Buqetë me poezi të Abdullah Konushevcit: Dashni dhe vdekje

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poetik të Abdullah Konushevcit.

TESTAMENT

Kur të mbërrish në fund të udhës
Mos ki frikë
Nuk është fundi
Është fillimi që vjen vrik

Kur të mbërrish në fund të udhës
Bëje vdekjen
Si të duash vetë
Nëse jetën në grusht ta mbanin
Në të samës të gjithë
Tash që u bëre mbret

Kur të mbërrish në fund të udhës
I ke dalë jetës në krye
Mos e kthe më kokën mbrapa
Dheu nuk ha më arsye

Kur të mbërrish në fund të udhës
Një rrugë e re fillon
Ta dish
Që merr dritë në tjetër vis

Kur të mbërrish në fund të udhës
Ashtu i drejtë si një lis
Do të klithin do të çirren
Tash në fund mos na vdis

Kur të mbërrish në fund të udhës
Dhe të zësh vend lart në qiell
Do të shohësh atje poshtë
Bajga që avullojnë në diell

LETËR FISHTËS


Shtetin e bëmë. Si t’i bëjmë shqiptarët?

Në Prishtinë
Ka pak shqiptarë
Shqiptare edhe më pak
Mësuesi im
Në Prishtinë
Ka shumë turq
Dhe një grusht llatinë

Imzot Nik Prela
Vdiq moti
Adem Jashari
Gati u harrua

Kakërdhi minjsh
Bajga buallicash
Kuturbon qyteti

Po të shkruaj
I teshur nga veremi
Mushkëritë m’i kanë grirë
M’i kanë bërë copë-copë

Në Prishtinë
Ka pak shqiptarë
Shqiptare edhe më pak
Mësuesi im
Sa janë bjeshkët tona
Nuk po plasin dhimbe
Atme e Fe s’po i vjerr kush në pe

ELEGJI NË RE-MINORE


Asasit janë të qimë nane
As më vrasin
As më lënë të gjallë
Merka i ka si fëmijët e vet

Gugatje pëllumbash
Dëgjohen te fqinjët

Edheasit
Po të kishin zemër
Edhe do të më vrisnin
Edhe do të më varrosnin

Krrokamë e një korbi
Vjen rëndë-rëndë nga largësitë
Dhe një sharrë pret pa mëshirë drutë

Oseasit i kam miq për shpirt
Më shohin e si nuk plasin

Është kjo këngë jona e mjellmës
Që po e këndoj

MUNGESA E LIRISË

Ti ishe
Një mëngjes i freskët
Që lëshonte
Tinguj të kthjellët

Dhe ishe një kopsht i derdhur
Zot sa i derdhur
Me erë me ngjyrë
Mbytje çdo gjë përreth

Nga duart nga yjet
Si nga një libër i hapur
Mund të parathoshe çdo gjë

Si fatthënë e rysur që ishe

Po jepeshe lehtë
Si një kafshë
E lodhur nga ndjekjet
Se në flokë
Në ballë
Në sy
Kudo
Të vihej re
Mungesa e lirisë

PUNOJA BURRIT PAS SHPINËS

Punoja burrit pas shpinës
Dënde me mish e raki
Dhe eja, eja tinëz tek unë

Ti e di ai është një cung
Dhe nuk të do
Oh kurrë nuk të do
Siç të dua unë

Kujdes: shkel lehtas si një pupël
Ti merr krahë sa herë vjen tek unë
Ashtu përvjedhtas si një bukël
Më vërsho siç vërshon një lumë

Kur të kthehesh pa zbardhur mirë dita
E larë në yje e ngjyer në hënë
Ai do të zgjohet i trembur nga drita
Që i morëm dashurisë mbrëmë

Dhe do të të shohë më të bukur se kurrë
Dhe fshehtas do ta dijë ai cung
Se s’të deshi as të virgjër
Sa të desha mbrëmë unë

DASHNI DHE VDEKJE

Së pari
Ke me më hy në zemër
Dhe unë në zemër kam me të hy

Unë s’kam me të dashtë
Unë kam me të ngranë
Çdo ditë nga pak
Dhe ti s’ke m’u sosë
Pa më nisur mua
Me më ngranë copë-copë

Kush s’ka me na besue
Si e hamë kaq shumë
Njëri-tjetrin
Dhe jemi kaq plot

Në fund
Pa dalë nga zemra e njëri-tjetrit
Kemi me ba një mrekulli
Kemi m’u sos duke u djegur
Dhe kemi me mbetë
Yjëz në hapësi

ME BA ME VDEKË PARA MEJE


Me ba me zanë shtratin para meje
Kam me të vra

Mos kujto se kam m’u ba
Shelg vajtues
Për qiell kam m’u lidhë
E një pikë lot s’kam m’e derdhë

Me ba me vdekë para meje
Kam me të ardhë te varri duarthatë
Një fjalë të mirë s’kam me ta thanë

Mos mendo
Se kam m’e kthye dhenë mbrapshtë
Veç me të pa edhe një herë

Me ba me vdekë para meje
Ke m’e marrë botën në qafë
Dhe shpirti vend s’ka me të zanë


LUTJA E FUNDIT


Ç’do të bëjmë tash, e dashur
Tash kur kaluam matanë dashnisë
Nuk e sheh se lodhja vdekja
Më zënë pritë në çdo hap

Ç’do të bëjmë tash, e dashur
Tash që po më murosin të gjallë
Hijet e ethshme për gjak
T’i lus me ma lanë njërin sy
Me të shikue kur ke me ardhë
Veshur në të zeza
T’i lus me ma lanë njërën dorë
Me t’i përkëdhel flokët ngjyrëgruri

Ç’do të bëjmë tash, e dashur
Tash, kur fundi po më afrohet
Si një qen i çartur
Po m’i skërmit dhëmbët

Ç’të bëjmë tash, e dashur
Të bëjmë atë që s’mund të bëhet
Të lutem
Udhë tjetër nuk ka.

_______________________

* Abdullah Konushevci (1958 – 2013), siç do të shprehej albanologu i shquar kanadez Robert Elsie, nuk njihet vetëm si njëri ndër penat më të mprehta kosovare, por edhe për esetë dhe shkrimet e tij për letërsinë dhe gjuhën shqipe.
Krijimtaria letrare Abdullah Konushevcit, veçanërisht poezia, me rizbulimin dhe pleksjen e bukurisë së lashtë me të sotmen, me gjetjen e kodit të mëvetësishëm të formulimit poetik të historisë, të etnopsikologjisë e të dashurisë, me urtinë e kthjelltësinë e vargut dhe me lojën e tij deri në kulmet magjike, me përmasën e re të gjeografisë poetike të etnisë, me shpirtëzimin dhe rikuptimësimin e mitit pellazgjiko – shqiptar, gjeti, në të vërtetë, Fyellin Magjik që e bëri vargun e tij emblematike jo vetëm për brezin e poetëve të viteve tetëdhjetë dhe, mbase, jo vetëm për poezinë shqipe.
Poezitë e tij janë përkthyer anglisht, spanjisht, gjermanisht, rumanisht, sllovenisht, kroatisht, sllovakisht dhe turqisht.

Për veprat e Abdullah Konushevcit kanë shkruar: Sylejman Syla, Xhemail Mustafa, Ibrahim Rugova, Vehap Shita, Hysni Hoxha, Ali Aliu, Abdyl Kadolli, Merxhan Avdyli, Sabri Hamiti, Ramadan Musliu, Rushit Ramabaja, Milazim Krasniqi etj.
Ndërkaq Ali Calderon profesor i letërsisë, poet e përkthyes i poezisë se Konushevcit shprehej se poezia e Konushevcit, në kontrast me atë meksikane, është rreptësisht e shënuar nga çasti i saj historik. Ai ishte laureat i shumë çmimeve kombëtare për letërsinë si dhe autor i disa teksteve shkollore për letërsinë. Ka përkthyer nga gjuha angleze disa prej autorëve të letërsisë botërore, si: Hemingway, Tagore, Ludo Hupperts etj


Veprat:

*“Pasqyrë dhe diell” (poezi,1979);
*“Rënia e mollës” (poezi, 1981) ;
*“Qerrja e diellit”, ( poezi, 1983);
*“Loja e strucit” (poezi, 1987);
*“Të qenët të mosqenë” ( poezi, 1990);
*“Pikat AD” (poezi, 2002);
*“Dashni dhe vdekje” (poezi ,2011);
*“Lutje dashurie” poezi;
*“Gjuha shqipe XI”, (tekst shkollor, 2004, 2009);
*“Demaçi, vepra letrare”, (monografi, 2008);
*“Për poezinë” (artikuj dhe vështrime, 2008);
*“Romani ‘Gjarpinjtë e gjakut’ (artikuj të zgjedhur letrarë, 2011);
*“At Gjergj Fishta” (2011) ;
*“Gjinollët e Prishtinës” (monografi, 2013);
*“Toponomia e Gallapit” (2013) dhe
*“Jetë e dytë” (poezi dhe dramë, 2013)

ObserverKult

Lexo edhe:

BUQETË POETIKE NGA ILIRE ZAJMI: GRUA MOJ, DUAJE FORT TRUPIN TËND!