Bujar Kapexhiu: Ja pse më çuan për riedukim, takimet e mia me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun

NGA ALMA MILE

Bujar Kapexhiut nuk i vjen keq për vitet që kanë shkuar. “Më vjen mirë që i kam jetuar. Nuk ka qenë një jetë boshe,. ka qenë e mbushur me pasion, me përplasje, me suksese dhe rrëzime. E kam jetuar në gjithë plotësinë e saj, sot kam se çfarë të tregoj”, thotë ai në një intervistë të dhënë kohë më parë për gazetën “Panorama”.

Pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH, Bujar Kapexhiun do ta çonin për “riedukim” në punë të rëndë, pas tri vitesh do të niste sërish ngritja.

Këtë herë, nga redaksia e re e filmit të animuar, ku ai u emërua regjisor. Më vonë vijoi me filma artistikë, këta filma edhe sot e kësaj dite shihen me kënaqësi për situatat humoristike, batutat e gjetura etj..

Mjaft të përmendim “Tela për violinë”, “Dy herë mat”, “Edhe kështu, edhe ashtu”, por nuk ka qenë e thjeshtë edhe me ta përpara se të shfaqeshin do të kalonin së pari në sitën e kolektivit e më pas të partisë.

Gërshëra e censurës nuk të falte dhe shumë skena filmash, në mes të të cilave është edhe finalja e filmit “Edhe kështu, edhe ashtu”. Ishte një puthje mes dy të rinjve protagonistë (Frederik Ndoci e Sesilia Plasari), e cila do të hiqej. Kapexhiu tregon për censurën dhe kontaktet që ka pasur me udhëheqësit e kohës, që nga Enver Hoxha te Mehmet Shehu e rivaliteti mes tyre.

Kur nisi rehabilitimi juaj pas punës së rëndë dhe riedukimit?

Bujar Kapexhiu: Ishte një shans i madh, që për herë të parë do të fillonte krijimi i një studioje për filmin e animuar. Ishin përcaktuar piktori dhe operatori, mungonte regjisori.

Meqë unë merresha me karikaturë, pikturoja, isha regjisor dhe aktor, kisha bërë edhe ilustrime për libra, u shkoi në mendje që regjisor mund të isha unë. Emri im u lakua deri në sferat e larta të partisë, deri sa ata thanë: Po, tashmë ai është i edukuar, është i yni dhe mund të vijë në Kinostudio. Dhe kështu, unë në nëntor të 1975 u emërova regjisori i parë i filmit të animuar.

Më pas ju u morët edhe me filmin artistik?

Bujar Kapexhiu: Filmi vizatimor nisi të ecë. Fituam çmime kombëtare e ndërkombëtare, por gjithnjë pasioni im ishte filmi artistik. Në vitin 1986 unë shkrova një skenar filmi “Dy herë mat”, më thanë që duhej ta xhiroja këtë skenar, madje duhet të interpretoja edhe vetë në të, kështu që u bëra skenarist, regjisor dhe protagonist.

Dhe sot e kësaj dite, ai film pëlqehet. Nuk ka politikë, por me karakter shoqëror, familjar, një organizim humoristik i jetës në një provincë por, natyrisht me tendenca të vogla kritike për ata pseudoshkencëtarët, që përplasen me shkencëtarët e rinj që punojnë në terren.

Po të mos ndodhnin ato që ndodhën, do kishit interpretuar më shumë në film?

Bujar Kapexhiu: Pa dyshim, por ndoshta rruga ime ka qenë e drejtuar nga humori. Në gjithçka që kam bërë, në karikaturë, në filma, jam udhëhequr nga humori, sepse kam pasur gjithnjë dëshirë që në portretet e njerëzve të shihja gëzimin, buzëqeshjen.

Por ama, juve ju ka shkuar roli i “djalit të keq”, te “Dueli i heshtur”, ju nuk përfaqësonit rininë socialiste…

Bujar Kapexhiu: Te “Dueli i heshtur” luaj një personazh, që kryeredaktori i revistës “Hosteni”, Niko Nikolla. Një humorist i zoti, thoshte:

“Ti e luan me aq pasion atë rol, saqë do kenë menduar se kush e di se sa i poshtër do të jetë ky”. Mos kujtoni se në atë film e kemi bërë për dashurinë për atdheun, por si “kurs kualifikimi”: si arratiset jashtë shtetit dhe ne jemi treguar profetikë, pasi vite më vonë do të ndodhte largimi me anije i shqiptarëve, një arrati e paimagjinueshme, biblike..

Si shpjegohet që rolet “negative” pëlqeheshin më shumë nga publiku?

Bujar Kapexhiu: Në përgjithësi, rolet negative pëlqeheshin në atë kohë, sepse personazhet negative thoshin batuta që nuk mund t’i thoshe në jetën reale, sepse futeshe në burg.

Këto personazhe nuk mund të flisnin me slogane, si flisnin protagonistët komunistë. Po të shohësh vetëm batutat që edhe sot e kësaj dite përdoren, si “Fitore Islam”, “Le të pimë për të bukurat sinjorina”, “A e kishit dashnore kolektive?”, “Burrë i pashëm kodoshi, i zgjedhin komisarët” ose ajo tjetra, kur i bie me këmbë kuleçve: “Pse, me këto do ta ndërtoni komunizmin…?!” Batuta që vetëm një personazh negativ mund t’i thoshte.

Ndaj edhe ata pëlqeheshin. Këto personazhe ishin gjithnjë të veshur bukur, jashtë modës së përgjithshme. Të gjitha këto mund të ishin interpretuar nga “të zellshmit”, por ja që shpëtuan, sepse u interpretua ajo që gjoja është esenciale në këtë film, që fitimtarët kthehen në atdhe, ndërsa armiqtë meritojnë vetëm plumbin.

Shfaqja e një filmi shoqërohej dhe me diskutimet e kolektivit të Kinostudios, si i kujtoni ato?

Bujar Kapexhiu: Në Kinostudio ishte një komunitet i jashtëzakonshëm krijuesish dhe kur vinte koha për të parë një film, shihej me shumë dashamirësi dhe në mënyrë shumë dashamirëse. Bëheshin vërejtje dhe ishte si një laborator që pastronte, rregullonte gjëra që ishin të papranueshme dhe regjisori e përpunonte filmin, duke e përmirësuar.

Mendimi kolektiv i sinqertë, dashamirës, profesional, ishte me të vërtetë i vlefshëm për ngritjen e nivelit artistik në të gjitha aspektet. Të gjithë donim të bëheshin prodhime të mira. Unë e kujtoj edhe sot se sa shumë jam emocionuar, madje kam lotuar kur kam parë për herë të parë filin “Rrugicat që kërkonin diell”.

Ishte emocion shumë i madh që dy shokët e mi, Rikard Ljarja dhe Saimir Kumbaro, kishin bërë një gjë aq të bukur, ishte kënaqësi. Aq më tepër që nuk e shihnim si punë të një individi, por të të gjithë Kinostudios. Sigurisht që kishte edhe elementë, që për shkak të ngurtësimit të tyre ideologjik, shihnin gjëra të shtrembra, por kjo ishte më së shumti për shkak të formimit dhe ka ndodhur që kanë thënë edhe gjëra që kanë bërë keq.

Po udhëheqjen e lartë, Enver Hoxhën apo Mehmet Shehun, i takuat ndonjëherë?

Bujar Kapexhiu: Kur kam qenë regjisor në Estradën e Tiranës, kam qenë i ftuar, bashkë me Skënder Sallakun, në një darkë për festimin e Vitit të Ri në Komitetin Qendror dhe aty ishin të gjithë anëtarët e KQ me familjarët e tyre dhe i pranishëm ishte, pa dyshim, edhe Enver Hoxha. Ai ishte kontakti i parë me të dhe aty unë kam bërë me shpejtësi karikatura kundër imperializmit, revizionizmit, fesë, kapitalizmit dhe Partia na duartrokiti.

Skënder Sallaku ka bërë humor, që kur e kujtojmë sot, themi si është e mundur… Por ata qeshën. Ndërsa me Mehmet Shehun jemi takuar kur dorëzoi flamurin në darkën e madhe që u organizua me rastin e shpalljes fituese të festivalit të teatrove, të shfaqjes “Njollat e murrme”, aty e kemi takuar dhe kemi folur nga afër.

Komunikime më të afërta kemi pasur me ministrat e Kulturës, kur kanë ardhur nëpër festivale apo në Kinostudio. Madje, ish-ministrin Alfred Uçi e kam takuar edhe më pas. Te filmi “Tela për violinë”, ai nuk ishte dakord me një skenë dhe urdhëroi të hiqet. Kur e kam takuar më vonë, në formë autokritike më tha: Kam bërë gabim, por duhet ta kuptosh që edhe ne vetë vuanim nga autocensura”. Ishte një skenë e bukur që lidhej me ndërhyrjet, për konkursin e Andon Ledhit.

———————-

Lexo edhe:

RRËFIMI I MARGARITA XHEPËS: JA SI ISHTE TË MERRESHE ME ART NË KOMUNIZËM…

ObserverKult