kaltër a të hirtë
në çfarë thesi me të shti ty
n’cilin thes me hy unë
thasët u sosën
s’kam thes për çizmet e zeza
për pallton prej kashmiri
do thasë hua për jetën time kush i ka
do thasë hua
me i shti andrrat e mia
nji nga nji me i palue mirë
thasë të endun me fije bimësh për jetën që refuzon
me ardhë me mue
me i palue kujtimet e mia n’thasë të mëndafshtë
n’ata thasë ngjyrë purpuri
po dikush duhet me i mbledh sendet para largimit
edhe pluhunin edhe llumin edhe rrjetat e merimangave
me e lanë pastër për pronarin e ri

mjerisht ka diçka që s’e zë thesi
ka thasë aq të vegjël e thasë gjigantë pa grykë pa fund
që s’i ngre dot

ObserverKult

Lexo edhe:

INTERVISTË ME POETEN, BLERINA ROGOVA GAXHA (VIDEO)