Jamarbër Marko: Presim veç një diell të ri…

fjalët e fundit jamarbër marku

Poezi nga Jamarbër Marko

Thonë se koha shket në të gjitha grykët e uritura
Nuk e besojmë ne që kohën e kemi veç në plagët tona  
Thonë se do vijë një ditë
Dhe ne buzëqeshim duke shtrënguar skeletet e armëve
Korbat hanë bashkë me ne supën e ndyrë të harresës
Por që të dehur e kemi quajtur supën e lumturisë
Sa gota na u thyen kur vdekjen e përshëndesnim
E na mbetën plagët tona të ditëve të shkuara
Mbi sy, mbi hutimin tonë
Shtrimë në shkallët e hapësirave, shokët tanë
Për t’i shkelur kur të ngjitemi
Se dimë që kurrë nuk do ngjitemi
U thyen tashmë tragjeditë e vogla, besimet e vogla
Presim veç një diell të ri
Një tokë të re, një shtëpi të vogël
Ku në oborr të mbijnë pemë, qetësia dhe era
Ku nga oxhaku te dalin retë e mrekullueshme
Ku uji që të rrjedhë nga çezma të formojë dete
Dhe të mos themi që deti është formuar nga lotët
Por të themi
Dielli është formuar nga gëzimi ynë
Një mijë çelësa kanë rënë në këtë humnerë harrese
E ne mbajmë mbi shpinë dyert e pahapura
Të vdekjes, të guximit, të dashurisë
A gënjejmë dot më?
Po kë të gënjejmë? Kur gjuha u bë gënjeshtër
Kur pulëbardhat lozin në sytë e frikës
Një ndjenjë lirie këputet
E ngjitim me pështymën e përgjakur
Për të ecur edhe një copë rrugë
Edhe një copë dhembje ndën yjet
Për të mpiksur lotët e nxehtë
Sa rrugë na qëndrojnë mbi shpinë?
Sa litarët që lidhin bucelën e ujit të jetës
Ujit që u derdh pikë, pikë
E u përzie me ankthin
Duke lejuar një buzëqeshje
Përmbi grykën e kësaj humnere
Ku çelësat janë bërë fëmijë të palindur
Për ne
Por të uritur si shpresa jonë.


*Titulli i origjinalit: Ana e pasme e botës

ObserverKult

——————–

Lexo edhe:

JAMARBËR MARKO: TË DËGJOJMË NË HESHTJE FJALËT E FUNDIT…