Brikena Qama: Qytetit tim

Unë jam bijë e qytetit të gurtë
që ngjan me grushtin e dorës
shtrënguar nga malet përrreth.
Kur qielli qan mbi qytetin tim
lotët thërrmohen nëpër shkallë
zbritjes për në Osumin inatçor.

Përgjumja e qytetit tim
duket si një mace e hirtë
mbledhur kulaç pranë oxhakut
gjithmonë e gatëshme
për të rrëmbyer një copë pastërma,
mëngjeseve
fshesarët seleksionojnë ëndrrat
filtruar në bishta cigaresh.

Qyteti im nuk është i zhurmshëm
nuk ka as kishë me këmbana
as xhami me minare të larta
por thuhet se tempulli i zotit
është në majën më të lartë
të qytetit tim.