Brenda vilës së Enver Hoxhës/Mjeku: “Shëndeti i shokut Enver ishte sekret shtetëror”

Në librin “Pacienti ynë i veçantë”, profesor Kamberi tregon se vendndodhja e mjekëve ishte në katin e dytë të vilës së vjetër të Enver Hoxhës, ku pacienti do të monitorohej 24 orë nga një prej mjekëve dhe se në dhomën e tyre ata kishin një televizor me ngjyra ku shihnin edhe stacione italiane, por dëgjonin edhe shërbimin ndërkombëtar të BBC-së në radio.

Bëhet fjalë për vitet 1976-1985, kur mund të përfundonte në burg çdo qytetar që ndiqte stacione të huaja përveç TVSH-së, nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës. Sipas një skeme të mirëorganizuar, ekipi i mjekëve të Enver Hoxhës, lëvizte më të çdo ditë, nga vila në zyrë dhe anasjelltas, apo dhe në lëvizjet e tij nëpër Shqipëri apo dhe jashtë saj.

Përbërja e ekipit të mjekëve ishte një informacion top sekret, aq sekret sa emrat e mjekëve Ramiz Alia i mësoi vetëm në 1982, kur ai u bë numri dy i partisë dhe shtetit shqiptar, pas Enver Hoxhës. Kryeministri Mehmet Shehu ishte vetëvrarë, ndërsa Hysni Kapo ishte ndarë nga jeta, personat që mund të informoheshin nga mjekët e Enverit.

AHMET KAMBERI

EKIPI MJEKËSOR I ENVER HOXHËS

Në fillim të vitit 1976, për shkak të një vonese në diagnostikimin e apendicitit akut të Sokolit, djalit të dytë të Enverit, dr. Isuf Kalo, mjeku i tij personal, ishte pezulluar nga detyra. Ndjekja mjekësore e Enverit ishte vështirësuar. Nga ana tjetër, ishte menduar se ai duhej të ishte nën kujdes të pandërprerë mjekësor nga një grup kardiologësh.

Në këto rrethana, në fillim të marsit të vitit 1976, me një vendim të brendshëm të Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, të firmosur nga Hysni Kapo dhe Haki Toska, u krijua ekipi mjekësor i Enver Hoxhës.

Ky ekip do të përbëhej nga grupi i mjekëve që e kishin trajtuar dhe ndjekur atë pas pësimit të infarktit të miokardit: prof. Fejzi Hoxha, prof. Nikolla Shurbani, prof. Ylli Popa, dr. Hajro Shyti. Këtij grupi do t’i bashkoheshin prof. Petrit Gaçe, kardiokirurg në Spitalin nr. 2, i cili kishte qenë edhe konsulent kur Enveri u sëmur, si edhe dr. Ahmet Kamberi, kardiolog në Klinikën Speciale…

… Më 5 mars 1976 unë u thirra në zyrën e drejtorit, dr. Pavllo Milo. Aty ndodhej edhe shefi i sigurisë së Enver Hoxhës, Sulo Gradeci. Drejtori më komunikoi se ishte vendosur të kaloja në ekipin mjekësor të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë.

U gjeta krejt i befasuar. Unë e dija që ishin tre kardiologë të shquar, të cilët e ndiqnin atë qysh pas pësimit të infarktit në zemër dhe nuk më kishte shkuar ndër mend se mund të ishte nevoja e përfshirjes sime. Ata që të dy e vunë re turbullimin tim dhe pothuajse në një gojë më thanë:

-Është një vlerësim që të bën Partia, duke të caktuar në shërbimin mjekësor të shokut Enver.

-E çmoj lart këtë vlerësim që më bën Partia, – u përgjigja, duke u përpjekur të gjeja aty për aty një shpjegim për turbullimin tim dhe u thashë se kujtoja që edhe klinika kishte nevojë për mua. Unë e kisha krejt të qartë se shërbimi për Enverin ishte i pavarur nga klinika.

Drejtori mund të kishte më shumë informacion, sepse kërkesat e mjekëve të shërbimit të tij përmbusheshin nëpërmjet atij. Kishte kohë që Hajroja, pavarësisht se ishte efektiv i klinikës, nuk angazhohej më në punët e saj si më parë. Madje, edhe në ndonjë mbledhje të organizatës së Partisë, ai mungonte. Por, unë në asnjë rast nuk kisha biseduar me Hajron për punën që bënte ai atje.

-Mos u merakos për klinikën, ti…, – ma priti drejtori, – herë ti e herë Hajroja do të gjeni kohë edhe për të. Pastaj, kemi edhe konsulentët e jashtëm, – vijoi ai.

Unë, nuk kisha ç’të thosha tjetër, por po e mendoja se po angazhohesha në një shërbim të vështirë. Ata më uruan dhe Suloja më tha që të nesërmen, më 6 mars, duhej të paraqitesha në detyrë.

Kështu, më 6 mars 1976 nisa punën si anëtar i ekipit të sapokrijuar mjekësor për Enver Hoxhën, duke mbetur formalisht dhe financiarisht efektiv i Klinikës Speciale. Në mëngjesin e asaj dite u paraqita në zyrën e shefit të sigurisë së Enverit. Ai më shoqëroi në katin e dytë, ku ndodheshin kolegët e mi.

Aty gjeta ministrin e Shëndetësisë, prof. Llambi Ziçishtin, prof. Nikolla Shurbanin, prof. Fejzi Hoxhën, prof. Yli Popën, prof. Petrit Gaçen dhe dr. Hajro Shytin. Ministri na lexoi një shkresë, që ishte një vendim i brendshëm i sekretarëve të Komitetit Qendror për krijimin e ekipit mjekësor të shokut Enver Hoxha, i nënshkruar nga Hysni Kapo dhe Haki Toska.

Ky ekip do të ishte një organizëm shëndetësor i pavarur dhe kryetar i tij do të ishte vetë ministri i Shëndetësisë.

Shëndeti i shokut Enver, – na tha ai, -“është sekret shtetëror”, të cilin ne duhej ta ruanim me rreptësi. I vetmi person të cilit mund t’i kërkohej ndihmë, ose të informohej kur duhej, do të ishte Hysni Kapoja.

Bërthama e ekipit do të ishte njësia e kardiologëve të shërbimit të pandërprerë, që shkurt thirreshin kardiologët e shërbimit. Kjo njësi do të kishte përgjegjësinë e kujdesit mjekësor të pandërprerë për shokun Enver.

Ditë e natë, në shtëpi, në zyrë, në udhëtim e kudo që ai të ndodhej. Kjo njësi e ekipit do të përbëhej nga prof. Nikolla Shurbani, prof. Ylli Popa, dr. Hajro Shyti dhe dr. Ahmet Kamberi.

Njësia do të niste punën që nga ai çast dhe do të përgjigjej vetë për organizimin e shërbimit. Kolegët e tjerë të ekipit do të mblidheshin kurdoherë që do të kërkohej nga kardiologu i shërbimit, ose nga njësia e kardiologëve të shërbimit të pandërprerë. Shefi i sigurisë do të përgjigjej për logjistikën.

…. Vendqëndrimi i njësisë së kardiologëve të shërbimit, ku do të mbaheshin dhe mbledhjet e ekipit, ishte në ndërtesën e grupit të oficerëve të sigurisë, në katin e saj të dytë. Në këtë ndërtesë, e cila gjendej në këndin verilindor, brenda rrethimit të jashtëm të banesës së Enverit, kishte banuar më parë Thoma Deljana, ish-ministër i Arsimit.

Në katin e dytë të kësaj ndërtese ne kishim një ndarje me dy dhoma. Njëra prej tyre, dhomë pune, me kolltukë, karrige, një tavolinë mesi dhe një tavolinë pune. Kishte edhe një kasafortë, ku mbanim pjesën e dosjes mjekësore të Enverit që kishim në përdorim, si edhe fletoren e protokollit të dorëzimit të shërbimit dhe të mbledhjeve të ekipit.

Kishim edhe një televizor me ngjyra me antenë që merrte edhe TV italian, si edhe një radio, me të cilën unë dëgjoja BBC-në, emisionin Ëorld Service, në valë të shkurtra gjatë gjithë kohës kur isha vetëm dhe nuk bezdisja të tjerët.

Natyrisht, e dëgjoja për vete, jo për të komentuar me të tjerë. Këtë e dinin edhe shokët e mi, edhe shefi i sigurisë. Por, nuk kishte ndodhur ndonjëherë të më pyeste ndokush se pse e dëgjoja atë. Dhomën tjetër, me katër krevate, e kishim për fjetje.

Fillimisht, kishim të njëjtin tualet me oficerët e shërbimit, të cilët kishin dhomën e gjumit përballë tonës. Më pas, na bënë tualetin tonë, duke marrë një pjesë të dhomës së punës. Ushqimin na e shërbente vetë kuzhinierja e mensës së oficerëve, Gurie Durollari.

Ajo na sillte gjithashtu mëngjes për mëngjes kafenë e bluar, për ta pasur gjatë shërbimit. Në ndarjen tonë nuk futej askush tjetër përveç ndihmësmjekëve, shefit të sigurisë dhe kuzhinieres. Për komunikim të brendshëm me infermieren e shërbimit, me oficerin e shërbimit të brendshëm, si edhe me dhomën e pacientit kishim interfoninë.

Kishim edhe një telefon manual, që lidhej vetëm me centralin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Atë e përdornim kur na duhej të flisnim për ndonjë problem, për të cilin donim të kishim më shumë siguri.

Për komunikim me jashtë kishim një telefon të zakonshëm, numrin e të cilit, megjithatë, e dinin vetëm anëtarët e ekipit, ndihmësmjekët, infermierët, oficeri i brendshëm dhe natyrisht, shefi i sigurisë.

Në atë kohë unë banoja në bllokun “Vasil Shanto”. Me sa duket, u gjykua se isha relativisht larg, prandaj m’u dha një apartament në një vilë brenda në Bllok, përballë shtëpisë së Enverit. Vila trikatëshe, në katin e dytë dhe të tretë të së cilës banonin edhe dy familje të tjera dhe po kaq nga hyrja e anës tjetër, ishte e rrethuar me avlli me kangjella druri dhe kishte një oborr të madh.

Në atë oborr tani është ndërtuar një karburant, një ndërtesë 4-katëshe, një pallat i lartë 9-katësh, madje, edhe një hotel që ka marrë edhe prej parkut para shtëpisë së Enverit. Vetëm rruga “Ismail Qemali” e ndante atë nga shtëpia e Enverit.

Nga një deriçkë nga ana e asaj rruge, unë mund të hyja drejtpërdrejt në shtëpinë e tij brenda më pak se një minute, ose të shkoja në vendqëndrimin tonë. Hyrja e vilës nga ana e rrugës “Vaso Pasha” ruhej nga ushtarë të Gardës.

Askush nuk lejohej të hynte, nëse nuk shoqërohej nga të rriturit e familjes. E gjitha kjo më kishte krijuar psikologjinë e të qenit gjithnjë në detyrë, çka, megjithatë, ishte e vërtetë. Dr. Hajro Shyti, banonte në një ndërtesë të re përballë shtëpisë ku banoja unë, në anën tjetër të rrugës “Vaso Pasha”.

Dr. Ylli Popa banonte në një ndërtesë, gjithashtu të re, në krye të rrugës “Vaso Pasha”. Më vonë, kur njësisë tonë të kardiologëve do t’i shtohej edhe dr. Sabit Brokaj, edhe ai do të sistemohej në një ndërtesë të re, në rrugën “Sami Frashëri”, pranë shkollës “11 Janari”. Edhe dr. Isuf Kaloja banonte në rrugën “Sami Frashëri”, përballë shkollës “11 Janari”.

Kështu të gjithë ne banonim në një largësi fare të afërt, çka na mundësonte të gjendeshim shumë shpejt në detyrë, kur na kërkohej. Kur Enveri lëvizte, njëri prej kardiologëve të njësisë së shërbimit të pandërprerë do të ishte në makinën e dytë, një Volvo e zezë, pas asaj të komandantit të sigurisë.

Ai kishte me vete çantën e ndihmës së shpejtë, një elektrokardiograf të vogël portativ dhe një defibrilator elektrik portativ.

Ne nuk kishim asnjë kontakt të drejtpërdrejtë me Enverin. Kur duhej ta ndiqnim përjashta, duhej t’i shmangeshim me çdo mënyrë, që të mos shiheshim prej tij. Në Komitetin Qendror qëndronim së bashku me ndihmësmjekun e shërbimit në një dhomë në katin e katërt përballë ashensorit. Të gjitha pajisjet e urgjencës i kishim me vete.

Ne ngjiteshim atje menjëherë, sapo Enveri të hynte në zyrë dhe zbrisnim, sapo ai të hipte në makinë pas daljes nga zyra. Poshtë na priste makina jonë dhe arrinim të ishim disa metra pas makinës së tij. Gjatë kohës që ne qëndronim në Komitetin Qendror, askush nuk kishte kontakt me ne. Ne nuk kishim asnjë kontakt me sekretarin ose ndihmësit e Enverit.

Madje, njëri nga ndihmësit e tij, Vahit Lama, i cili ishte edhe fqinji im, se banonim në të njëjtën ndërtesë dhe kishim miqësi, nuk e mësoi kurrë që unë kujdesesha për Enverin dhe se në shumicën e ditëve të javës gjendesha aty, në një dhomë në Komitetin Qendror. Objekti i punës sonë ishte vetëm pacienti, si person. Zakonisht nuk kishte lëvizje nëpër korridore dhe askush nuk na shihte kur hynim e dilnim.

Përveç Hysni Kapos dhe Haki Toskës, ndoshta i vetmi që mund ta dinte praninë tonë aty, mund të ishte sekretari i Enverit dhe ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu. Madje, edhe Ramiz Alia nuk e ka ditur përbërjen e ekipit deri në vitin 1982.

Kamerieret ishin në dijeni se me ta komunikonte ndihmësmjeku i shërbimit, por ata e dinin se nuk duhej të flisnin me njeri për këtë. Sidoqoftë, përgjatë gati dhjetë vjetëve, nuk ndodhi ndonjë rast që të nevojitej ndërhyrja jonë.

Anëtarët e ekipit ishin pajisur me bipera, centrali i të cilëve ndodhej në vendqëndrimin e oficerit të brendshëm. Kur biperi bënte biiip, duhej lidhur me telefon me oficerin e brendshëm, i cili shpjegonte arsyen e thirrjes.

Në mungesë të ndonjë telefoni të gjindshëm, duhej të paraqiteshim pa vonesë në shërbim. Te gjithë anëtarët e ekipit ishin të lirë të punonin në sektorët e tyre, por duhej të njoftonin nëse do të largoheshin nga Tirana.

Kurse kardiologët e njësisë së shërbimit të pandërprerë që paguheshin nga Klinika Speciale, dr. Hajro Shyti dhe unë nuk lejoheshim të lëviznim pa lënë adresën tek oficeri i brendshëm, ngado që të shkonim. Në çdo kohë, ai duhej të dinte se ku ndodheshim.

Kur lëviznim në këmbë ose me biçikletë, duhej të tregonim drejtimin. Kur shkonim në vizita te të afërmit me adresë të paqartë, na çonin dhe na merrnin me makinën e shërbimit. Kur nuk kishte probleme, mbledhjet e ekipit ishin të rralla. Kryetari i ekipit vinte në mbledhje vetëm në raste të veçanta, kur ekipi e gjykonte të nevojshme praninë e tij, sidomos kur kërkohej plotësimi i kërkesave të veçanta.

Mbledhja hapej nga ai që e kishte kërkuar, i cili shpjegonte arsyen e thirrjes së saj. Secili shfaqte mendimin e tij dhe dëgjohej me vëmendje. Asnjëri nuk ndërhynte pa e përfunduar fjalën tjetri. Kur mendimet nuk përputheshin, shtroheshin alternativa të tjera. Vendimet merreshin vetëm kur arrihej njëmendësimi i ekipit. Kur kishte probleme, mbledhjet bëheshin edhe dy ose tri herë në ditë.

Njësia e kardiologëve të shërbimit të pandërprerë mund të mblidhej edhe përditë, qoftë edhe për shqetësimet më të parëndësishme. Peshën kryesore të njësisë do ta mbanin dy kardiologët e Klinikës Speciale, dr. Hajro Shyti dhe unë, që e kishim detyrë parësore atë shërbim. Në raste të veçanta në shërbim do të rrinin edhe të tre kardiologët, por si rregull, të paktën dy kardiologët e Klinikës Speciale.

Anëtarët e ekipit nuk merrnin asnjë lekë shtesë mbi atë të kategorisë së tyre si të gjithë mjekët e sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë. Nuk merrnin as dieta, kur shoqëronin Enverin jashtë Tiranës, sepse ushqimin dhe strehimin e kishin të siguruar.

Ekipit do t’i bashkohej më pas në vitin 1978 edhe dr. Ajli Alushani, me cilësinë e anestezist-reanimatorit. Ky do të largohej në vitin 1982, për shkak të emërimit të tij ministër i Shëndetësisë.

Nga fundi i vitit 1980, ekipit dhe njësisë së kardiologëve të shërbimit mjekësor të pandërprerë iu shtua dr. Sabit Brokaj, i ardhur nga Spitali Ushtarak./fjala.al

———————

Lexo edhe:

KASAFORTA MISTERIOZE NË VILËN KU KA JETUAR ENVER HOXHA/LAME: NUK ËSHTË HAPUR ASNJËHERË, KA HUMBUR ÇELËSI

ObserverKult