Nga Bob Dylan
A nuk është bash si natë për të bërë ndonjë djallëzi derisa ti po përpiqesh të jesh e heshtur?
Rrimë ulur këtu si mos më keq, edhe pse të gjithë po bëjmë çmos për ta mohuar atë.
E Louise mban një grusht shiu duke të nxitur ta sfidosh
Dritat regëtijnë nga nënçatia përballë
Në këtë dhomë gypat e ngrohjes sall kolliten
Radiostacioni i muzikës kantri lëshon muzikë të lehtë
Ama nuk ka asgjë, bash asgjë për t’u bezdisur
Sall Louise dhe dashnori i saj goxha të mbërthyer
Dhe këto vizionet e Johannës që mendjen ma kanë pushtuar.
Në truallin e shkretë ku zonjat luajnë pulaqorthi me çelësmbajtëse
Dhe vajzat e natës pëshpërisin për aventurat e përjetuara në trenin “D”
Mund të dëgjojmë rojen e natës se si ndez baterinë e dorës
Pyet veten nëse ai vetë është i krisur apo vajzat përnjëmend kanë luajtur mendsh
Louise, ajo është në rregull, ajo është fare pranë
Ajo është delikate dhe duket si pasqyrë
Ama ajo e bën me dije në mënyrë të prerë dhe shumë të qartë
Që Johanna nuk është këtu
Fantazma e elektricitetit ulëron në kockat e fytyrës së saj
Ku këto vizionet e Johannës kanë zënë tashmë vendin tim.
Tash, ky çuni i përhumbur, e merr veten tepër seriozisht
Ai mburret me mjerimin e tij, atij i pëlqen të jetojë rrezikshëm
Dhe kur përmendet emri i saj
Ai më flet për puthjen e ndarjes
Ai gjithsesi që është një arrogant e i pahairtë dhe horr
Duke murmuritur muhabete te muri derisa unë jam në korridor
Si mund ta shpjegoj?
Oh, është e vështirë për të vazhduar
Dhe këto vizionet e Johannës më mbajtën deri pas agimit zgjuar.
Brenda muzeve, Pafundësia po gjykohet
Zërat jehojnë kështu do të duhej të jetë shpëtimi më vonë
Ama Mona Lisa duhet të ketë dëgjuar blluz autostrade
Këtë mund ta kuptosh nga mënyra se si buzëqesh
Mund ta shohësh tutkunen si shtanget
Kur gratë fytyrë-pelte teshtijnë
Dëgjon atë me mustaqe që thotë: “O Perëndi
Nuk mund të gjej gjunjët e mi”
Oh, xhevahirët dhe dylbitë varen nga koka e mushkës
Ama këto vizionet e Johannës, ato bëjnë që çdo gjë të duket aq mizore.
Pramatari tash i flet konteshës që shtiret sikur ia ndien për të
Duke thënë: “Ma përmend dikë që s’është parazit dhe unë do të dal e do ta them një lutje për të”
Por njashtu siç thotë Louise gjithmonë
“S’mund t’i kullosësh sytë aq shumë, apo jo o njeri?”
Ndërsa ajo, vetë, bëhet gati për të
E Madona, ajo ende nuk është paraqitur
Ne e shohim këtë kafaz bosh tash si brehet
Aty ku pelerina e saj e skenës dikur valëvitej
Batakçiu, tash del në rrugë
Dhe shkruan se çdo borxh është kthyer
Në anën e pasme të kamionit me peshk që po ngarkohet
Derisa ndërgjegja ime eksplodon
Harmonikat luajnë çelësat skeletorë dhe shiu
Dhe këto vizionet e Johannës tash janë krejt çfarë ka mbetur.
Përktheu: Fadil Bajraj
ObserverKult
Lexo edhe: