Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish të poetes italiane Alda Merini!
TË KUJTOJ
Ty
Ty, që kishe dorë gjithkund
e më mashtrove duke ma poshtëruar
universin që i dhashë emrin dashuri
ku mbytem
pa mundur të nxjerrë zë,
të kujtoj
se Zoti
dëgjon më shumë
rënkimet e mia
se atë rojtar pyjesh
Më njohin në qiell…
E DI, E DASHUR
E di, e dashur,
koha nuk është më e mira ndër pasuritë,
koha nuk pyet e nuk kërkon asgjë.
por ndërkohë, në flokët tashmë të bardhë,
të thatë nga etja konfuze,
sikur një adoleshencë e vonë
vazhdon të rritet nëpër gishtërinj
si një llampë shumëngjyrëshe,
kthehet më shtatë, më tetë:
nuk ka kohë të saktë dashnorët
as afërsi të njëjtë gishtash
që kërkohen në njëmijë mënyra
brenda një nate krejt prej qelqi.
E KALUARA IME
Shpesh përsëris nën zë
se duhet jetuar vetëm me kujtime
kur më kanë mbetur vetëm pak ditë.
Ajo që ka shkuar
është si të mos kishte qenë kurrë
E kaluara është si një lak
që i shtërngon gojën mendjes sime
dhe i merr energjinë për të përballuar të tashmen.
E kaluara është vetëm tym
për kë nuk ka jetuar.
Ajo që kam parë tashmë
nuk llogaritet më.
E shkuara dhe e ardhmja
nuk janë realitet, por vetëm iluzione të çastit.
Duhet të çlirohem nga koha
e të jetoj të tashmen përderisa nuk ekziston tjetër
kohë
përveç këtij çasti magjik.
NUK DUA TË TË ZHGËNJEJ TANI
Nuk dua të të zhgënjej tani
por ishte e vërtetë ajo shushatje shurdhe
e boshit,
ato buzë të mallkuara
që kërkonin një puthje.
dhe ato duar që m’i hiqje nga barku
për t’i harkuar qafës tënde:
nuk mund të zgjidhet kurrë dashuria jonë
brenda venës së mbyllur të zonës
që kërkon me ngulm vetëm maninë.
S’DUA TË HARROJ, E DASHUR
S’dua të të harroj, e dashur
as të ndez të tjera poezi:
ja, xixëllonjë e mprehtë prej kopertine
ëmbëlsisht poezia të pyet
mjaftonte një përkëdhelje e kotë
për të rrëkëllyer botën.
Shtriga sekrete që na ka parë
ka rrëmbyer lakuriqësinë e tmerrit,
ajo që i zë të gjithë dashnorët
mbështjellë në krahët e gëzimit.
KTHEHU DASHURI
Kthehu dashuri
velë delikate dhe e lirë
që pushton
mendimin e tokës sime
po vdes mbi madhështinë e një lumi
të kuq prej dëshirës
që do të përmbysë
dashurinë tënde.
E DASHUR, FLUTURO TEK UNË
E dashur,
fluturo tek unë
me aeroplanin prej letre
të fantazisë sime,
me mprehtësinë e ndjenjave të tua.
Do të shohësh si lulëzojnë toka dhe magjia
e unë do të jem kurora e pemës më të lartë
për të të dhënë fresk dhe mbrojtje.
Bëj me krahët e tu
dy krahë engjëlli
e sillmë edhe mua ngapak qetësi
dhe lodrën e grumi.
Por para se të thuash diçka
shihe orën në lulëzim
të shpirtit tim.
Përkëdhelmë, e dashur
por si dielli
që prek ballin e ëmbël të hënës.
Përktheu: Aqif Hysa
‘Shkëputur nga libri me poezi “Lëkura e shpirtit” të Alda Merinit, Beqir Musliu, 2014
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe: