Bujar Qamili: Rruga ime në muzikë nuk ishte e shtruar veç me lule…kishte edhe gjemba

Bujar Qamili
Bujar Qamili

Gati pesë dekada në skenën muzikore, këngëtar me një zë të veçantë, këngëtar që kudo që këndon në Shqipëri, Kosovë apo mbarë botën ku ka shqiptarë pritet me adhurim.
Bujar Qamili rrëfen për ObserverKult pjesë nga rrugëtimi i tij profesional.

Intervistoi Lindita Canolli-Fejzullahi /ObserverKult

Jeni nga Shkodra që njihet si djepi i kulturës. Si ka ndikuar kultura, qytetaria, tradita e qytetit tuaj në formimin artistik?

Bujar Qamili: Ka ndikuar shumë sepse Shkodra është një nga qytetet e njohura shqiptare që ka traditën, ka kulturën. Por nga Shkodra nuk kanë dalë vetëm njerëz që kanë dhënë për kulturën, por edhe të tillë që kanë dhënë për sportin. Kështu që Shkodra është burim frymëzimi për të gjithë artistët shqiptarë kudo që janë. Tradita në këtë qytet ka qenë gjithmonë e mirë.

Unë e ndjek traditën e këngëtarëve të mëdhenj si Bik Ndoja, Shyqeri Alushi, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, Ibrahim Tukiqi, e të tjerë, e të tjerë. Ky qytet ka ndikuar shumë në formimin tim si këngëtar. Mua Shkodra më ka dhënë shumë, kam fituar shumë e ajo që është më kryesorja, kulturën e të kënduarit.

Sikur mos të kishit lindur në Shkodër, a mendoni se do të bëheshit këngëtar?

Bujar Qamili: Edhe në qytet tjetër po të kisha lindur, kur zoti e ka shkruajtur të kem talent dhe të ma falë zërin atëherë kudo që të isha do të bëhesha këngëtar. Por, nëse jo këngëtar, atëhere do të bëhesha futbollist.

Sa aromë Shkodre u jepni këngëve tuaja, edhe atyre joshkodrane pra?

Bujar Qamili: Këngët shkodrane kanë aromën e vet sepse janë këngë të bukura, këngë që njihen nga gjithë shqiptarët në mbarë botën sidomos këngët shkodrane që kanë përmbajtje aromë Shkodre, siç është kënga:

“ Në gëzime unë ju ardhsha, qejfi bahet me shkodranë,
aromë Shkodre moj ta marrsha me erën tënde kënaqe dynjanë.

Pra, Shkodra njihet për këngët me aromë Shkodre.

Për herë të parë keni dalë në skenë diku në vitin 1974-75. Kaq shumë vite deri tash në prehër të muzikës. Si ishte ky rrugëtim i juaji, ‘rrugë e shtruar me lule’ apo me ‘gjemba’?

Bujar Qamili: Po kam nisur këtë rrugëtim në vitet 1974/75, pra ka shumë vite që jam në skenë, po më bahen gati 48 vite dhe kjo nuk është gjë e vogël. Kot nuk kanë thënë se është më vështirë me mbajt sesa me fitu, por rrugëtimi im ka qenë shumë i vështirë.

Kjo, sepse ne kemi dalë me një kohë shumë të vështirë që ka pasur një cenzurë tepër të madhe për neve këngëtarëve dhe që nuk dilnim kot, por ata i jepnin të drejtën që të dilte këngëtari me të gjitha virtytet.

Rruga ime në muzikë nuk ka qenë krejt me lule por edhe me gjemba. Por, kam arrit t’i kaloj këta gjemba dhe kam fluturuar mes luleve.

Cilat momente kanë lënë gjurmë në karrierën tuaj muzikore, përgjatë viteve?

Bujar Qamili: Unë kam një jetë të gjatë muzikore, siç e thash edhe më herët rreth 48 vite në skenë. Kështu që kam marrë pjesë në festivale të këngës popullore siç ka qenë Mbrëmja e muzikës popullore, Festivali i interpretuesve të këngës popullore qytetare në RTSH. Karriera ime do të thotë ka qenë e pasur gjatë tërë këtyre viteve. Unë nuk kam pushuar absolutisht asnjëherë.

A ka patur ndonjë rast që keni dashur të hiqni dorë nga muzika?

Bujar Qamili: Nuk kam pasur asnjë rast që të them se do të heq dorë nga muzika, sepse unë u linda me të, u rrita me të dhe vazhdoj të jetoj me të. Muzika për mua është gjithçka.

A keni patur idol, a jeni munduar të merrni ndonjë element të të kënduarit, apo çfarëdoqoftë, nga ndonjë këngëtar , qoftë edhe në fillimet tuaja? A keni dashur t’i ngjanit dikujt? Apo a lakmonit ndonjë?

Bujar Qamili: Unë kam filluar karrierën shumë herët dhe në fillet e mia kam filluar me estradën profesioniste të Shkodrës, kam pasur dy këngëtarë të mëdhenj aty si Bik Ndoja dhe Shyqeri Alushi. Kam mësuar shumë prej tyre sidomos për mënyrën e zgjedhjes së repertorit të këngëve popullore qytetare shkodrane që për mua ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm. Nuk kam pasur mundësi t’i ngjajë absolutisht asnjërit sepse Shyqeriu kishte një vokal tjetër derisa Biku kishte vokal të paarritshëm.

Keni rrëmbyer shumë çmime si Çmim i parë në Festivalin e Këngës Shkodrane, çmim të parë tek “Maratona e Këngës Popullore Shqiptare”, çmim të parë tek “Festivali Mbarëkombëtar i Këngës Popullore Shqiptare” në Elbasan e të tjera çmime të shumta…Ndërsa për kontributin e dhënë në muzikë, keni marrë titullin e lartë, “Këngëtar i Urdhërit, Naim Frashëri i Artë”. Çfarë thonë ato çmime për ju?

Bujar Qamili: Unë kam marrë pjesë në shumë evente e festivale, mbramjen e muzikës popullore ku kam marrë çmimin e dytë, Maratona e këngës popullore shqiptare çmimin e parë, Festivali ndërkombëtar në Elbasan çmimin e parë, tek koncerti i organizuar nga Radio Televizioni Shqiptar si këngëtari më i arritur i festivalit, pastaj nga Bashkia e Shkodrës si “qytetar nderi i Shkodrës”, kam fituar po ashtu “çmimin këngëtari i urdhërave Naim frashëri i artë”…e shumë e shumë çmime të tjera.

Jam dekoruar nga presidenti i vendit me titull “Urdhër i lartë”, “mjeshtër i madh” dhe së fundi me titullin më të lartë në saje të spektatorit shkodran dhe publikut ‘Nderi i kombit’. Këto çmime janë vlerësim dhe motivim për të vazhduar më tutje.

Këngëtari, artisti në Shqipëri. Çfarë statusi ka?

Bujar Qamili: Në përgjithësi këngëtarët që e kanë një emër ose ‘VIP’ nuk kanë ndonjë status të veçantë por ajo që është më kryesorja është se shteti këngëtarëve me titujt “Mjeshtër i madh” apo “nder i kombit” i jep një pension shumë të këndshëm. Unë nuk kam ndonjë status. Statusi më i mirë i joni është që na don populli.

A keni menduar ndonjëherë të ikni nga Shqipëria, a jeni joshur nga kjo ide?

Bujar Qamili: Unë kam bërë koncerte shumë në gjithë Evropën, por më mirë të them kam dhënë koncerte në katër anët e botës si Itali, Greqi, Slloveni, Danimarkë, SHBA, Australi, e të tjera e të tjera vende.

Nuk kam menduar kurrë, kurrë megjithëse i kam pasur krejta mundësitë të iki nga Shqipëria. Vendi im i preferuar ka qenë Shkodra. Dhe unë Shkodrës i kam kënduar me fjalët më të mira.

“Je e bukur Shkodra jem,
të ka fal zoti mrekullinë,
ke zënë vend në zemrën teme
si një lule plot freski (si e teta mrekulli)”

Cilat këngë i këndoni më me ëndje?

Bujar Qamili: Në përgjithësi këngët e mia janë të bukura dhe njerëzit i duan dhe unë i këndoj me shumë ëndje. Por, në veçanti dëshira ime më e madhe është t’i këndoj këngët popullore shkodrane.

Cilat këngë s’do t’i këndonit kurrë?

Bujar Qamili: Këngët tallava të cilat as nuk di t’i këndoj dhe as nuk i kuptoj.

Cilat këngë dëshironi por, s’mund t’i këndoni?

Bujar Qamili: Po të jetë puna për këngë popullore të çfarëdo lloj krahine që mund të jetë edhe mund t’ia dalë. Por nuk mund t’ia dalë nëse është ta zëmë ndonjë operetë …atë jo. Por që e pëlqej edhe atë lloj zhanri dhe kam dëshirë ta dëgjoj.

Sa jeni prezent në rrjetet sociale, a komunikoni me fansa, sa ndikon perceptimi i publikut tek ju, deri në çfarë mase?

Bujar Qamili: Komunikoj me fansat e mi. Kjo edhe ata i bën të lumtur, i bën të lumtur që komunikojnë me mua. Por komunikoj me ta deri me një farë mase.

Çka do t’ju thoshit të rinjve që do të kishin dëshirë t’i hynin muzikës. A do të kishit patur ndonjë mesazh jetësor për ta?

Bujar Qamili: Të rinjve do u thosha vetëm diçka: Nëse duan të bëhen këngëtar, fillimisht duhet të këndojnë këngët e qytetit, vendit të tyre. Sepse ky popull ka dëshirë këngë të veta të dëgjoj, pra këngë shqiptare. Ju uroj këngëtarëve të rinj të zhanrit popullor t’i këndojnë këngët e vendit të tyre. Nëse nisin kështu do të bëhen dikushi, do të bëhen këngëtarë në të ardhmen dhe kënga popullore do të vazhdoj brez pas brezi. /ObserverKult


Bujar Qamili
Bujar Qamili

Lexo edhe:

BUJAR QAMILI KUJTON MOMENTIN MË TË RËNDËSISHËM TË VITIT 2022: “E PRITA ME LOT GËZIMI…”

Këngëtari Bujar Qamili  ka kujtuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan një nga momentet më të rëndësishme për të në vitin që lamë pas, pikërisht dekorimin e tij nga Presidenti me titullin “Nder i Kombit”.

Ai është shprehur se ky moment ka qenë aq i veçantë për të saqë i kanë dalë edhe lot gëzimi.

Si e kujton si moment?

Bujar Qamili: Unë tani në momentin që më morën në telefon nga Presidenca dhe më thanë që zoti Qamili, Presidenti i Republikës sapo firmosi dekretin për të dhënë titullin…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


Fernando Pessoa
Foto: Apic/APIC

FERNANDO PESSOA: TË GJITHA LETRAT E DASHURISË JANË QESHARAKE

Të gjitha letrat e dashurisë janë
qesharake.
Nuk do të ishin letra dashurie nëse s’do të ishin
qesharake.

Edhe unë n’kohën time kam shkruar letra dashurie,
njëjtë si të tjerët,
qesharake.

Letrat e dashurisë, nëse ka dashuri,
duhet të jenë
qesharake.

Por, në fund të fundit,
veç ato krijesa që s’kanë shkruar kurrë
letra dashurie,
janë tamam qesharake.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult