Buqetë poetike nga Rexhep Shahu: Zot, ruaje këtë grua!

rexhep shahu
Rexhep Shahu

Ju ftojmë ta lexoni një cikël të zgjedhur me poezi nga Rexhep Shahu.

TI KURRË NUK KE QENË MË E BUKUR

Ti kurrë nuk ke qenë më e bukur
Se kur unë pikturoj në ty, në fytyrën tënde
Sigurinë time, vrasjen e frikës dhe përkëdhel shpresën.

Kurrë nuk mund të jesh më e bukur
Se kur ta pi lotin e gëzimit në burim të cepi i syrit,
Lotin e sigurisë së burrit që njom rrënjët e paqes
Dhe mëkon fuqinë për jetën.

Ti kurrë nuk mund të jesh më e bukur
Se në çastet kur unë shkruaj në ty
Në fytyrën tënde me gishtërinjtë e mi
Fjalët e pashkruara që s’i thotë asnjë gjuhë.

Ti kurrë nuk mund të jesh më e bukur
Se në çastet kur ta marr kokën në duar,
I ngazëllyer çmendem e harroj të flas,
Të vështroj e të puth të vështroj e thërras.

PO VDES KJO MBRËMJE PO VDES PËR TY…

Po vdes kjo mbrëmje kështu ngadalë
Me sy të përlotur se s’erdhe ti
Po vdes siç vdesin orët dhe yjet
Por si vdes mbrëmja ti nuk e di.

Po vdes kjo mbrëmje po vdes për ty
Dielli i gjallë po mbytet në det
Për mungesën tënde nata mban zi
Zi të gjatë një jetë.

Po vdes kjo mbrëmje dalëngadalë
Deti nga dhimbja më hyn në gji
Si ta shëroj detin që s’thotë asnjë fjalë
Si ta shëroj detin pa ty.

Kjo verë mërzie

KËSAJ NATE SONTE I DUHEN SYTË E TU

I duhen duart e tua fytyrës time që digjet
duart e tua t’më rrëshqasin në fytyrë
ta shkruajnë dashurinë
ashtu siç i duhet një hënë sonte kësaj nate
për të mos e lënë krejt të verbër
të mos thejë qafën nëpër yje të shuar.

I duhen buzët e tua fytyrës time sonte
fryma jote t’më derdhet mbi fytyrë
buza jote buzës time t’ia mbyllë portën e vdekjes
e shpirtin tim ta bëjë puthje
që jeton në ty
veç në ty.

Kësaj nate sonte i duhen sytë e tu.

TA KAM LËNË AMANET VETEN TIME…

Ka kohë që ta kam lënë amanet veten time
Dhe jam i qetë.

Por herë pas here trishtohem
Ndonëse ti më thua se s’më ka hije trishtimi.

Trishtohem ndaj ta kujtoj
Shih se mos më harron ndokund
Dhe më hedhin në plehra pastaj.

E di se më mban në sy
E shoh veten kur të them prit t’i shoh sytë
E di, ke për mua një kujdesje të fshehtë elegante
Më pyet ku ishe dje, pse erdhe vonë sot…
Por prapë ndonjëherë kam frikë
Se nga nxitimi se po të ikë avioni më harron në stol në aeroport
A më harron te shitësja e çokollatave që ngjan me ty
Ajo s’do më mbajë, do më nisë si valixhe e humbur drejt askundit
Ndonëse kurdo në sy do të kem fytyrën tënde, sytë e tu.

Kam frikë herë pas here, pse ta fsheh
Se mos më harron mes ndonjë libri në rafte
E s’mban mend ku më ke lënë.
Në ndonjë sedile treni a autobuzi ku nxitohet gjithmonë
Në ndonjë kafe në karrigen anash ku ëndërron të më kesh.

Ka kohë që ta kam lënë veten amanet
Por druaj se më harron ndokund
Dhe kam frikë se mbetem pa ty.

 TY TË KAM SHPIRT QË MË NGRE PREJ VARRI…

Ti ma kujton se në këtë botë ka edhe shpirt
Sa herë të shoh kur derdhesh pranë meje
Si ortek malli që bjeshka s’e mban dot
Ortek malli që thyen ditë e vite idhnimi
Që vë përpara lisa, gurë e netë të trishta.

Ti ma kujton se kjo botë ka edhe shpirt
Se sa herë të shoh ty shoh shpirtin tim
Në këtë botë je ti ndaj kam pse rri
Edhe pse thinjat e viteve po zbardhin shekuj
Ditët e viteve po bëhën me mjekra

Kjo botë ka shpirt
Ty të kam shpirt që më ngre prej varri
Më hedh në ëndrra, më var në qafë të ditës.
Ty të kam shpirt që s’di me dalë prej meje.

BETEJË E HUMBUR

Nuk të shoh,
nuk vjen edhe pse të pres sa thjinjet pritja.

Nuk e di a gjendem kund skutave tua të harrimit
a kam përfunduar te mali i plehrave, a kripë loti.

Nuk di, veç përditë e më shumë
po ndryshkem, si armë betejash, humbur në skuta muzeu
ku s’kam kujt t’i rrëfej për ty.

Po bëhem luftë e humbur pa lavdi.
Është e vështirë të tregohet dashuria
ajo duhet të ndodhë…

NDOSHTA MË KE DASHTË

Dikur besoja se në çdo vend që të puthja mbinte nga një lule
Dhe ti bëheshe tufë lulesh shumëngjyrshe.
Në krahët e tu që po thahen, në duart e tua që puthja e ia mbështillja fytyrës
Ka filluar vyshkja, po plasaritet lëkura
E ashpër e krahëve tu që ma gërvisht qafën e kujtimeve.
Ku vija bërrylat e duart të duket se po bëhen gropa në tavolinën para teje
Ti rri e i pastron vendet ku vija duart e nuk fshihen gjurmët e mia
Se duart e buzët i vija dhe në gjinjtë e tu, në kofshët e tua
E s’ka lot që i lan ato gjumë malli.
Sendet e vendet dhe vetja jote kanë filluar me tu dukë pa vlerë
Tash që jam larg teje e vetes drejt të shumtëve
Mungesa jote që më ka zënë frymën dhemb sa vetmia, deri në qiell.
Ti vështron gjurmët e këpucëve të mia qe nuk duken, shenjat që kam lënë në dysheme
Gjurmët e hapave që kam lënë kur ecja nëpër vend e rrija me ty
E më thoje, akoma nuk ike… kur të dhimbte dhe ty pamundësia e puthjeve
Ik se u bënë shtatë orë që ti rri këtu e bota thonë…
Bëja të ikja por shpesh ndoshta pa mendje më shtërngoje dorën e më tërhiqje të rrija
Tash që s’jam më krijon mbi ato gjurmë malli, më mbjell e më rrit para syve tu
Që shpesh djegin por i përtyp lotët e nxehtë të mos lënë gjurmë diegie në faqe.
Tani nuk bën më sikur nuk më shikon me vëmendje deri në imtësitë më të vogla
Edhe pse bëje sikur nuk i vije re vogëlsitë e mëdha, nuk i ngrije sytë të më shihje në sy
E kur ta kërkoja se doja të shihesha aty, ti qeshje si ti, vetëm si di ti dhe bota bëhej dritë…
Tani që nuk jam, rrekesh të më krijosh, të më nxjerrësh para teje
Prej syve të mallit, por tash jam veç prej ajri
Nuk kam më krahë përqafimi as buzë për puthje
Kam veç mall edhe pse më ke bërë të padukshëm
Hije që endem në ty pa mundë me dalë jashtë teje…

I THUAJ SE TË DESHA SHUMË

“Dhe nëse ndonjë ditë
të pyet ndokush për mua”

I thuaj se të desha shumë
sa mendimin, sa fjalën
sa lulja dritën, sa vesa lulen
sa loti syrin
sa buza buzën e puthjes
sa ëndrra krahët e përqafimit
sa udha hapat e hapat udhën
sa qielli zogjtë e sa zogjtë qiellin
sa deti brigjet e brigjet detin
sa unë ty që e di veç zoti sa të dua…

ZOT, RUAJE KËTË GRUA!

Zot
Ruaje këtë grua
këtë grua perëndi këtu para meje
që ma mbështjell fytyrën me dorën e ëndrrave
këtë grua me qeshjen prej dielli
me dritë hyjnore në sytë e saj.

Zot
Ruaje për mua këtë grua
që është zemra ime jashtë meje
kur nuk jam me të.

Nuk dua gjë tjetër prej teje zot
kjo grua është fillimi që s’ka fund kurrë
është ajo që më bën burrë
që mbledh në vete lakmitë e burrave
dhe nderimin e tyre pa cak
zilitë e grave që i japin shkëlqim dritës së saj.

Kjo grua është lufta e pambaruar kurrë dhe paqja
është zemra ime jashtë meje
që rreh e pulson në mua.

Zot
Ruaje për mua këtë grua
që më bën të ëndërroj.

VIJ PATJETËR

Gjithmonë do të kthehem te ti,
Vonoj, por vij patjetër.

Si mall, si thinjë, si rudhë
Si lot i pavënë re, si harresë,
Si dorë që dridhet
A udhë që s’shkilet.

Edhe kur vonoj e s’vij
Vij patjetër!

Si dhimbje…

ObserverKult

Lexo edhe:

REXHEP SHAHU: NUK E KAM LËNË VETEN PENG ASKUND – MË UDHËHEQ FEJA E DASHURISË…

REXHEP SHAHU: 33 NUMRA TË REVISTËS “ILLZ” U BOTUAN, SHTET, KU JE!?