Byrekët e Shegës, tregim humoristik nga Skënder Hasko

Skënder Hasko: Byrekët e Shegës

Shega është një fqinja jonë me një moshë rreth të pesëdhjetave. Fqinjësia është goxha e vjetër, mbi njëzetëvjeçare dhe, si i thonë, i njohim dhëmbë e dhëmballë njeri-tjetrit e njëra-tjetrës. E si të mos njihemi aq mirë, kur kemi marrë pjesë nëpër dasmat e secilës palë, kemi lindur fëmijët në të njëjtin pallat e në të njëjtin maternitet?… Edhe fëmijët aty u rritën e u bënë ca nga tetëmbëdhjetë e ca nga njëzetvjeçarë. E, pra, ne i njohim shoshoqit edhe kollën kur ngjitemi nëpër shkallë, të mos themi se i njohim edhe ato “kollitjet” e zonës së poshtme…
Unë në këtë tregim nuk do të merrem me shumë gjëra, por do t’u rrëfej vetëm një esnafllëk të Shegës, atë të byrekbërjes. Ky esnafllëk ndodhte aty nga mesi i çdo jave, herë të mërkurën e herë të enjten, rreth orës njëzetë e një, kur të gjithë dyqanet e ushqimoreve ishin mbyllur.

Shega, me ndonjë filxhan çaji, filxhan kefeje apo gotë uji në dorë, trokiste te dera e njërës nga fqinjët dhe kërkonte atë për çka kishte nevojë.
Javën e parë të muajit që shkoi, fiks në orën njëzetë e një e pesë minuta, trokiti në derën tonë dhe, pa hyrë mirë brenda, duke buzëqeshur e tërë përkëdhelka, i tha gruas sime:

Uuu, pika më rëntë, moj Shanisha, si paskesha harruar të blija miell? E dija se kisha, po kur hapa dollapin, shiko e shiko, nga të gjitha llojet e ushqimeve kishte aty brenda, vetëm miell s’kishte…

Mirëpo dua t’u bëj një byrek kalamajve, se u kam dhënë llafin. I thashë tim shoqi, Rustos: “T’u bëfsha, hidhu një vrap deri te dyqani i ushqimores dhe blijna një qillo miell, se më paska mbaruar!…” Ai m’a ktheu: “Po ku ka dyqan hapur në këtë orë, moj të qëlloftë! Merr ndonjë gotë te komshinjtë, pa ua kthen nesër…” E, ja, erdha, moj Shanisha motra… Të ndodhet ndonjë gotë miell? Ta bie motra nesër…

Shanishaja i merrte gotën nga dora dhe ia mbushte dingas. Shega çelej në fytyrë, e rrëmbente gotën me miell, sikur kishte frikë mos i kthehej mendja Shanishasë sime, dhe nisej të ikte. Në të dalë të derës, i thoshte Shanishasë:

Të rruashin kalamajtë, se më shpëtove! Mos u bëj merakë, se ta bie nesër!

Ik, moj Shegë, ik, dashke të më biesh një gotë miell!… Nuk e dua! U bëftë gjak e dhjamë kalamajve e Rustos byreku që do bësh me këtë miell!

Uuu, paç e dhënç, paç e dhënç! – thoshte Shega dhe zbriste me nxitim shkallët e pallatit, pastaj dëgjohej hapja dhe mbyllja e derës së apartamentit të vetë, që e kishte një kat më poshtë nesh.
Gruaja, pasi mbylli derën, më tha mua:

Hallall e pastë atë gotë mielli, se të gjitha harrojmë të blejmë ndonjë yshqyrat e detyrohemi të marrim hua te fqinjët.

Hallall, – ia ktheva unë dhe mirë bëre që ia fale, se nuk do fukarepsemi për aq gjë!…
Në mesin e javës tjetër (më duket se qe e enjte), Shega erdhi e trokiti përsëri në derën tonë, duke mbajtur në dorë një filxhan kefeje. Pasi lëshoi atë buzëqeshjen, që më tepër i ngjante një ngërdheshjeje, tha:

Shankë, t’u bëftë Shega kurban, ke të më huash një filxhan vaj? S’dua vaj ulliri, jo, po nga ai i kikirikut-a, i misrit-a, ç’të kesh!… Më rëntë pika, më rëntë, qysh paskesha harruar të blija vaj… Çdo gjë kisha në dollapin e ushqimeve, veç vajit…
Dhe, me një të folur monotone, që të mërziste veshët, tha ato që na kishte thënë për miellin javën e parë, tamam si t’i kishte regjistruar në kasetë magnetofoni…
Shanishaja ia rrëmbeu filxhanin nga dora dhe ia mbushi me vaj luledielli. Ndërkohë Shega vazhdonte të fliste:

Bëfsh hajr, Shankë, se desh më mbeti byreku pa bërë … Dhe përse? Për kaq vaj… Mos u bëj merak, se ta bie nesër, ë!…


Gruaja, si edhe një javë më parë, ia ktheu:

Ik, moj Shegë, ç’më llafos! S’mbetemi keq për një filxhan vaj ne! Bëne byrekun e t’u bëjë mirë kalamajve e Rustos! Dhe dëgjo: se mos të shkon ndërmend të ma sjellësh vajin,ë, se të zemërohem!
Shega iku duke uruar e duke ecur me terezi, se mos i derdhej vaji nga filxhani, meqënëse Shanishaja ia kishte mbushur buzë më buzë.

Shega erdhi edhe herë të tjera, po jo më për miell a për vaj, por për ndopak gjizë, për kripë, madje edhe për ndonjëçikë mish të grirë… Gruaja i jepte Shegës çdo gjë që kërkonte dhe, meqë ishin sasi të pakta, gjithmonë ia falte.
Pasi kishin kaluar nja dy-tre muaj, gratë e pallatit, të mbledhura në ditëlindjen e fqinjës Hatixhe, ku Shega mungonte, mësuan një marifet interesant të saj.

Moj, pse nuk ka ardhur Shega? – pyeti Afërdita.

Hë de, pse s’ka ardhur, – ia ktheu Semihaja. – S’besoj të ketë ndonjë hall, se s’ka gjysmë ore që ishte tek unë e mori një gotë nga ato të ujit me miell, se kishte harruar të blinte e i duhej për të bërë byrek për kalamajtë. Ia mbusha gotën dhe ia fala, se ishte turp t’i kërkoja të më kthente një gotë miell… Uh, një gotë miell… Harron njeriu të blej ndonjë gjë. Edhe ne harrojmë.

Se mos kishte harruar të blinte vetëm miellin, – tha Diana, – ajo edhe për të blerë vaj kishte harruar, se erdhi tek unë e më kërkoi një filxhan borxh, po unë ia fala.

Uaaa, – ia bëri Shkëndija, – prandaj erdhi e mori gjizë tek unë ajo?! Ashtu më tha dhe mua: “Kam harruar të blej gjizë, se të tjerat i kam”.

Biseda u hap si petët e byrekut të Shegës… Fol njëra e fol tjetra, trego njëra e trego tjetra dhe doli që Shega, çdo javë, i bënte byrekët duke e marrë çdo gjë hua. Te njëra fqinje merrte miellin, te tjetra vajin, tek e treta gjizën apo mishin e grirë e kështu me radhë. Veçse në këtë punë bënte një marifet: atje ku merrte miellin javën e parë, javën e dytë merrte vajin e javën e tretë mishin e grirë, gjizën apo kripën…

Kështu, në atë ditëlindje, në vend që në qendër të bisedave të ishte Hatixheja, “hyri” Shega me marifetin e saj. Gratë herë qeshnin e herë zemëroheshin ngaqë u vinte inat se, siç thoshin, “i kishte bërë budallaçka një copë Shegë…” , por ama në fund e morën një vendim: “Që sot e tutje, asnjë gram miell, gjizë, kripë e çdo gjë tjetër ushqimore nuk do t’i huet Shegës, edhe sikur këmbën të tundi, se na ka bërë lolo! Betohemi!”

Ky vendim i grave të pallatit bëri që Shega të bënte tërë përpjekjet për të ndërruar pallatin dhe ia arriti: e shkëmbeu apartamentin me një familje që banonte në një pallat një kilometër më tutje.

Kjo do ta ndihmonte të mos “harronte” zanatin e byrekbërjes… Ama nuk i duhet mohuar edhe një meritë: ajo la edhe një si punë proverbi… Sa herë mungonte ndonjë send ushqimor në shtëpinë tonë dhe lindte ideja për të marrë hua te fqinjët, nëna ime thoshte:

Mos e bëni si Shega, po shkoni e blini ushqime në dyqan!…
Pas fjalëve të nënës, mua më vinte ndër mend ajo fjala e urtë popullore, që thotë: “S’mbahet shtëpia me miell hua!” dhe bërtisja: Grua, shpejt në dyqan, se u bëmë si Shega!…

ObserverKult


A i është dashur letërsia botës? Ndoshta nuk do të kishim të drejtë ta bënim këtë pyetje që të kujtonim autorët e dobët të TV-it, kur përpiqen të gjallërojnë një bisedë shterpë, sikur pyetja të mos ishte bërë, ndërkaq, mijëra vjet më parë.

Lexo edhe:

TAKIMI ME KADARENË: I QETË NË RRUGICËN E TIJ, I VETËM E PA TRUPROJË – JO SI VIP- AT E VUP- AT SOT!

Nga: Arjan A. Bejko

Takimi im me shkrimtarin tonë të shquar Ismail Kadare nuk ishte rastësi, por diçka e planifikuar. Kjo ka ndodhur diku rreth vitit 1986, pra në një kohë kur brezi ynë i përhumbur kishte pak mundësi për t’u larguar qoftë edhe përkohësisht nga Shqipëria.

Të vetmet porta që na lidhnin formalisht me Botën e Largët ishin televizori, kinemaja dhe librat.

E megjithatë ne fluturonim çdo ditë “jashtë shtetit” (siç thuhej asaj kohe) me krahët e fantazisë, të cilat viheshin në lëvizje nga pasioni për të njohur botën dhe të fshehtat e saj.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult