Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të zgjedhura nga Rexhep Shahu:
VJESHTË
Vjeshtohu
bëhu më e bukur se e bukur, bëhu vjeshtë e artë, e plotë grua
rri gjithmonë mister i ëmbël që të mos e ndal rendjen në ty
derdhi ngjyrat e tua ngado, përflakmi në sy
ndize të kuqen tënde si fustani yt i kuq prej gjaku
që më mbështillje me të kur vallëzonim
tangon e ëndrrave tona të çmendura
derdhe të verdhën e pjekur, derdhe mbi botë pa turp
le të skuqet po të dojë dielli prej turpi.
Vjeshtohu
përcilli me dashuri, pa lotë, zogjtë deri te dera e qiellit
jepu buke e puthje me vete që të vijnë prapë në pranverë
kthehu pastaj tek unë, vjeshtomë edhe mua, më merr në gji
më jep qetësinë tënde, prehjen tënde, buzëqeshjen e dlirë
ma jep dhimbjën e fshehur për ndonjë rudhë a thinjë që unë e dua
ma jep ta bëj puthje atë dhimbje,
t’i bëj udhë dashurie rrudhat e tua
udhë të cilat më sjellin gjithmonë vetëm në ty
mos më gjuaj me qokë në kokë kur të puth në gjinj
se pastaj bëhem i pabesë e t’i kafshoj gjinjtë fort
sa ti dridhesh e tëra si dridhet uji i Drinit në shtratin e vet
si uji i detit nga ndonjë tërmet.
Vjeshtohu, rri vjeshtë,
rri gjithmonë vjeshtë
që unë të mos vdes.
MJEGULLAT E DYSHIMIT
Të them se mjegullat e dyshimit
Do t’i bëj shtëllunga, t’i tjerr
Dhe të thur triko për ëndrrat, të mos kenë ftohtë.
Të them se sytë e tu –
Dyert e ditës, – sjellin diellin
Dhe natën në ato sy digjen grumbujt e ëndrrave që vdesin
(zot sa ëndrra vret lakmia…).
Të them se në çdo gjë që sheh ti
Kam shkruar fjalën, të dua
Në male, fasada, karroca, makina
Në çdo gjë që shohin sytë e tu
Në kupën e qiellit, në syprinën e detit
Në kapelet dhe këmishat e ëndrrave.
Kam shkruar, të dua
Në sytë e të vdekurve
Në sytë e të palindurve kam shkruar, të dua.
Nuk të them më të dua
Do të dua për vete, jo për ty.
KUR TË VDES UNË
Kur të vdes unë
Do të qeshë ky qytet.
E shumta ndonjë harabel
Do të më presë në tela pranë shtëpisë
E unë do të vonoj.
Vdekja ime do të vijë si vonesë.
Kur të vonoj do të thonë
Është vonuar me atë
La mendtë pas asaj
Mbeti tek ajo.
Asgjë s’mbajnë shpatullat e mia
Veç ëndrrat me ty.
KA KOHË
Ka kohë që ta kam lënë amanet veten time
Dhe jam i qetë.
Por herë pas here trishtohem
Ndonëse ti më thua se s’më ka hije trishtimi.
Trishtohem ndaj ta kujtoj
Shih se mos më harron ndokund
Dhe më hedhin në plehra pastaj.
E di se më mban në sy
E shoh veten kur të them prit t’i shoh sytë
E di, ke për mua një kujdesje të fshehtë elegante
Më pyet ku ishe dje, pse erdhe vonë sot…
Por prapë ndonjëherë kam frikë
Se nga nxitimi se po të ikë avioni më harron në stol në aeroport
A më harron te shitësja e çokollatave që ngjan me ty
Ajo s’do më mbajë, do më nisë si valixhe e humbur drejt askundit
Ndonëse kurdo në sy do të kem fytyrën tënde, sytë e tu.
Kam frikë herë pas here, pse ta fsheh
Se mos më harron mes ndonjë libri në rafte
E s’mban mend ku më ke lënë.
Në ndonjë sedile treni a autobuzi ku nxitohet gjithmonë
Në ndonjë kafe në karrigen anash ku ëndërron të më kesh.
Ka kohë që ta kam lënë veten amanet
Por druaj se më harron ndokund
Dhe kam frikë se mbetem pa ty.
NESËR DUA TË FLAS ME TY
Dua të flas pafund me ty
me veten në ty
të të them njëmijë fjalë, njëmijë herë të dua
të flas për zogjtë, për yjet, për sytë e tu
për frikat e mia, ëndrrat, dallditë
për mallin që më merr për ty
për luftën që bëjmë me dalë nga varri
si e tërheqin njerëzit njëri – tjetrin në gropë
e s’e lënë të dalë
të flas për dorën që më zgjate e më ngrite
për dritën e syve që ma lëshove në fytyrë
të të falenderoj që je
e që më bën të kem mall për ty.
Nganjëherë dua të hesht,
të vdes, të mos dëgjoj zhurmat që më çmendin
të dëgjoj frymëmarrjen tënde
të harrohem duke të parë ty
të mos më thuash, ik tani, akoma nuk ike
të humbas në sytë e tu
të mbështillem me qeshjen tënde.
Nuk dua të vdes, ende nuk dua të vdes
se nuk mundem as dua të rri pa ty
nuk dua të më shohë askush
askujt s’dua t’ia vras sytë
dua të jem send që veç ti e di se jam unë
dua të jem stilolaps p.sh. që ti e mban në dorë
dhe vizaton me të ëndrra
dua të jem një libër që nuk e lexon askush
libër i mërzitshëm që s’i hyn kujt në punë
qoftë edhe gjemb në trëndafil dua të jem
të ta shpoj gishtin e ti të zemërohesh
e të mos kesh ç’të më bësh.
Nesër dua të flas me veten në ty
dhe nuk dua të vdes.
GJATË TË KAM DASHTË
Gjatë të kam dashtë nga larg
si zogjtë duan telat, velat e anijeve a degët e pemëve
gjatë më ka rënduar ky sekret
derisa zgjate dorën, ta putha dhe u ankorova në ty.
Tani …
ti nuk di ku të më lësh, nuk di ku të më lëshosh
ku të më vendosësh, nuk di
të më hedhësh nuk do, e shoh
nuk di si të më mbash, zemra të rreh fort
përtej syve tu sheh zogjtë në ajër
që rrinë shtangtë duke pritë si unë
qeshjen e syve tu
t’i derdhen qiellit e ta bëjnë të bukur.
TI VËSHTRON GJURMËT E KËPUCËVE TË MIA
Ti vështron gjurmët e këpucëve të mia që nuk duken,
shenjat që kam lënë në dysheme
Gjurmët e hapave që kam lënë kur ecja nëpër vend e rrija me ty
E më thoje, akoma nuk ike… kur të dhimbte dhe ty
pamundësia e puthjeve
Ik se u bënë shtatë orë që ti rri këtu e bota thonë…
Bëja të ikja por shpesh ndoshta pa mendje
më shtërngoje dorën e më tërhiqje të rrija
Tash që s’jam, më krijon mbi ato gjurmë malli,
më mbjell e më rrit para syve tu
Që shpesh djegin por i përtyp lotët e nxehtë
të mos lënë gjurmë diegie në faqe.
Tani nuk bën më sikur nuk më shikon me vemendje
deri në imtësitë më të vogla
Edhe pse bëje sikur nuk i vije re vogëlsitë e mëdha,
nuk i ngrije sytë të më shihje në sy
E kur ta kërkoja se doja të shihesha aty, ti qeshje si ti,
vetëm si di ti dhe bota bëhej dritë…
Tani që nuk jam, rrekesh të më krijosh, të më nxjerrësh para teje
Prej syve të mallit, por tash jam veç prej ajri
Nuk kam më krahë përqafimi as buzë për puthje
Kam veç mall edhe pse më ke bërë të padukshëm
Hije që endem në ty pa mundë me dalë jashtë teje…
KËSAJ NATE I DUHEN SYTË E TU
I duhen duart e tua fytyrës time që digjet
duart e tua t’më rrëshqasin në fytyrë
ta shkruajnë dashurinë
ashtu siç i duhet një hënë sonte kësaj nate
për të mos e lënë krejt të verbër
të mos thejë qafën nëpër yje të shuar.
I duhen buzët e tua fytyrës time sonte
fryma jote t’më derdhet mbi fytyrë
buza jote buzës time t’ia mbyllë portën e vdekjes
e shpirtin tim ta bëjë puthje
që jeton në ty
veç në ty.
Kësaj nate sonte i duhen sytë e tu.
BETEJË E HUMBUR
Nuk të shoh, nuk vjen edhe pse të pres sa thjinjet pritja
Nuk e di, a gjendem kund skutave tua te harrimit
a kam përfunduar kripë loti.
Përditë e më shumë
po ndryshkem si betejë e humbur në skuta muzeu
ku s’kam kujt t’i rrëfej për ty.
Po bëhem luftë e humbur pa lavdi.
E vështirë të tregohet dashuria
të gurëzohet loti.
ObserverKult
Lexo edhe:
REXHEP SHAHU: NGA VARRIMET VIJMË, NË VARRIME SHKOJMË…
REXHEP SHAHU: SA PAK JEMI DASHTË
REXHEP SHAHU: MË KA MARRË MALLI PËR TY
REXHEP SHAHU: ZOT, RUAJE KËTË GRUA!