Bruna Gjoni Përvathi: Kur ti të kthehesh

Kur ti të kthehesh, deti do të ketë shterrur edhe pikën e fundit,
Plasa-plasa do të jetë thërrmuar qielli nga retë,
Ato pak degë njomishtesh prej stuhisë së mallit do të të shkundin,
Do të të tkurret bota deri në përhumbje, do të grimcohen edhe diejt.

Kur ti të kthehesh, shelgun që mbollëm bashkë do ta gjesh të tharë,
Edhe zambakun e bardhë në saksinë e vogël rrëzë dritares,
Do kërkosh një grusht ujë, të lagësh shpirtin e bërë zharrë,
Do të më thërrasësh me sy, se zëri të ka humbur prej marres.

Kur ti të kthehesh, duke më kërkuar vetmimeve zemërvrarë,
Nuk do të më gjesh…
Mbi hënë do të ngjitem për të të parë…