Ky dossier është përgatitur përmes intervistave që ish-drejtuesit madhorë të ushtrisë shqiptarë të para viteve ’90, kanë dhënë ekskluzivisht për gazetarin Leonard Veizi.
Flasin: Kostaq Karoli, Bajram Mane, Thoma Lakra, Hetem Halili e Agustin Gjinaj: “Betonizimi për rast lufte. Në terren jo më shumë se 170 mijë qendra të fortifikuara”.
Tanimë nga lufta frontale frikë më nuk kemi. Armiqve të djeshëm u blejmë mallra konsumi me para në dorë.
Nga armatimi i tepërt po zhvishemi çdo ditë. Numri i ushtarëve me pagese nuk e kalon organikën e dy brigadave të djeshme të këmbësorisë, bashkë me gjithë rezervistët. Por në vitet ’80, “tabloja sinoptike” ishte krejt ndryshe.
Shqiptarët derdhën shumë djersë dhe gjak. Edhe për t’u armatosur deri në dhëmbë e për të ngritur kupolat kundër bombardimeve armike…
…Duke rrëzuar shifrën e 700 mijë bunkerëve, që fillimisht u besua se ishin ngritur në Shqipëri me një të rënë të lapsit, e për ta reduktuar atë në të paktën 170 mijë të tillë, duhet të themi dhe një tjetër të vërtetë. Jo gjithçka është bërë më paratë e “taksapaguesve” vendas. “Fondi për kanalin ushtarak” nuk ka qenë një shpikje kineze. Ishte një kanal ku derdheshin para nga kontributi i shtetit kinez, për fuqizimin e ushtrisë shqiptare. Në këtë kuadër dhe për ngritjen e fortifikimit.
Shkurt, Shqipëria nuk ka pasur ndonjë humbje të konsiderueshme nga thesari i shtetit për këtë çështje. Për më tepër nuk kishte këllqe të ndërtonte hidrocentrale e bunkerë njëkohësisht.
Ja çfarë thonë në dëshmitë e tyre, lidhur me këtë çështje, disa nga oficerët madhorë të ushtrisë shqiptare:
Kostaq Karoli – Gjeneralmajor, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
Për fortifikimet çimento dhe hekur nga Kina
Fortifikimi ka qenë, veçanërisht pas viteve ’92, një problem që është përfolur shumë. Pas viteve ‘70, në shtetet kryesore, puna e gjerë kërkimore shkencore në fushën ushtarake, e zhvilluar për një kohë të gjatë, po jepte rezultatet e saj.
Me hapa të shpejta po rinovohej teknika e aviacionit. Teknika e flotës, tankeve e transportuesve të blinduar. Helikopteri po bëhej pjesë e pandarë e çdo luftimi. Konsiderohej “tanku i ajrit”.
Raketat e llojeve të ndryshme po bëheshin pjesë organike e reparteve dhe njësive. Po ndryshonin në mënyrë rrënjësore mjetet e drejtimit dhe të luftës elektronike.
Po rritej fuqia e zjarrit të artilerisë tokësore, larghedhja dhe shpejtësia e hapjes dhe drejtimit të zjarrit. Të gjitha këto, për shkak të pamundësisë apo të kostos financiare që kishte blerja e teknikave të reja, si dhe nisur nga qëllimi për të mbrojtur vendin, çuan midis të tjerave në rrugën e fortifikimit.
“Luftën e Ftohtë”, nuk e shpikëm ne. Por ne paguanim pasojat e saj. Do t’i referohem shkurtimisht studiuesit amerikan T.N.Dupoi.
Në librin e tij “Historia dhe Teoria e Luftës” ai në lidhje me fortifikimin, në faqen 20-21, shkruan: “Shanset e mbrojtjes për fitore, janë në përpjesëtim të drejtë me shkallën e fortifikimit…Kurrë ndonjëherë gjatë tërë historisë nuk është dobësuar mbrojtja nga prania e fortifikimit…veprat mbrojtëse gjithmonë e rrisim fuqinë luftarake.
Më e pakta që mund të bëjnë fortifikimet është të vonojë një mësymës. Ti rritin atij humbjet… …Në rastin më të mirë, fortifikimet do të mundësojnë mbrojtësin t’i shkaktojë disfatë mësymësit”. Dhe kur në këto fortifikata, siç ka dhënë dikur baroni Von Kinser: “Ka burra trima me zemër luani si shqiptarët”, kuptohet sesa të fuqishme bëheshin vijat e mbrojtjes.
Është spekuluar shumë me shifrën e qendrave të zjarrit. Ka pasur deklarata kundërshtuese ku një herë thuhej për 700 mijë bunkerë e një herë për 360 mijë. Por e vërteta është se ato ishin gjithsesi 176 mijë copë.
Në fakt ai nuk do të ishte i plotë në qoftë se nuk do të përmendnim sistemin e strehimeve për mbrojtjen e popullsisë, sistemin e vendkomandave, i cili është ndërtuar i gjithi nën tokë, baza ajrore e Gjadrit dhe bazat detare të ndërtuara në Shëngjin e Palermo, të cilat janë vepra madhore e të rralla në llojin e tyre, sistemi i ndërlidhjes telefonike i cili është i groposur i gjithi nën tokë, etj..
I gjithë ky sistem fortifikimesh u bë me mundit, djersën e gjakun e oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarakëve, me një kosto minimale të domosdoshme.
Duhet ditur se një pjesë e shpenzimeve, që shkonin në Porto-Palermo, vinin nga Kina në formë çimentoje dhe betoni. Por me ndihmën e Kinës u ndërtuan dhe objekte të tjera të fortifikuara.
Bajram Mane-ish zv/ministër i mbrojtjes
Fortifikimi na konsumoi shumë energji
Fortifikimi i teatrit të veprimeve luftarake në front e në thellësi thithi shumë punë e energji të popullit dhe ushtrisë. Për kushtet e asaj kohe, ai ishte më se i domosdoshëm. Fortifikimi filloi të merrej seriozisht në konsideratë dhe u hapi probleme të mëdha ushtrive të vendeve fqinj.
Është thënë edhe nga specialistë të tjerë ushtarakë, por po e cilësoi edhe unë, që fortifikim i strategëve ushtarakë shqiptarë ishte i pakrahasueshëm në tërësinë e tij me asnjë fortifikim tjetër në botë dhe nuk ka se si të mos merrej parasysh nga armiqtë tanë të mundshëm të asaj kohe.
Struktura organizative dhe gatishmëria luftarake ishte në kulm. Të gjitha gjërat ishin në funksion të njëra-tjetrës.
Asgjë nuk neglizhohej. Në teorinë ushtarake, por dhe në praktikë, zuri vend si asnjëherë tjetër lufta kundër desantit ajror, si rrezik potencial që mund t’i vinte Shqipërisë nga forcat e NATO-s dhe sidomos të Traktatit të Varshavës.
Në kushtet kur fortifikimi në Frontin Tokësor e bregdetar ishte mjaft cilësor dhe nuk lejonte hapësira dhe paraqiste vështirësi për t’u çarë, nxori si domosdoshmëri para ushtarakëve të Shtabit të Përgjithshëm se duheshin marrë të gjitha masat tekniko-organizative për të përballuar një sulm eventual nga ajri.
Mane: Fortifikimi e arriti qëllimin
“Si specialist ushtarak, edhe në këtë dimension të ri, unë mendoj se iu arrit qëllimit. Zonat e desantimit masiv u fortifikuan, u vendos artileria e gatshme në objekte tepër të fortifikuara në kodrat përreth, duke hedhur në hartat e kuadratuara çdo të dhënë, me qëllim që në momentin e duhur të mos humbisje kohë, por vetëm të hapje zjarr. Artileria kundërajrore u vendos e studiuar dhe mbulonte me zjarr kundërajror jo vetëm njëra- tjetrën, por edhe me shtresa.
Në të gjitha kanalet vaditës dhe kullues u hapën pikat e kalimit të tankeve, të cilat diheshin dhe ruheshin vetëm nga tankistët.
U gjetën mënyra dhe forca që brenda 20-30 minutash të bëhej bllokimi i desantit ajror dhe më pas asgjësimi i tij.
Në çdo mal që kishte një fushë, në rrafshin e tij u vendosën forca të gatshme, të ashtuquajtura kompanitë e këmbësorisë kundërajrore me mjetet e nevojshme, për të mos lejuar uljen e helikopterëve të ushtrive te huaja”.
Hetem Halili-ish komisari i korpusit të 7-të të Burrelit
Kinezët, një llogari të veçantë për bunkerët e Shqipërisë
Në Shqipëri, nevoja e fortifikimit rridhte nga kushtet tona të veçanta. Çdo kundërshtar i yni kishte supermaci në njerëz, në armatim në aviacion.
Mirëpo lufta bëhet për të asgjësuar forcat e gjalla. Ne na duhet t’i ruanin forcat dhe armatimin dhe e vetmja rrugë ishte fortifikimi. Por mos mendoni se fortifikimi u bë vetëm me paratë nga buxheti i Qeverisë Shqiptare.
Fondet të mëdha për ndërtimin e qendrave të zjarrit e jepeshin nga shteti kinez. Bëheshin kërkesa nga ana e palës shqiptare dhe në kuadrin e miqësisë që kishim, ata lëvronin fonde. Por interes të veçantë për këtë sistem mbrojtje kishte dhe vetë Kina.
Nuk ishte pak që në ato vite ajo të kishe një vend mik e aleat në Evropë, nga ku i duhej të të mbronte dhe të çonte interesat e veta në këtë rajon.
Fondi i lëvruar nga Kina kishte një emërtim të veçantë: “Fondi për kanalin ushtarak”. Dhe ato që ishin të përcaktuara për fortifikim, beton-arme do të bëheshin.
Nuk kishte si ndodhte ndryshe. Pra ishte i detyruar të mos përdoreshin për gjëra të tjera. Dhe nëse sinjalizohej se më paratë e këtij fondi do të ndërtoheshin apartamente banimi, pallate siç thuhet sot, ato ndërpriteshin menjëherë.
Halili: Përvoja botërore, tre vijat e fortifikuara
Në botë njihen disa lloje fortifikimesh që janë vënë në përdorim dhe që kanë pasur sukses.
E para vijë e fortifikuar dhe shumë e njohur është vija “Mazhino”. Ajo u ndërtua në Francë për të përballuar trupat gjermane në Luftën e Parë Botërore.
Sot mbase nuk duket një vijë shumë e fortifikuar, por edhe në Luftën e Dytë Botërore, Adolf Hitleri e anashkaloi vijën “Mazhino”, sepse iu duk aventurë të merrte këtë brez të mbrojtur.
Më pas vjen “Monerheim” në kufirin Ruso-Finlandez. Emri i saj është vënë për nder të iniciuesit të saj ministri i Mbrojtjes së Finlandës së atyre viteve (Carl Gustaf Emil Mannerheim). Vija e tretë e fortifikuar që njihet është vija “Zigfrid”.
Ajo është ndërtuar nga gjermanët në Karpate, (Rumani) gjatë Luftës së Dytë Botërore me një thellësi 8-12 kilometra.
Kjo bëri që rusët, në vend të një batalioni të fusnin 2 divizione. Pra u shpenzuar gjithë ato forca e mjete për të marrë një vijë të fortifikuar si ajo me emrin “Zigfrid”.
Thoma Lakra – ish-komisari i divizionit të xhenios
Nga Kina dollarë për Gjadrin e Porto Palermon
Filluan reforma të mëdha në ushtri si fortifikimi i brezave të mbrojtjes me qendra zjarri. Pozicione zjarr-artileri, fortifikimi i zonave të mundshme të dekantimit ajror etj.. Vlen të përmendet që tërë procesi i projektimit, prodhimit dhe montimit të mbi 100 mijë qendrave zjarri u bë për afro 4-5 vjet, (1975-1980).
U bënë njëkohësisht qendrat e zjarrit të montuara me kërkesën e Mehmet Shehut, të cilat iu nënshtruan eksperimentimit me qitje direkt me të gjithë kalibrat e armëve, ku u nxorën konkluzionet dhe reflektime në projektimin dhe prodhimin e tyre.
Në Shqipëri u prodhuan dhe u montuan rreth 100 mijë qendra zjarri.
Vitet me intensitet më të lartë kanë qenë 1976, 1977, 1978, 1979, 1980. Fortifikimi i vendit u krye sipas motos “Investimet në fortifikim janë më rentabilet” ose “Sa më shumë djersë në Fortifikim në parqe, aq më pak gjak në luftë”.
Sipas koncepteve të kohës, fortifikimi ishte i nevojshëm, por në zbatimin praktik, u bënë edhe gabime, duke bërë vendosjen e qendrave të zjarrit në terren fushor, ose në terrene të kalueshme nga teknika dhe mjetet e montimit.
Lakra: Porosia e Mehmet Shehut
Me porosi të Mehmet Shehu, që në fillim të vitit 1975 është bashkëpunuar midis ushtrisë dhe Ministrisë së Ndërtimit për të punuar që në fazën e projektimit për lënien e vendeve për Minimin e Urave në rast lufte.
Po kështu që në atë kohë ka studime në Ministrinë e Mbrojtjes për efektet negative nga përmbajtja, si rezultat i hapjes së portave të hidrocentraleve apo në rast të çarjes së digës së Vaut të Dejës, pasi në atë kohë ishte në shfrytëzim vetëm hidrocentrali i Vaut të Dejës.
Vlen të theksohet se të gjitha këto vepra ndërtimore ishin projektuar e ndërtuar nga inxhinierët shqiptarë me fuqi punëtore kryesisht ushtarë.
Ushtria u bë me plot kuptimin e fjalës shkollë edhe për përgatitjen e specialistëve të tillë si muratorë, karpentierë, hekurkthyes, minatorë, zjarrmëtar, saldator, mekanik etj, të cilët mbas mbarimit të ushtrisë ushtruan në profesionet e mësuara në Ushtri.
Shumë nga ndërtimet fortifikuese u bënë me fondet e Kinës, sidomos kur flitej për për objekte të mëdha që ishin të nënshkruara në kontratë. Kështu u financua baza e Porto Palermos dhe ajo e Gjadrit.
Ndërtimi i tunelit të Gjadrit u financua i plotë, ndërsa Porto Palermo përgjysme pasi për shkak të prishjes së marrdhënieve nuk u arrit të përfundohej i gjithë kapaciteti i punimeve.
Divizioni i Xhenios
Njësia që ndërtoi fortifikatat
-Aerodromi i Gjadrit, i tunelizuar
-Baza e Shëngjinit, e tunelizuar
-Baza e Porto Palermos, e tunelizuar
-Uzina e Poliçanit, e tunelizuar
-Bazës Ajrore e Kuçovës, e tunelizuar
-Tunelet për magazinimin e armëve dhe municionit në Vermosh, Gjerbës, Qafë-Shtamë etj
-Ndërtimi i Radiostacioneve për kohë lufte, në Bizë, Livadhe, Pukë, Teqe e Dushkut, Gramsh etj.
Agustin Gjinaj – ish ushtarak i Forcave Ajrore
Baza e Gjadrit u ndërtua me fondet e “kanalit ushtarak”
“Baza Ajrore e Gjadrit është ndërtuar pas pesë vitesh punë të xhenierëve, të mijëra punëtorëve nga Shkodra, Lezha e rrethinat e tyre, si dhe e mjaft specialistëve nga i gjithë vendi. Aerodromi, i ndërtuar me cilësi të lartë, sipas kërkesave skrupuloze të xhenierëve tanë e specialistëve kinezë, u bë me dimensione bashkëkohore e me të gjithë infrastrukturën e nevojshme.
Regjimenti i Xhenios ndihmoi aty me rreth 2000 forca, oficerë, ushtarë e civilë, duke punuar me turne.
Ata punuan për disa vite, rreth dymbëdhjetë orë në ditë. Efektivi komandohej nga ushtarakë të shquar të Regjimentit të Xhenios si: Lele Godo, Rexhep Hoxha, Mërkur Çarçani, kryeinxhinieri Kristaq Luarasi, etj. Në Bazën e Gjadrit u dislokuan 11 avionë MIG-21, dy skuadrilje me 24 MIG-19 dhe 6 UTI MIG-17 dyvendësh për trenerimin e pilotëve.
Mbajtja e kësaj Baze ishte tepër i shtrenjtë. Fondet e shpenzimeve në periudhën e ndërtimit kalonin nëpërmjet një kanali të veçantë që në atë kohë quhej “kanali ushtarak”.
Kanali ushtarak kishte fonde nga Republika Popullore e Kinës. Shpenzimet e kryera për ndërtimin e kësaj Baze kanë qenë të përafërta me ato të ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës”.
Gjinaj: Kryeministri, ideatori i bunkerëve
Ideatori i këtij fortifikimi ishte kryeministri, Mehmet Shehu. Fillimisht u vu në krye të studimit për sistemin fortifikues bashkë me një grup ushtarakësh dhe inxhinierësh të talentuar. Ishte ai që projektoi fortifikimin dhe që organizoi provat e para ushtarake për të parë rezistencën e tyre.
Fortifikimi Shqiptar, doli sipas studimeve të të gjithë fortifikimeve që ekzistonin në botë duke përfshire këtu edhe vijat e famshme “Mazhino”dhe “Monerheim”, por edhe sipas eksperiencës të luftës në Vietnam, duke u gërshetuar me kushtet dhe doktrinën e ushtrisë shqiptare./(fjala.al)
ObserverKult
————————————————————————————
Lexo edhe:
ÇIFTI QË PËRJETOI TMERRIN NË DIKTATURË RRËFEJNË PËR DASHURINË “E VONUAR” DHE VUAJTJET E TYRE…
Një foto e munguar në kohën e martesës e çiftit që përjetoi tmerrin në dikataturë, u realizua kur ata ishin 70 e ca vjeçarë. Dy intelektualë nga familje që janë të dëgjuara për kontributin e tyre, por edhe për përndjekjet gjatë diktaturës. Një burrë e një grua, që pavarësisht vuajtjeve, nuk hoqën dorë nga vlerat e familjeve të tyre…
Nga: Namik Mehmeti
Me familjen Sokoli kishim një miqësi të hershme e në veçanti me Ibrahimin. Babai im, Et’hem Rrema (Mehmeti) kishte qenë në burgun e Shkodrës me intelektualin që kishte studiuar për drejtësi në Beograd.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult