Bregasi: Pse lexuesi shqiptar apasionohet ndaj letërsisë së huaj ndërsa snobon të veten?

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, Observer Kult kësaj radhe ka mysafire shkrimtaren dhe studiuesen e letërsisë Majlinda Bregasi. Ja cilat janë tri librat që Bregasi ua rekomandon t’i lexoni:  

Tendenca për të folur për gjëra të huaja ndoshta lidhet me refuzimin tonë për ta njohur veten

Nga Majlinda Bregasi

Ende nuk e kuptoj pse lexuesi shqiptar flet aq i apasionuar për letërsinë e huaj ndërsa snobon të vetën. Në gjithë botën ndodh e kundërta. Letërsia e huaj është ajo që përpiqet jashtëzakonisht për të dalë në sipërfaqe e megjithatë mbetet minore. Tendenca për të folur për gjëra të huaja ndoshta lidhet me refuzimin tonë për ta njohur veten, kështu jo vetëm të huajt i kemi pikë referimi, por edhe u hapim dyert të na drejtojnë. Ditën që moda e ambasadorëve politikëbërës do të mbetet vetëm një sarkazëm e së shkuarës, do të fillojë edhe vetëdijësimi ynë. Ia kemi borxh vetes.

Si shumica e atyre që shkruajnë për ndonjë autor/e në emër të “kritikës letrare”, edhe unë po shkruaj për shoqen time. Por për dallim nga të tjerët, po ju tregoj që në fillim. Nerimane Kamberi është shoqja ime e zemrës. Ajo që thërras sa herë që dua të mendoj kur jam në shoqëri. Ajo që nuk më zemërohet edhe nëse i them se, po mos të ishte për këtë shkrim, ende do ta kisha shtyrë leximin e librit Hotel Grandi dhe reportazhe të tjera. Po ndoshta do kishte qenë më mirë. Askush nuk do më kish parë teksa fshija lotët me mëngë në aeroport. Emocionet sot janë demodé, veçmas për një grua moderne që duhet të duket sa më e ftohtë, hekur. Ndërsa Nerimanja më përshkruante autostradën e saj të pushimeve, unë ndieja pickimin e motrës së vogël në ulësen mbrapa të Ford Caprit, ku zhvillohej beteja më e heshtur dhe më mizore e historisë së fëmijës refugjat që kthehet në vendlindje për t’u ndjerë edhe një herë i huaj. Sikur mos të mjaftonte Belgjika. Nerimanja është vullkan në reportazhet e saj me një vlerë letrare të përtej të zakonshmes. Të merr përpara e ti për aq sa zgjat leximi i librit ke jetuar edhe një herë historinë e saj për Kosovën, ke takuar personazhet më tipike e atipike të saj, ata që është e pamundur mos t’i kesh takuar qoftë një herë, nëse sado pak mund ta njohësh vendin. Libri i kushtohet lexuesit të huaj. Ftohtësia fiktive e rrëfimit është thjesht një armë shkatërruese, ajo që të dërmon brenda pa fjalë të bujshme.

Piccola saga carceraria e Besnik Mustafajt, titulli më erdhi në gjuhën që e kam lexuar e dua të përcjell te ju po ashtu, me një filtër gjuhe. Po kështu është më mirë. Të përjetosh një histori shqiptare që flet për tri gjenerata burrash që më shumë kanë jetuar në burg sesa jashtë e sërish të ndiesh gjakun që rrjedh nga mushkritë e gërvishura, të ftohtin e akullt të burgut të errët, ëndrrat që nuk lindën nga uria, frikën nga e keqja që si ta bën vetja askush tjetër nuk mundet, të ndiesh çdo drithërimë të këtyre malësorëve që janë edukuar që fëmijë ta fshehin dhimbjen, do të thotë ta shohësh veten me sytë të huaj e mos të dish çka të bësh me të. Është kjo drama më e madhe e domosdoshme e njeriut. Besniku të trand në thjeshtësinë e gjërave të zakonshme e një palë sy të huaj të ndihmojnë për ta  tretur veten më lehtë.

Fuori dal nido dell’aquila, quhet romani i Shefit Troka-s, një shqiptari ‘pa emër’ për opinionin e gjerë, një albanezi që jeton në Sud të Italisë, një punëtori i një fabrike pa nam, një njeriu të krejtësisht të zakonshëm dhe me një talent të rrallë. Romani i tij të bën keq. Sinqerisht, të bën keq për shëndetin. Pasi e lexova nuk arrita të haja drekë. Më vinte për të vjellë. Në darkë bëra gjasme po kujdesesha për humorin e familjes. Hapa një shishe verë të mirë. Nuk e vura dot në buzë. Fjeta duke u lutur për personazhet. Iu luta Zotit t’i merrte fatet e tyre e t’i hidhte diku në ndonjë humnerë të errët nga ku nuk do t’i shihte më drita. Të jetonin të vetmuar me kryqin e tyre në shpinë, por të paktën mos të turpëroheshin më. Pastaj një dashuri pa limit për jetën që vesh romanin si një vello mëndafshi i miklon dhimbjet. Në fakt romanin do ta quaja një himn për jetën.

Shefit Troka ka fatin e autorit të ekzilit, shkruan në gjuhë të huaj për të mbetur po i huaj në të dy vendet, por ditën që talenti i tij do hyjë në derën e duhur, ditën që kritikët tanë, nëse ka, do bëjnë punën e tyre jashtë miqve e mikeshave, Shefit Troka do i magjepsë lexuesit. / ObserverKult