Pyetësorit të Prustit i përgjigjet aktorja Sheqerie Buqaj.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Kur je shëndosh, mendërisht, shpirtërisht e fizikisht, ke nje person qe e do dhe një familje që e do, punë që e bën me pasion, kur je e rrethuar me njerëz që buzëqeshin, kur jeton me natyrën dhe ndjen pulsin e saj, kur e shijon çdo sekondë frymën që merr dhe je falenderuese që jeton.
Cila është frika juaj më e madhe?
Frika ime më e madhe është, kur mendoj se mund të përjetoj humbjen e ndonjërit prej njerëzve që i dua pafundësisht dhe nuk e dij si do ta përballoja këtë.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Aktorin Daniell Day- Levis.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Nëna Terezë.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Kthimi në të kaluarën.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Hipokrizia, josinqeriteti, kur njerëzit tjetër flasin kur je me ta e sapo ta kthejnë shpinën flasin zi e terr për ty .
Në cilat gjëra e teproni?
Me modesti për veten shpesh e teproj, dhe po ashtu me mikëpritje të mysafirëve e teproj po ashtu.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Nëse pasojat e së vërtetës të cilën do ta thoja do të ishin të mëdha dhe si pasojë e kësaj do të pësonte personi që e dua. Në rrethana të këtilla do të zgjedhja ta gënjeja nëse në këtë mënyrë do ta shmangja lëndimin e tij .
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Unë preferoj të mos i ndahem rrugës së artit. Pasioni im për aktrimin mbetet i pashterrshëm derisa të kem frymë.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Fantastike.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
S’e di, ka shumë gjëra që ndoshta nuk do t’i kisha ba, nëse do të kisha pasë kohë më shumë me mendue per to… Ka gjera që më kane marrë kohën të cilen do të kisha dashtë ta kishë shfrytëzue për ndonjë rol plus në skenë.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Bashkëshorti im dhe dy vajzat e mia të mrekullueshme, të cilat më mbushin me dashuri çdo dite.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E çudishtme, por paqësore .
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Te isha më pak e ndijshme.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Mendoj se ende jam ne proces per të arriturën time më të madhe.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
T’i ktheja në jetëe disa njerëz të dashur të mi që nuk janë më në mesin tonë.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Njeri me krah, që nuk varet nga ushqimi dhe shumë punë të kota që duhet t’i bëjmë për të ekzistuar, do të kisha dashur të kisha një jetë tërësisht spirituale.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Modestia dhe mirësia.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Krekosjen dhe injorancën.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Itali ose Amerikë.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Intelektin dhe modestinë.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
Shpirtin dhe sinqeritetin.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Markezi.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Fëmijet e mi, të cilët i shoh çdo ditë si rriten dhe më motivojnë më shumë për jetë. Te fëmijët ndjej dorën e Zotit e cila humbë sa me shume që ata rriten….
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Do të doja të dija me i ra violonçelos …
Si do të dëshironit të vdisnit?
Duke ndenjur nën hije të një peme, duke dëgjuar cicërrimën e zogjëve.
Cila është motoja juaj?
Dashuri dhe punë./ObserverKult