Buzët e mia ndahen sikur duan të flasin…

Nga Carol Ann Daffy

Ngjit lëkurës sime, perlat e saj.
Zonja ime më urdhëron
t’i vë dhe ngroh sa të bjerë mbrëmja,
kur do të kreh flokët e saj.
Në gjashtë, ia qarkoj
në qafën e saj të ftohtë,
të bardhë.

Ditës gjithë e mendoj,
teksa prehem në Dhomën e Verdhë, duke hamendësuar mëndafsh apo tafta, çfarë fustani sonte?
Ajo adhuron veten,
teksa unë punoj
me kënaqësi e nxehtësia ime e ngadaltë hyn në çdo margaritar. Plogështueshëm zinxhiri i saj në qafën time.

Ajo është e hijshme.
E ëndërroj në shtratin tim
në papafingo; e përfytyroj tek kërcen
me burra shtatlartë,
pështjelluar nga zalia ime,
e zbehtë e këmbëngulëse
nën parfumin e saj francez,
gurët e saj të qumësht.

I shpluhuros shpatullat me putrën e një lepuri,
sodis skuqjen e butë që depërton nën lëkurë si një psherëtimë dembele.
Në pasqyrën e saj
buzët e mia ndahen sikur duan të flasin.

Hënë e plotë.
Karroca e saj e sjell në shtëpi.
Shoh çdo lëvizje të sajën
në kokën time…
Zhveshja,
heqja e xhevahireve,
dorën e saj hollake që zgjatet drejt kutizës mbajtëse,
rrëshqitjen lakuriq mes çarçafëve,
siç gjithmonë bën …
Dhe unë zgjuar këtu,
duke ditur që edhe perlat tashmë po ftohen
në dhomën ku fle zonja ime.
Gjithë natën
ndiej mungesën e tyre dhe digjem.

Ujdisi shqip Rielna Paja

ObserverKult

Lexo edhe:

CHARLES BAUDELAIRE: DUE ME NDËRTUE PËR TY, MADONË…