Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venedikut

Artisti, Brilant Milazimi, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Ekspozitën e 61-të Ndërkombëtare të Artit – Bienalen e Venedikut 2026, një nga ngjarjet më prestigjioze të artit bashkëkohor në botë.

Në këtë edicion, Milazimi do të prezantojë veprën “Hard Teeth (Dhëmbë të Fortë)”, një instalacion pikturor i kuruar nga José Esparza Chong Cuy. Ekspozita do të vendoset në hapësirën Chiesa di Santa Maria del Pianto, një kishë e shekullit XVII në Venedik, e cila ka qenë e mbyllur për publikun për dekada. Vepra “Dhëmbë të Fortë” shënon njëkohësisht edhe rihapjen e kësaj hapësire historike.

Pavijoni i Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut komisionohet nga Hana Halilaj, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës, ndërsa organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Bienalja e Venedikut 2026 do të mbahet nga 9 maji deri më 22 nëntor 2026, ndërsa Pavijoni i Kosovës do të jetë i hapur për vizitorët gjatë gjithë kësaj periudhe në Chiesa di Santa Maria del Pianto, Venecia.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje ndërkombëtare të artit konsiderohet një mundësi e rëndësishme për promovimin e artit bashkëkohor kosovar dhe prezantimin e krijimtarisë vendore në skenën globale.

ObserverKult


Lexo edhe:

UNESCO propozon mbrojtjen e shkrimit të dorës si trashëgimi jomateriale e njerëzimit