Borges: Viktima ishte zhytur krejtësisht në rutinën e ferrit të vet

dashuria borges është libri dashuria poezi nga borges
Jorge Luis Borges


Nga: Jorge Luis Borges

Për herë të parë dhe të fundit në jetën time, isha i pranishëm në një seancë publike dëgjimore. Seanca dëgjimore e një burri, i cili kishte vuajtur nja katër vite burg, rrahje, poshtërime dhe torturë të përditshme. Unë prisja të dëgjoja ankesat, fyerjet dhe indinjatën e mishit njerëzor, i cili e kishte vuajtur pambarimisht atë mrekullinë mizore që është dhimbja fizike. Por ndodhi diçka tjetër. Ndodhi diçka edhe më e keqe. Viktima ishte zhytur krejtësisht në rutinën e ferrit të vet dhe fliste me thjeshtësi, gati-gati me shpërfillje, për torturat me elektroda, për dhunën, për metodat, për oraret, për birucat, për prangat dhe për zinxhirët. Gjithashtu edhe për kapuçat. Në zërin e tij nuk kishte urrejtje. Nën vuajtjen e torturës, ai kishte treguar emrat e shokëve të vet; këta do t’i bashkoheshin pak më vonë dhe do t’i thoshin që të mos e vriste mendjen, sepse, vetëm pas disa “seancave”, kushdo qoftë nis të deklarojë çdo gjë. Përpara prokurorit dhe përpara nesh, dëshmitari rrëfente, me kurajë dhe me përpikëri, ndëshkimet fizike që kishin qenë buka e tij e përditshme.
Dyqind vetë ishim duke e dëgjuar, por unë ndjeva se gjendesha në burg. Gjëja më tmerrshme e burgut është se ata që hyjnë në të, nuk dalin dot më kurrë. Si nga kjo edhe nga ajo anë e hekurave, vazhdojnë të jenë të burgosur. I burgosuri dhe burgosësi përfundojnë duke qenë një i vetëm.
Stivensoni besonte se mizoria është mëkati kryesor, ta ushtrosh apo ta vuash atë, do të thotë të arrish njëfarë pandjeshmërie apo pafajësie të tmerrshme. Të dënuarit ngatërrohen me demonët e tyre, martiri me atë që i vuri zjarrin turrës. Në fakt, burgu është i pafund.
Nga gjërat e shumta që dëgjova atë pasdite dhe që shpresoj t’i harroj, po përmend atë çka më la një mbresë të thellë, me qëllim që të çlirohem prej saj. Ndodhi një 24 dhjetor. Të gjithë të burgosurit i çuan në një sallë, ku nuk kishin qenë kurrë. Jo pa habi, këqyrën një tryezë të madhe të shtruar. Këqyrën mësallat, pjatat prej porcelani, lugët e pirunët dhe shishet me verë. Më pas erdhën ushqimet e shijshme (po përsëris fjalët e mysafirit). Ishte darka e Krishtlindjeve. Ishin torturuar dhe e kishin të qartë se do të torturoheshin sërish të nesërmen. U shfaq Zoti i atij Ferri dhe iu uroi Gëzuar Krishtlindjet. Nuk ishte një shpoti, nuk ishte një shfaqje cinizmi, nuk ishte një vrasje ndërgjegje. Ishte, siç thashë më parë, njëfarë pafajësie e së keqes. Ç’të mendosh për gjithë këtë? Unë, personalisht, nuk besoj në vullnetin e lirë. Nuk besoj në ndëshkime dhe shpërblime. Nuk besoj në skëterrë dhe në qiell. Almafuerte ka shkruar:
«Jemi të parathënë, të paracaktuar,
nëse ka një Zot, nëse ka një të Gjithëdijshëm,
atëherë, qysh më parë se të jenë, janë
gjithë Judët, Pilatët dhe Krishtët!»
Sidoqoftë, të mos e gjykosh dhe të mos e ndëshkosh krimin, do të thotë të inkurajosh mosndëshkimin dhe, njëfarësoj, të kthehesh në bashkëpunëtor. Është diçka e çuditshme që ushtarakët, të cilët e shfuqizuan Kodin Civil dhe parapëlqyen rrëmbimet e njerëzve, torturat dhe ekzekutimet klandestine, përpara zbatimit të ligjit, tani kërkojnë të përfitojnë nga të mirat e asaj relikte dhe lypin avokatë-mbrojtës të zotë. Dhe, jo më pak e habitshme është që të ketë avokatë, të cilët, padyshim në mënyrë të çinteresuar, përkushtohen t’i ruajnë nga çdo rrezik mohuesit e tyre të djeshëm.
Gazeta “Clarín”, 31 korrik, 1985

Përktheu: Erion Karabolli

*Titulli i origjinalit: “Vuajtje dhe pandëshkueshmëri