Buqetë poetike nga Ismail Syla: Kalendari hermetik

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Ismail Syla

AKULLIM

(21 dhjetor – 20 janar – muaji i bardhësisë së ashpër,
ku koha ndizet si qiri i vogël në një katedrale akulli.)

Qielli fle i ngrirë mbi supet e botës,
yjet janë thërrime kripe në errësirën e bardhë.

Era fishkëllen si violinë prej akulli,
e çdo frymë kthehet në lule bore mbi buzë.

Trupi mbështillet me heshtje,
zemra rreh si zog i vogël në kthetra të ftohtit.

THYERIM

(21 janar, 20 shkurt – muaji i hijeve të prera,
kur nga çarja e botës del kënga e re.)

Mbi tokë shtrihet një pasqyrë e krisur,
ku qielli sheh fytyrën e vet të copëtuar.

Retë janë copa xhami që bien,
dhe dielli ngjitet me gjak në dritare të thyera.

Në duar dridhet një filiz,
një gjeth i gjelbër si shpresë në thërrime.

RRËNJËZIM

(21 shkurt- 20 mars – muaji i mbjelljes së shpirtit,
kur drita rritet brenda tokës përpara se të lindë mbi të.)

Toka merr frymë në heshtje,
thellësitë e saj janë gjoks i fshehtë i gjallërisë.

Rrënjët pinë erresirë të lagësht,
ujë i fshehur rrjedh si damar i padukshëm.

Nga terri nisen gjethërat,
sythet rrinë pezull si ëndrra që mezi hapin sytë.

SHKULMIM

(21 mars – 20 prill – muaji i shpërthimit,
kur gjithçka kërkon të dalë jashtë, ku
edhe zemra rritet si filiz i çmendur në kraharor.)

Qielli çahet me britmë të gjelbër,
sythet hapin sytë si foshnja drite.

Shiu bie mbi dhé nëpër tela violine
një këngë e hollë zgjon tokën nga gjumi.

Era shpërndan farat si fjalë të pathëna,
dhe bari nxjerr kokë me zë të njomë.

LULNIM

(21 prill – 20 maj – muaji i mbushjes,
kur fryma bëhet aromë dhe jeta lulëzon si kopsht i hapur mbi qiell.)

Dita çel si lule në dritë,
ngjyrat vërshojnë mbi sy si ujëra të bekuara.

Pemët mbajnë kurora të bardha,
era i përkund si nuse të reja.

Zemra e tokës këndon,
dhe çdo hap është tingull harpe mbi bar.

ZGJATIM

(21 maj – 20 qershor – muaji i dritës së gjerë,
kur qielli bëhet udhë dhe koha merr shijen e pafundësisë.)

Dielli hap krahët deri në skaj,
drita rrjedh si lumë i artë mbi fusha.

Orët zgjaten si hije të gjata,
nata tretet ngadalë në kupën e dritës.

Trupi ngrohet si gur i lyer me zjarr,
zemra rreh ritmin e gjatë të ditës së pafund.

DJEGAGUR

(21 qershor – 20 korrik – muaji i flakës së pakthyeshme,
kur dielli merr peng trupin
dhe gjaku bëhet dallgë e skuqur në mish.)

Qielli i rëndë, zbret mbi supet e qytetit,
teksa gjuhët e zjarrit fshihen në gurët e rrugës.

Dielli kafshon ballin,
ora rri pezull,
çdo sekondë pikon djersë të zhuritura.

Zemra rreh si çekan në punishten e vapës,
çdo prekje therje, çdo shikim shkëndijë.

KORRGUSH

(21 korrik – 20 gusht – muaji i ngopjes së tokës,
kur gjithçka rritet drejt thyerjes
dhe qielli vetë rëndon nga pjekuria.)

Fushat rrinë të përkulura nga pesha,
drithërat flasin me gjuhë të verdha në erë.

Frutat piqen ngadalë,
si guximi nën diellin e durimit.

Ora mat kohën me kokrra rrushi,
era mbush duart me peshë aromash.

FRYTIM

(21 gusht – 20 shtator – muaji i shpërblimit të heshtur,
kur gjaku i tokës kthehet në dhuratë
dhe zemra e njeriut ha frutat e vetes.)

Degët ulen si duar që japin
dhe pema flet me gjuhën e frutave.

Toka kthen mundin në ëmbëlsi,
djersa bëhet shije,
durimi – lëng i freskët mbi buzë.

Njerëzit mbledhin dritë të ngurtësuar,
dhe e shijojnë si kujtim të stinës që shuhet.

ZVERDHIM

(21 shtator – 20 tetor – muaji i rënies së butë,
kur drita tretet në ar dhe bota flet me gjuhën e fishkur të fletëve.)

Era shkruan mbi tokë me fletë të verdha,
kopshti tretet në libra prej gjethesh të thara.

Qielli rri pezull si llambë e zbehur,
dielli ka humbur gjakun,
ndez vetëm pluhur ajri mbi fusha.

Në zemër digjet një mall i ëmbël,
si verë e vjetër në kupë balte.

HIJEZIM

(21 tetor – 20 nëntor – muaji i mjegullës së trashë,
kur bota mbyllet në xham të zymtë
dhe hapat humbasin rrugën.)

Mbi qytet bie një vel gri,
mjegulla fshin konturet si dorë që dridhet.

Pylli hesht,
zogjtë janë hije të mbetura në degë të zhveshura.

Ora rreh ngadalë,
çdo tingull bie si gur në ujë të turbullt.

Trupi ndien rëndesë,
zemra shtrëngohet nga frika e paemër.

ERRËSIM

(21 nëntor- 20 dhjetor- muaji i terrësisë së plotë,
kur qenia struket pranë zjarrit,
duke ruajtur në gjak kujtimin e dritës.)

Nata bie mbi natën,
e dita është veç një shkëndijë e lodhur.

Qielli tretet në terr të pafund,
vetë yjet duken plagë që nuk ndriçojnë.

Fryma bëhet hi i ftohtë,
zemra troket si kambanë e braktisur.

Në trup hyn heshtja e zezë,
ora shuhet,
koha merr shijen e fundit.

Prishtinë, 1 shtator 2025

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL SYLA: GRUAJA