Botohet vepra letrare e Muhamet Kuçukut, përfshihen edhe studime të lidhura me të

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me shoqatën “Hasan Tahsin”, në kuadrin e studimeve të letërsisë së traditës, botoi veprën letrare të Muhamet Kuçukut-Çamit dhe disa studime për të.

“Vepra kërkimore është hulumtuar dhe përgatitur nga prof. dr. Bashkim Kuçuku.
Muhamet Kuçuku – Çami është një prej shkrimtarëve bejtexhinj me njohjen më të madhe jashtë gjuhës shqipe dhe me lidhjet më të forta me botën jashtë nesh.
Ai përfaqëson traditën e letërsisë shqipe të pararilindjes, i cili në mungesë të një alfabeti të shqipes ka përdorur shkronja të arabishtes”, thuhet në postimin në “Facebook” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ky botim përmbledh poemat e tij kryesore “Erveheja” në disa motërzime, “Jusufi dhe Zelihaja” dhe disa poezi, shoqëruar me pjesën më të madhe të studimeve për to, shkruar nga shkrimtarë, studiues, botues prej Rilindjes në ditët e sotme.

Libri “Muhamet Kuçuku-Çami – vepra letrare dhe studime për të” është në të njëjtën kohë edhe histori receptimi, duke qenë se përgatitësi i tij ka përzgjedhur e botuar edhe studimet më të rëndësishme për të.

Personalitete me emra të rëndësishëm kanë treguar vëmendje për këtë vepër, që nga Osman Myderrizi tek Gaetano Petrotta, që nga Necip Alpan tek Alexandre Zotos, që nga Namik Ressuli tek Zyber Bakiu.

Botimi i kësaj vepre ka rëndësi edhe për historinë e të folmeve çame. Rrethanat e kanë sjellë që dialekti i çamërishtes të jetë ende jo tërësisht i mbledhur. Nga radhët e albanologëve rendin e parë e zënë Erich e Doris Stockmann, të cilët, në bashkëpunim me gjuhëtarin e mirënjohur Wilfried Fiedler, atëherë student, në vitet 1950 ndërmorën një ekspeditë të posaçme dhe më pas botuan veprën “Albanische Volksmusik I. Gesänge der Çamen” (Akademie-Verlag, Berlin 1965).

Tre studimet e Q. Haxhihasanit për të folmen çame kanë rëndësinë e tyre të padyshimtë. Botimi i veprës së Muhamet Çamit do të jetë i dobishëm edhe për këtë fushë studimesh.
Me këtë botim të Akademisë së Shkencave Muhamet Kuçuku-Çami u bë fakt letrar i mirëfilltë, pjesë e letërsisë shqipe në qarkullim, shkruan prof. dr. Bashkim Kuçuku.

LEXO EDHE: Akademia e Shkencave promovon dy fjalorë të gjuhës shqipe