Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të zgjedhura nga Sadik Krasniqi:
Muzgu
Nënë
pse këto pemë
të vrugëta
në lumë ujë i zi
udhët e mugëta
ky qiell i dergjur
pa zogj të blertë
kjo perde e verbët
në sy
muzg
nënës
muzg është
a s´ka pasur diell
kjo ditë
ah sa shpejt
nata
mbi ëndrrën time
po bie….
Lutja e zemëruar
Pas ikjes sime
babait koha iu kishte shembur
as ditën e faljes së madhe nuk e dinte
Zotit pas vaktit i lutej me zemërim
vetëm netëve ua kishte gjetur fillin
duke i radhitur fotot e rritës sime
në albumin e zi
prekja e mbramë e dorës sime
ia zbardhte mjekrën
pak para se t´i mbyllte sytë
e kishte bërë lutjen e fundit
që të binte shumë shi
e t´i zgjatej rruga e hapave përgjysmë
deri te dera e ndryshkur
mos të jetë (pa mua) engjëll i vetëm
në atë lëndinë të blertë.
Shi dhe trok kali
Në këtë natë me shi dhe trok kali
Shaloj hingëllimën e trembur
Mbërrij tek babai dhe varri i çelë
Zë çastin e ndarjes
E puthë si të gjallë
Me urnën e pikëllimit
Ia marr lotin e mallit
Në dhimbje më bie drita e kometës
E në qiell shndërrit nuri i tij.
Kthimi
(Xhevdet Bajrajt)
Sa të dogji malli
nën yjet e butë të Meksikës
për dheun e kokrrën e rrushit
së vreshtës me vesë
për aromën e verës së kuqe
shkrumb eshke të bëri dashuria për Kosovën
e oqean loti malli i Nanës
u ktheve përmes udhës së qumështit
e hija jote një blu e errët mbi oqean
u ktheve në urnë
ajo urnë
me hirin
lotin
shpirtin
vreshtën
verën
yllin
dashurinë
poezinë tënde
ra si meteor
në dheun e afshtë të Kosovës
u ktheve
në ditën e stinës së bukur
si xixëllonjë muzgu mbi grunajë
sa me hir vdekja jote
e pikëllimi aq solemn
si simfonia e fluturave të lotit
që me gishta prej ere
shfletojnë përjetësisht
një libër mbi varr.
Kandil deti
Zonja e bukur si sirenë e çmendur
del nga deti
vigma e saj fërfërit gjethe palme
grith vetën me thonjtë e kaltër
luan lojën e vallës mbi prush
në rërë dergjet një kandil deti
valë e bardhë i jep pakëz shpirt prej drite
sa për një pshërtimë të ashktë
sikur thotë
ishte puthja ime e përndezur
ishte kjo dita ime e fundit
para se të mbytet ky diell i kuq në deti
e nata e përjetshme të bjerë mbi mua.
Rituali
Ka kohë e dashur
Ngjitemi në malin e blertë
Shikojmë përmallshëm
perëndimin e diellit
Bredhim bulevardeve me erë
Nën drunjtë që u bien gjethet
Dëgjojmë këmbanat e vdekjes
Muzgu na zë tek të heshturit
Pranë një varri pa emër
Vëmë lule të egra
Bëhemi terr.
Melodia e mërzisë
Nuk e di se të bëri ëndrra
apo ëndrrën e bëje ti
Shajni a Evë e bukur
pa atë gjeth të njomë prej fiku
mbi fundin e errët
nën atë pelerinë të tyltë
me palët valë nga prekja e thimthave
i bie telave të urtë të harpës
luaje melodinë e mërzisë
për ëndrrën që po vdes
nën feksin e agut të zbehtë
si misteri i hijes sate prej drite.
Ata
Ata ikën
i çuan në dhomat e bardha të vetmisë
dritat i ndezën për hijet e tyre
që vallëzojnë
me një muzikë
që e dëgjon
vetëm muzgu
dhe unë
a hija ime.
Vaj në buzë*
Në tërë atë mal të huaj
gjej drurin e vendlindjes
me qyqen në rrem
ia marr gjethin e blertë
e luaj një baladë
me vaj në buzë
gjuaj guralecë të zinj
në liqenin gri
e mbi ujë
bëj unaza mërzie.
*Bad Salzhausen, park shumë i njohur në Hessen të Gjermanisë, në të cilin janë kultivuar drunj të importuar nga vende të ndryshme të botës.
ObserverKult
Lexo edhe: