Buqetë poetike nga Visar Zhiti: Si shkohet në Kosovë, tregomë!

Visar ZHITI

ObserverKult ju sjell një cikël të zgjedhur poetik nga Visar Zhiti, kushtuar Kosovës, botuar në librat “Si Shkohet në Kosovë” nga SHB “Toena” dhe “Si është Kosova” nga SHB “Buzuku”.


SI SHK-OH-ET NË KOSOVË

-baladë-

Ti, kalë i bardhë, Pegasi im,
si shkohet në Kosovë, tregomë!
Malli më ka marrë pa qenë kurrë.

Përtej varrit të atit tënd
varret e tjerë u rritën dhe u bënë male.
Pas maleve ka varre prapë si retë
nëpër luginë.

Shtegtojnë varret në qiejt e ulët
dhe ta ngatërrojnë udhën.
Avionët kthehen pas të hutuar
nëpër mjegull nate.
Karvanët e veturave janë kthyer në shkëmbinj
si kuajt e krushqve në mallkimin e lashtë.
O Zot! Dardhat dimërore dhe mëllenjat
janë bërë fushë me ofshama
të gjuhës time!

-Ti, yll blu i fatit mbi ballë të Atdheut,
si shkohet në Kosovë, tregomë!
-Kur të kesh një plagë tjetër të re në trup,
ndiq udhën e rrëkesë së gjakut,
që gjithmonë arrin para meje
dhe më pret atje – gurgullimë jete.

Marr dy pishtarë të shuar dardanë,
i ngjyej në gjakun tim
dhe ndriçoj udhën. Ndizen krahët,
flakët bëhen flatra,
unë bëhem shqiponjë prej dheu
dhe ndiej ciklonet e stepave
si duan të ma brejnë emrin prej guri.

Tiranë, 18.1.1995

***

(…) kam humbur udhën, o njeri. Nga bie Itaka?
-Cila Itakë? Këtej s’ka. Ke gabuar.
-Është ishulli im, i gruas sime dhe i djalit tim…
-Po deti është larg nga këtu…
-Kam gjithë jetën që udhëtoj. Vij nga lufta dhe vdekja. Ndihmomë. Na u mbyt anija, vetëm unë dola në breg. E sulmuan trenin që mora më pas hordhitë a jashtëtoksorët, po unë e çava rrethimin. Ra avioni, gjallë mbeta dhe unë.
-Të paska zgjedhur fati. Çmoje!
-Dallgët më bëhen male e mallet dallgë. S’e di ku po eci. Jam hutuar nga lodhja.
-Mbi veten tënde po ecën. Po kush je, si të quajnë?
-Jam ti. Emrin tënd e kam. Po mos është këtej Itaka?
-Jo, këtej është Kosova. Është e ndaluar të shkosh!
-Për andej do marr udhën. Te të ndaluarat gjej ato që dua. Mirupafshim, o njeri, e di që do të takohemi.
-Mirëvafsh, udhëtar  i çuditshëm! (…)

MIRËMBRËMA, PRISHTINË!

Mirëmbrëma, Prishtinë!

Sa e kam pritur këtë natë
Të hyjë mes netëve të mia.

Dua dy cigare nga ti
Për gëzimin dhe dhimbjen time bashkë.
Ku ta ndez,
Në yllin tënd më të bukur
                                              të shpirtit?

Sa të mëdhenj dhe sa afër
janë yjet e tu, Prishtinë!
Mund të ul një degë qiellore
dhe t’i mbledh një nga një
                                           si bekimet.

Cigaren tjetër do ta ndez
Te qiri yt i jetës
Që të mos më mungojë më nata jote,
Prishtinë!

16.11.1999

PEMËT VAJTOJSA

Pemët
më të trishtuara në botë
janë në Prishtinë.

Vajtojnë rrugëve
janë vetë vajtimet.

Në trup u dhembin
si fasha plagësh
lajmërimet e bardha të vdekjeve.
O Zot! Do të varrosin
përsëri ata që i vranë
dhe i hodhën në gropat e përbashkëta
                                                 të luftës!

Nga vdekja
të heqësh vdekjen.

Varroset shpesh këtu e njëjta pafajsi,
ma thonë pemët, Hekubat e vajtimeve.

Dhe unë ngrij si ato rrugëve të Prishtinës.

KJO DITË E ( JASHTË)ZAKONSHME

-tregim-

Rrugët e Prishtinës
mbarojnë në një psherëtimë. Shëtis
me mikun tim Ajri Begu. Të hutuar shohim
fantazmat tona nëpër dyqane grash
vitrinave fërgëllonjëse.

Dua një dhuratë për time shoqe larg
e ai një pallto për Flora Brovinën në burg.
Pushtuesit ikën, le të vijë dimri.
-Si është?- e pyes duke u dridhur.
-E akuzuan se udhëhoqi demonstrate, kuroi plagë. Mjeke është. S’mund ta kundronte luftën si Helena e Trojës nga dritaret.
-Në ç’gjuhë bëhet gjyqi?
-Serbisht.
-E kur e takon?
-Vetëm serbishtja lejohet. Përmes xhamave
i tregoj librin e saj më të ri me poezi
e ajo më rrëfen për një grua
që lindi në burg
-Ah, të gjithë jemi fëmijë burgjesh, e
tani që liria erdhi…
-S’e shoh dot me pranga!
-Dhe unë sime shoqeje s’do t’i blej byzylykë.

Te të gjitha gratë e bukura të Prishtinës
shoh Florën. Këtë lulëzim dhe dritë
ajo e shpërndan, kaq prajshëm. Zambakë
të bardhë çelin
sa herë ia lidhin duart. Pika e vesës
rrëshqet dhe ngrin si gur unaze mbi
lutjet.

***

Ti, që u nise për në Kosovë dhe nuk të la të hyje guvernatori i huaj, ishe më i madh se ai, nuk të nxinte porta e të gjithëve.Të prisnin patjetër. Mungesa të bëri të domosdoshëm si e Vërteta jote. Shkoi shpirti andej, u end rrugëve dhe bujti kudo, në Republikën që vetëm ti e njohe. Lulet e padhuruara- plagë atentati mbi trupin e ditës që kthehej përgjysmë. Kronosi po mendohej. Ai s’po hante më kohë. Zbardhnin dhëmbët pa përbindëshin.

KTHIMET

Kthimet
janë gra në errësirë.
Pinë cigare në heshtje,
ndërsa tymi ribën vegimet
e luftës sime.

Duart ledhatojnë duart
në vendet ku dhembin prangat.

Përtej vargmaleve të muzgut
gratë bëhen ujëvara. Ti më thua
dhe Rozafa. I ngjallin muret,
shih si pikojnë qumësht
rënkimesh.


Ndalo, udhëtar
bjerë më gjunjë
dhe pi nectar të shenjtë.
Goja befas shndërrohet
në argjend
vuajtjesh të mrekullueshme


***

Çdo njeri
ka Itakën e vet, thonë poetët.
Por dhe një Kosovë ka brenda vetes
çdo njeri. Që

të arrish në Itakë
duhet të ravgosh gjithë jetën nëpër dete vuajtjesh
e ishuj të papritur magjish.

Pritja,
thur ditën dhe çthur natën qilimin e vet prej kohe,
endur me tejzat e nervave dhe arteriet
e gjakut.

Me fijet e fatit.
Kurse në Kosovë je
e Kosova s’është. Të kanë marrë
pa e marrë dot. Është vazhdimi yt e
ti si në ngërç nuk vazhdon dot. Ç’udhëtim
të çon në Kosovën tënde, ku duhet të shkelësh,
o njeri? Mbi kufomat e vetvetes?
I përzunë njerëzit e Kosovës. Bosh donin ta linin. As
varrezat nuk janë aq bosh. Katakombe
të harrimit gjakatar. Gërmadhë
donin ta bënin si Trojën. U mblodhën ushtritë
e lashta
dhe Troja u shemb. Me turmat ikte dardani Enea
përmes flakëve me të atit mbi shpinë,
dilte matanë detit
dhe themeloi Romën, thonë legjendat. Iknin
kosovarët me etërit pleq në kurriz dhe
fëmijët në krahë, (rëndonte e shkuara
dhe e ardhmja me-Zi mbahej) çanin
përmes baltrave
dhe barbarisë së huaj. Por

u mblodhën ushtritë e botës,
nisën një luftë tjetër
dhe Kosova shpëtoi.

Fëmijët
këputnin copa dërrasash
nga Kali i përçudnuar i Trojës
dhe loznin si me shpata. Shkërbejnë luftën.

Gjallë është
ajo Kosovë brenda njeriut.

***

…ti që ndejte me mua dhe më dëgjove, këto ishin këngët e mia majekrahu qytetare. Janë shaje-qefin për të lidhur ballin përballë vdekjeve.
Itaka nëpërmjet Homerit, pra letërsisë, u bë metaforë botërore, Kosova nëpërmjet botës do të jetë edhe metaforë në letërsi.

A e di si përdorej folja bërtas në kohën e Gjergj Kasatriotit Skëndërbeut? Nkelthas. Po qaj? Nklaj. Ç’është ajo ‘n’ përpara, shenjëz e këmbëzave të urave, të skeleteve të ngrehinave?

Dësha të thosha që vdekja duhet përballuar, ndoshta, duke e dashur. Ashtu si jetën, assesi jo më shumë…

Bota pa shqiptarët, natyrisht s’do të ishte më e mirë. Dhe me ta, s’ka pse të jetë më e keqe.
Jemi, sepse jemi, Kjo mjafton. Dhe do të jemi. Pa dëmtuar popuj të tjerë, siç bëjnë…

ObserverKult

Lexo edhe:

VISAR ZHITI: SA PAK DIMË TË LEXOJMË, SA SHUMË DIMË TË URREJMË…