Bob Dylan: Erë çmendurake

bob dylan prej dites ne dite

Dikujt i ka rënë në kokë keq fare për mua dhe broçkulla po i thonë shtypit.
Kushdo që të jetë do të uroja të hiqnin dorë,
por kur ta bëjnë unë vetëm me mend mund t’i marr.
Thonë që qëllova një burrë të quajtur Grej dhe ia mora të shoqën në Itali.
Ajo trashëgoi një milion dollarë dhe kur vdiq, erdhi tek unë.
S’kam çfarë t’i bëj nëse jam aq me fat!

Njerëzit më shohin gjithë kohën dhe nuk dinë se si të sillen,
mendjet i kanë të mbushura plot me ide, imazhe dhe fakte të shtrëmbëruara.
Madje edhe ti dje më pyete se ku kam qenë.
S’mund ta besoja pas kaq viteve, sikur nuk më njihje fare,
e ëmbla zonjë. 

Erë çmendurake, që fryn sa herë hap gojën.
Që fryn nëpër rrugët, që shkojnë tëposhtë drejt jugut.
Erë çmendurake, që fryn sa herë dhëmbët kërcëllit.
Je e çmendur, vogëlushe,
sesi merr frymë, një Zot e di!

Takova një fallxhor, i cili më paralajmëroi që të ruhem nga rrufeja goditëse.
Nuk gjej paqe dhe qetësi për aq kohë sa ç’mund të mbaj mend se si gjërat ishin.
Seç është një ushtar vetmitar mbi kryq, me tymin që vërshon nga dera e një kutie,
ti nuk e dije, nuk mendoje se mund të bëhej, në fund fare ai korri fitoret pasi kishte
humbur çdo betejë.

U zgjova në buzë të një rruge, duke ëndërruar për gjërat siç janë nganjëherë,
që duhen pranuar,
vegimet e hamshorit që ma përshkonin trurin duke më bërë që sytë yje të më shihnin,
ti lëndove ata, që unë doje më fort dhe të vërtetën e mbulove me gënjeshtra.
Një ditë të bukur do ta gjesh veten në hendek,
me mizat që do të fluturojnë rreth syve
dhe me gjak mbi shalën tënde.

Erë çmendurake, duke fryrë mes luleve mbi varrin tënd,
duke fryrë mes perdeve të dhomës tënde.
Erë çmendurake duke fryrë sa herë kërcëllit dhëmbët.
Je e çmendur, vogëlushe,
sesi merr frymë, një Zot e di!

Ishte forca e gravitetit ajo që na solli me këmbë në tokë dhe fathëna, që na ndau,
ti zbute luanin në kafazin tim, por nuk mjaftoi të ma ndryshoje zemrën.
Tani çdo gjë është kthyer kokëposhtë, dhe meqë ra fjala rrotat ndaluan së lëvizuri.
Ajo që është e mirë, është e keqe, ti do ta zbulosh kur në majë të ngjitesh,
por tani je në fund fare.

E vura re gjatë ceremonisë, mënyrat tuaja korruptuese të kanë bërë përfundimisht të verbër,
fytyrën tënde më dot nuk e kujtoj, goja të ka ndryshuar, sytë e tu, më të mitë nuk i shohin.
Prifti u vesh me të zeza në ditën e shtatë dhe qëndroi surrat palëvizur në ndërtesën që digjej.
Ty të prita gjatë në tabelat e reklamave, pranë selvive, atëherë kur pranvera ngadalë u shndërrua në vjeshtë.

Erë çmendurake, duke fryrë rretheqark në kafkën time,
nga e Madhja Digë “Kuli” deri në Kapitol.
Erë çmendurake duke fryrë sa herë kërcëllit dhëmbët.
Je e çmendur, vogëlushe,
sesi merr frymë, një Zot e di!

Nuk mund të të ndjej më, as librat që ke lexuar nuk i prek dot më.
Sa herë që zvarritem nëpër derën tënde, uroj të isha dikush tjetër.
Tëposhtë rrugës, tëposhtë gjurmëve, nëpër udhën drejt ngazëllimit
të ndoqa poshtë yjeve, i përndjekur nga kujtimi yt
dhe nga lavdia jote e leckosur.

Kësaj radhe jam rikryqëzuar* për të fundit herë dhe i lirë jam më në fund,
i dhashë një puthje lamtumire bishës angullitëse në atë vijë kufiri që nga ty më ndau.
Kurrë nuk do ta dish vuajtjen time apo dhimbjen, mbi të cilën u ngrita.
Të njëjtat gjëra as unë nuk do t’i di për ty, shenjtërinë apo llojin tënd të dashurisë
dhe më të ndiej aq keqardhje.

Erë çmendurake, që fryn përmes kopsave të palltove tona,
që fryn përmes letrave, që ne shkruam.
Erë çmendurake, që fryn mes pluhurit të rafteve tona,
ne jemi të çmendur, vogëlushe,
një Zot e di se si arrijmë të ushqejmë vetveten.

Përktheu: Edvin Shvarc