Buqetë poetike nga Lucilla Trapazzo: Drita në emrin tënd

Solli në shqip: Dashamir Malo

I shqetësuar sonte është bregu i detit
Re hijerënda që lëvizin ngadalë
tregojnë Afrikën. Mani dhe
rozmarina fërgëllojnë dhe këndojnë
shi. Është i ëmbël kundërmimi i myshkut
dhe likenet me sy gjysmë të mbyllur.

Çon tek ty e gjithë kjo kripë
e barkave dhe e peshqve në rrethin
e hënës, në një natë të ndarë
(e uritur për dashuri dhe fllad)
prej ujqërve dhe prej emrave dhe shushuritjeve.

Rastësisht gjejmë fjalë dhe lule
të cunguara –
dhe pastaj melodi prej mijëra e mijëra notash
të kapura pas lamtumirës.

I pasigurt mbi det shfaqet agimi.
Në emrin Tënd Drita e Lindjes.

*

Ndoshta nuk na shpëton kjo gjë
antike dhe poetike
na trand dhe na bën det
dritë gjethe zjarr
dhe mandej duar kurme dhe mish.

Absolute dhe kalimtare
hapësira e një nate të lëngët
e kryqëzimeve dhe gjeometrive të këmbëve
syve dhe gjuhëve të mbytura.
Në agim kemi vetëm një degë dhe macet
dhe fjalët si lumë për të kënduar
shpresat e kota të pafundme.

Më lër, ëndrra nuk ka vdekur ende
dhe e kuqja e buzëqeshjeve dhe boronicave.

*

Nuk kam për të dhënë nesër
(as skuqjen e fytyrës të herës së parë)
Vetëm sot midis gishtit dhe një lumi të ardhur plot
Përkundemi të çartur në natën e huaj dhe të
shndritshme.
Nga një hënë që varet dhe re’ të zeza të mbledhura
Në atmosferën dyshuese te një dhome,
më ke thënë
dhe më ke pikturuar përrallën.

Të kam vështruar. Me ke vështruar.

Tani mbahu pas puthjes. Ndodh në heshtje.
Ndodh në çast, ndodh ndoshta dashuria.

*

Do të doja të të pyes se çfarë bën atje
mbështetur në kastëk
për çfarë mendon
pastaj vallëzon përreth dhe arrin
ngadalë heshtjen tënde (fortesë e padepërtueshme)
kumbon krenar si vazo Ming
të vështroj dhe mbaj frymën

edhe qielli im.

*

Vështro, bie përsëri hija
në lindje – atje poshtë, në anën tjetër të perëndimit.
Tani përkulet në errti pesha e yjeve
Qëndro me mua këtë natë
do duhet të vëzhgojmë bombat e mbetura
që shkëlqejnë në lumë.
Qëndro vetëm një natë
Përziej puthjet sytë e mi dhe fatin
Do të doja vështrim rrëqebulli, do të doja të isha
gur i flashkët.
Por kam krahë klloçke
hije mëngjesore, në prehër
grushtin me yje të zhubrosur.
Ti qëndro. Të ndezim natën
(me shkëlqimin e dyshimit dhe vezullimin e idesë).

Ndjesë, prej viteve dhe hormoneve harroj
gjithçka dhe flas pak si shumë. Anëshkruaj në qiell
jemi në folje, në kohën e pakryer.
Ti qëndro me mua, të ndriçojmë natën.

*

E njoh vjeshtën e gjetheve
ngjyrë alle
thërrmijat e pluhurit dhe gishtat
në ditët e numëruara.

Do të doja të të jepja të kuqen e mollës
Do doja të të jepja sy lazer
që sfidojnë botën
që përmbajnë çastin.

Por kam vetëm veten time këtu
në këtë trup në këtë kohë
që nuk ka më kohë.

Kam dashuri që është lumë i heshtur
dhe hap dyert e pranverës
që është stina jote.

Ti pret të tjera vera
dhe në secilën prej tyre kërkon timen
pastaj e vendos për ta ruajtur mes farërave
në dimër.

Limbo* – përtej Akerontit
Nuk mëkatojmë kur zbulojmë
thelbin dhe paradoksin e pasayrës.
E megjithatë jemi të dënuar pa faj.
Në zgripin e sfilitur të pritjes
Të varur midis natës dhe diellit
Të përjashtuar, jo të zgjedhur

*

Dhe gjithmonë jemi lumë i ardhur
mish i ngjeshur ende
Jemi emra rrathë dhe atome të dritës.


*

Je larg mijëra netë – larg
roitja e bletëve dhe zhurma jote
(ndërsa unë vishem me polen)
larg ngrohtësisë së duarve dhe buzëqeshjeve.

Vetëm lumi më rrjedh në bark.

Një gjarpër i vogël uji me sy të artë
nxjerr kokën prej shkëmbit mbi shakrën time diellore**.
E njoh.
Kur isha ende fëmijë vëzhgoja zallishten e lumit
e mbështjelle kutullaç numëronte vezët.

*

Po, të pres akoma matanë lumit
dhe këtej arsyes
Jetojmë në hapësirën blu të qashtër
të duarve matanë fjalëve
të thëna dhe lejuara
përpara se ti të lindje.

Dhe ti pritmë përtej kohës
prit që unë të kthehem në vallen
e një fotoni, në feksjen e një iride***
që për fat të mirë të tejshpon
pa indet e tua në erë
ose mishëruar në kurorën e pemës tënde
në papërsosmërinë e turpshme të dashurisë.

*

Të gjej kudo në çdo
gjë, në fushën e pllenuar
nga plugu, në vajin cicëritës
të një pjate bujku.

Unë kam kërrmill i asaj fushe
lëkundem mbi një tufë marule
dhe vrapoj – në një thyesë pafund
më të shpejtë se drita

dhe gjithmonë më çudit
vrulli i jetës.

________________________________

*– venbanim i supozuar i shpirtrave në disa besime të krishtera
** – një nga 7 pikat fokale në trupin
*** – irida e syrit

Lucilla Trapazzo, (Zvicër, Itali)

Lucilla Trapazzo ka lindur në Cassino, Itali në vitin 1964.
Pas diplomimit në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, Masterit në “Film & Video” në Universitetin Amerikan, washington D.C. dhe një formimi të vazhdueshëm teatral dhe artistik, punon si aktore, performer, kritike dhe regjiSore teatrale.
Poezia dhe proza e saj janë vlerësuar me disa çmime ( Çmimi San Bernardino, Stimigliano; Çmimi Kombëtar “Delfini” Pisa; Çmimi “Viareggio” dhe publikime në antologji, revista dhe libra arti në Itali, Spanjë e Maqedoni.
Pikturat e saj janë përfshirë në ekspozita të ndryshme personale dhe kolektive internacIonale. Performancat e saj artistike janë prezantuar në disa festivale të Artit Multimedial ( Signal,Cagliari; It’s Liquid, Londra ; Buenos Aires, Roma, Venezia).
Aktualisht jeton mes Zvicrës dhe NeW York- ut dhe bashkëpunon me shoqata arti, muzike kontemporane e letrare në organizimin e eventeve dhe festivaleve të ndryshëm.
Libri i saj i parë me poezi titullohet “Ossidiana” botuar nga Edicioni Volturnia Isernia, në shtator 2018. ” Botë të vogla” është libri i saj i dytë i cili do të botohet në pranverë 2020.
Lucilla ka qënë gjithashtu pjesë e Antologjisë poetike të Takimit Ndërkombëtar Poetik 2019, të Klubit të Krijuesve Jonianë, Sarandë./ ObserverKult