Mihai Eminesku: Sa vite shkuan…

Sa vite shkuan… poezi nga Mihai Eminesku

Sa vite shkuan, sa do të shkojnë prore,
nga çasti i shtrenjtë kur tok jemi parë,
e rri mendoj ç’u deshëm me kaq zjarr,
o moj symadhe edhe dorëborë!

Oh, eja përsëri! Me frymëzime
më mbush e më vështro me sytë e ndritur,
se ç’dritë hedh në shpirtin e mahnitur,
se ç’këngë nxjerr nga lira plot kumbime!

Ti nuk e di se kur të kam ndaj meje,
zë më kthjellohet fare zemra ime,
sikur në heshtje ndrin një yll ndër qieje.

Dhe kur më qesh me qeshje fëmie,
vde s krejt një jetë-helm dhe mundime,
në shpirt kam gaz e ëndrra lumturie!

Në shqip: Perikli Jorgoni

ObserverKult

————————————————-

LEXO EDHE: MIHAI EMINESKU: PËRSE FRIKOHESH? A S’MË KE TI PRANË?

Përse frikohesh? A s’më ke ti pranë?
Lere të rrahë shiu në dritare
e era të gjëmojë anembanë,
me mua je e mos ki frikë fare!

Përse u ngrite e mes dhogash sheh?
Sikur diç pret e dukesh e habitur.
S’mund të dallosh me sy ndër to asgjë?!
Mos do që të kujtosh diçka, papritur?

Mbështete kokën, do të jesh e qetë,
bëj gjumë edhe lërmë të rri zgjuar…
Gjithmonë më pëlqen, kështu plot jetë,
të të vështroj kur jam duke lexuar.

Të të sodis si fle plot gaz e mall,
tek frymë merr e humb në ëndërrime,
aherë e tërheq dorën ngadalë
prej lapsit. Dhe kam paqë e ngazëllime!

Moj vasha ime, sa e bukur je,
fytyrën si mermeri, të dëlirë,
më vjen të të afrohem tek po fle,
të të rrëmbej ndër krahë plot dëshirë!

Por droje kam mos zgjohesh, ndaj s’guxoj.
Ti fli e qetë me një krah nën tokë.
Herë pas herë do të të vështroj
e libri do të më bjerë përtokë!

I lumtur jam. Rend koha me vërtik
me çapet monotone të sahatit.
Frikë pse ke? Me mua mos ki frikë!
Po s’fjete, të vë vetë në mes të shtratit!

1876

Përktheu: Perikli Jorgoni