Por iku ajo kohë… dhe ti heshte

Nga: Boris Pasternak

M’u shtir vjeshta me qelqet dritëpakë,
Ti me miq në hoka e kuvende,
Dhe si fajkua, që qiejsh gjuan gjak –
Zbriti zemra në pëllëmbën tënde.

Por kalon koha, tek plaket dhe tretet,
Serm të zi korniza shtron prej zorit,
Agu që nga kopshti zbulon qelqet
Me lotët e përgjakur të shtatorit.

Por iku ajo kohë, u plak. Si akull
Mëndafsh’ i kolltukëve u brejt anash
Dhe ty, zëri t’u bor e befas heshte,
U mek ëndrra ime si jeh kambanash.

U zgjova. Ag’ i errët, si ditë vjeshte,
Dhe era merr në karro me gjithsej
Shiun ikanak prej fijesh kashte –
Kreshtat e mështeknave nëpër qiej.

1913-1928

Përktheu: Agron Tufa

———————————-

LEXO EDHE: OH, ÇFARË DASHURIE ISHTE AJO…E PAPARË… NUK NGJANTE ME ASGJË!

Boris Pasternak:

“…Oh, çfarë dashurie ishte ajo, e lirë, e paparë, nuk ngjante me asgjë! Ata mendonin siç këndojnë të tjerët! E dashuronin njëri –tjetrin jo nga pashmangësia, jo “të ndezur nga pasioni”, siç përshkruhet shpesh rrejshëm. Ata e dashuronin njëri-tjetrin, sepse këtë e donte gjithçka përreth tyre: toka nën këmbët e tyre, qielli mbi kokat e tyre, retë dhe pemët.

Ajo dashuri u pëlqente gjithçkaje e të gjithëve që i rrethonin, ndoshta, më shumë se vetë atyre. Të panjohurve në rrugë, largësive të rreshtura për shëtitje, dhomave, në të cilat ata banonin e takoheshin.

Ah, po, pikërisht kjo ka qënë kryesorja që i bashkonte dhe i afronte! Kurrë kurrë madje edhe në çastet e lumturisë më të madhe, më të çmendur nuk i braktiste gjëja më e lartë dhe më interesante: kënaqësia nga ngjizja e përgjithshme e botës, ndjesia e përkatësisë së vetë atyre ndaj gjithë tablosë, e përkatësisë ndaj bukurisë së gjithë pamjes, ndaj tërë kozmosit…”