Buqetë poetike nga Ilire Zajmi: Grua moj, duaje fort trupin tënd!

grua moj poezi nga ilire zajmi

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poetik nga shkrimtarja Ilire Zajmi.

TRUP GRUAJE

Duaje trupin tënd grua
është kryevepër arti
që nuk shitet në asnjë ankand të botës
është liria jote e fituar përgjakshëm në fushëbeteja
lufta e paqja e maskuar
burgu yt i përjetshëm
pasion i egër ëndërr burrash e shpupluar
bukuri e latuar Zotash lakmitarë
mallkim varrë dhimbje e plagë.

Grua moj, duaje fort trupin tënd
të bardhë, të zi, të butë, të vrazhdë, të lëmuar
të fortë, të brishtë, të lodhur, të pushuar.

Trupin tënd duaje fort, o grua
është vula jote
identiteti yt
libër dëshirash.

Mbaje mend Grua,
Trupi është dashnori yt i parë dhe i fundit.

HELENË E PANJOHUR

Jam një Helenë e panjohur
Mungesën time s’e vëren askush

Asnjë burrë s’u vra për bukurinë time
E s’mati fuqinë në dyluftim

Trofe lufte a kurban
S’u bë bukuria e trupi im.

Kalë Troje për mua kush nuk sajoi
Për fajin tim s’u dogj asnjë qytet .

Jam një Helenë e panjohur
Që pret ta rrëmbejë ndonjë Parid

Jam një grua e shpërfillur
Helenë e panjohur midis jush.

TË HUMBESH NË VENEDIK

Është e pamundur të mos humbesh bile njëherë në Venedik,
na tha një vendas
kur e pyetëm për rrugicën e ngushtë të hotelit amore mio
heshtëm të magjepsur në atë çast përjetësie
në strehën e të gjithë dashnorëve të botës
ku gjithçka tingëllon e largët dhe e parëndësishme
të sjell fat të humbesh në Venedik
na tha një vendas
në të vetmin qytet të botës
ku njeriut do i pëlqente të vdiste nga Dashuria.

HARRESA

Harresa është reuma e shpirtit
Burgosje e së shkuarës me shtatë palë dry
Alzajmer i një jete të falur
Gabime të përsëritura që dhëmbin më fort se plagët e Gjergjit
Harresa është vdekje e hershme.
Serum i mendjes. Tradhëti tinzare.
Dashuri në kohërat e kolerës
Harresa është helmi i të gjallëve. Psalm i të vdekurve

NJË MËNGJES

Dashurinë s’lashë vend pa e kërkuar
Hapa dyert dritaret
brodha rrugëve pa emra
Bleva lule mimozë t’i dhurojë
nëse e takoja të fshehur në ndonjë skutë qyteti
I shkrova letra të zjarrta dashurie
E pyeta ku banonte pse frikësohej
E kërcënova se për fajin e saj do vras veten
Verë të kuqe piva e ndeza qirinj erëmues
Dashurisë zemërgur t’i njomej shpirti
të gjente rrugën deri te unë
E grisha sa e sa herë të vinte.
Natën ditën, shtatë ditë të javës, dymbëdhjetë muaj të vitit
E asaj si binte ndërmend për mua.

Mbylla dyer e dritare
Në kështjellën e vetmisë ndryva zemrën me frengji
Lule u vyshkën letrën e dashurisë e grisa
Qirinj s’ndeza natën, derdha verën
Se prita më asnjëherë asnjë çast, asnjë orë, asnjë ditë
Vetes i thashë dorëzohu pa kushte s’është për ty Dashuria.

Një mëngjes të buzëqeshur me diell
Dashuria erdhi padukshëm në strehën time
U ul këmbëkryq si një fëmijë kryeneç
E nuk iku më kurrë.

GJITHÇKA

Gjithçka qё më vret
mё bёnё tё ndihem e gjallё
syrin veshin duart buzët mendjen
në sy shkёlqimi i asaj që kam parë
në vesh zёrat që kam dëgjuar
në duar çdo gjë që kam prekur
në buzë puthjet e shijuara
nё trup ёmbёlsia e dyzimit
në mendje gjithçka që kam jetuar

Bëhem e gjallë përditë
me gjithçka që më vret.

ObserverKult

__________________________

Lexo edhe:

ILIRE ZAJMI: VJESHTA ËSHTË GRUA
ILIRE ZAJMI: RREGULLAT E LOJËS