Takimi me Kadarenë: I qetë në rrugicën e tij, i vetëm e pa truprojë – jo si VIP- at e VUP- at sot!

O ju korba, atë natë Syt'e zez përse m'i latë? Drejtë atdheut, n'errsirë, Ika detit Por të lidhur me zinxhirë Prap e gjeta.

Nga: Arjan A. Bejko

Takimi im me shkrimtarin tonë të shquar Ismail Kadare nuk ishte rastësi, por diçka e planifikuar. Kjo ka ndodhur diku rreth vitit 1986, pra në një kohë kur brezi ynë i përhumbur kishte pak mundësi për t’u larguar qoftë edhe përkohësisht nga Shqipëria.

Të vetmet porta që na lidhnin formalisht me Botën e Largët ishin televizori, kinemaja dhe librat. E megjithatë ne fluturonim çdo ditë “jashtë shtetit” (siç thuhej asaj kohe) me krahët e fantazisë, të cilat viheshin në lëvizje nga pasioni për të njohur botën dhe të fshehtat e saj. Atë kohë Shqipëria ishte pak e shumë një shkretëtirë intelektuale me shumë pak oaze diturie ku brezi ynë i etur kërkonte freskim të intelektit.

Unë e shuaja etjen me ato pak libra të zgjedhur, me shokët e mi më besnikë, që s’më lënë kurrë në baltë, të cilët më rrinë në edhe sot e kësaj dite.

Si adhurues i poezisë dhe prozës së Kadaresë, në atë kohë edhe sot, mendoja se ai nuk ishte i shquar vetëm për ne, por për mbarë botën. Për t’u bindur se kisha të drejtë lexoja paralel romanin “Zoti President” të nobelistit nga Guatemala, Miguel Angel Asturias, të përkthyer gjenialisht në shqip nga gjiganti i kulturës shqiptare Petro Zheji, me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe bëja krahasime në lidhje me stilin, fantazinë dhe forcën shprehëse të këtyre dy kolosëve të letërsisë botërore.

Brenda shpirtit tim luftonte shqiptari gjirokastrit nga njëra anë dhe paanshmëria e gjykimit nga ana tjetër, edhe pse për shumicën e shqiptarëve paanshmëria është thuajse utopi, madje ndonjëherë merret edhe si tradhëti kombëtare. Për të qenë i sinqertë, herë më dukej Kadarè më lart e herë Asturiasi. Kjo varej shpesh nga gjendja shpirtërore, nga moti emocional, nga ndeshjet, që fitonte apo humbte Tirana jonë e dashur me yjet e saj Shkëlqim Muça, Arben Minga dhe Agustin Kola, apo edhe nga barometri i halleve.

Këto krahasime shkrimtarësh janë në fakt tepër subjektive, sepse veprat e mëdha të artit e letërsisë kanë vlerë absolute dhe nuk preken aspak nga Relativiteti i Gjykimit Popullor, sepse ato janë krijime të shpirtrave të trazuar, të fytyrave të vrerosura dhe zemrave të lënduara, kështu që ato kapin lartësi të paarritshme për kritikën me këmbë në tokë, por pa krahë.

Në atë kohë turbullirash dhe pasigurie për të ardhmen isha dashuruar me vajzën, që më vonë u bë edhe bashkudhëtarja ime në rrugën e vështirë dhe akoma të përfunduar drejt njohjes së vetvetes dhe njeriut. Pra, dashuria lind e lulëzon jo vetëm kohën e kolerës si tek romani i Marquezit, por edhe në kohën e komunizmit post- otoman.

Dihet botërisht se pa zjarrin që ndezin femra nuk ka as art, as letërsi dhe as muzikë. Krijimet më të bukura gjithmonë i ka nxitur një dashuri e madhe. Edhe unë isha i dashuruar dhe për të impresionuar të dashurën time, vendosa të shkruaja një tregim, për t’i treguar asaj, se isha jo vetëm i dashuruar, por edhe zotrues i disa pronave të çmuara, në formë ëndrrash të patundëshme.

Rinia jonë nuk kishte pasuri të shumta materiale, sepse ato ishin pronë e përbashkët e shtetit dhe shërbyesve të tij.

Jo më kot, në atë kohë, dikush tha atë shprehjen e famshme që hyri në histori:

– “T’i kapësh për këmbësh çunat që dalin në xhiron e madhe dhe t’i kthesh me kokë poshtë, nga xhepat e tyre do të bjerë përdhe vetëm çelësi i shtëpisë”.

Tregimit që shkrova ja vura titullin “Plaka me pallto të kuqe”. Ishte një tregim humoristik ku bëhej fjalë për luftën e ashpër që zhvillohej brenda një fisi, kur dikush i ardhur nga jashtë fillonte të ndante dhuratat që kishte prurë. Një familje luftoi heroikisht, deri sa e bindi vizitorin nga bota e huaj, që një pallto të kuqe, të prerë bukur për nuse të reja belëholla, t’ia bënte dhuratë plakës së shtëpisë, ku vizitori kishte ndenjur disi më gjatë. Jo po na deshën nuset e fisit ta linin plakën e gjorë të mbërdhinte dimrit, si plaku i vjershës së Ndre Mjedës në ballkonin e mbushur m borë

Isha munduar të bëja disa krahasime e lojëra fjalësh, që të dëshmoja se nuk më mungonte origjinaliteti.

P.sh. një personazh pa flokë, e përshkruaja: Hemisfera veriore e globit, që ai mbante mbi supe, ishte mbuluar nga një Oqean i Ngrirë Djerse. Ose në një rast tjetër ku kryemjekja e pavijonit u mburrej infermiereve më të vëllanë, që kish dalë tre herë jashtë dhe shefi i pavijonit, i cili kish dëgjuar vetëm copëza bisede, kish tundur kokën duke menduar: Sa pa nivel që janë! E gjithë biseda e tyre sillet rreth kapsllëkut dhe diarresë.

Pasi e shkrova tregimin ia dhashë ta lexonte të dashurës sime. Ajo e pëlqeu shumë dhe më pyeti :

– Ç’ke ndërmënd të bësh me tregimin?

– Do t’ja jap Ismail Kadaresë ta lexojë, i thashë, pa e ditur as vetë në e kisha me gjithë mënd apo bëja shaka.

– Ti bën shaka! – më tha ajo. Ç’punë ka Ismail Kadarè me tregimin tënd? Atij me siguri i kanë ardhur tregimet e veta në majë të hundës.

– E ke gabim, i thashë, krijimtarinë dhe fëmijët e tij njeriu i do përjetësisht e pa kushte.

– Mirë, tha ajo, duke më lënë të qetë, bëj si ta shohësh të arsyeshme. Ndoshta u pendova për këtë vendim, por nuk doja të tërhiqesha. A ka shqiptar që trembet nga vështirësitë? E shkruajta tregimin edhe njëherë me shumë kujdes, me stilograf, duke u munduar që shkrimi të ishte sa më i lexueshëm.

– “Në s’më pëlqen tregimin, të paktën të më lavdërojë për shkrimin” – mendova.

Me tregimin në dorë i zura atij pritë, para shtëpisë në rrugën e Dibrës, ku ai banonte. Këtë strategji e kisha huajtur nga ata djemtë Don Zhuanë që i zinin pritë te rrugica apo rruga e tyre, vajzave që ata pëlqenin. Por, dhe ata këtë strategji e kishin huajtur instinktivisht nga luanët e xhunglës, kur ata u zënë pritë sorkadheve te burimi. Ka njerëz që mësojë në shkollë, por ka edhe nga ata që mësojnë me të vjedhme, siç ka edhe shumë të tjerë që mësojnë nga kafshët.

Pasi kisha pritur gati gjysmë ore, rreth orës 14:00, dikush më kish thënë se ai vinte në shtëpi rreth kësaj ore, pashë shkrimtarin e shumëpritur të futej i qetë në rrugicën e tij vetëm, pa truprojë, jo si VIP- at e VUP- at sot. Ai me siguri nuk e dinte se ç’e priste.

Ishte ai dora vetë, shkrimtari, që disa herë do të bëhej kandidat për Çmimin Nobel, por që për mendimin tim, e meriton më shume, se pjesa më e nadhe e aryre që e kanë.

Edhe në atë kohë fama e tij kish marrë dhenë. Mendoja se do t’a kisha të lehtë, por ndjeva emocion më shumë nga ç’e pandehja. Një shprehje e ish-futbollistit të Tekstilistit Nokes, që më inkurajonte në raste të tilla, nuk më ndihmoi aq sa duhej. Kjo shprehje hyri në historinë e pashkruar të futbollit, kur Tekstilisti si debutant në kategorinë e parë, po përplasej me “Partizanin” e famshëm të asaj kohe. Tekstilisti me frikë e respekt para “yjeve” të “Partizanit” ish tërhequr krejtësisht në gjysëmfushën e tij. Nokja, një mbrojtës i fortë, por pa teknikë të lartë në përdorimin e topit, rrëmbeu një top, dribloi një kundërshtar, edhe një tjetër dhe mbërriti në vijën e mesit të fushës. Aty i befasuar dhe i habitur, ndaloi dhe lëshoi kushtrimin legjendar: Para çunat e Kombinatit, se këta të Partizanit nuk qënkan gjë.

Filozofia e Nokes më pëlqente, sepse tregonte se njerëzit janë më afër me njëri-tjetrin, nga sa i paraqet media, shtypi e publiciteti.

Por, në këtë rast shprehja e Nokes nuk më ndihmoi thuajse fare. Në figurën e shkrimtarit Kadare, kishte diçka vërtet imponuese, ndoshta për faktin se ishte i vetmi shkrimtar i pas luftës, që lexohej me kënaqësi, pa përdorimin e aspirinës, pa llogaritur Lasgush Poradeci, që kishte dalë në ilegalitet me fantazinë e tij.

Mendova të largohem pa i folur, por i futur thellë në atë sipërmarrje, e ca më thellë në rrugicën e huaj, nuk doja të tërhiqesha.

I dola përpara shkrimtarit dhe i thashë me një zë që përpiqesha të ishte sa më miqësor dhe i shkujdesur.

– Më falni një minutë ju lutem, kisha diçka për t’ju thënë!

– Kush jeni ju? – ma ktheu ai me habi, hutim, ftohtësi e pak bezdi në fytyrën e lodhur nga paraditja e mërzitshme në lidhjen e pseudoshkrimtarëve.

– Një lexues i thjeshtë, një admirues i artit tuaj, – i thashë me një zë që sa vinte dhe e humbiste sigurinë dhe timbrin e zakonshëm.

Disi më i ngrohtë se më parë, më drejtoi një pyetje spartane:

– Ç’dëshëroni?

Fillova të flas, pa atë radhën e paramenduar në fazën përgatitore.

Kam shkruar një tregim të shkurtër dhe do t’iu isha shumë mirënjohës sikur të ma lexonit ju.

Ai s’po e kuptonte krejtësisht domethënien e kërkesës time dhe më drejtoi një pyetje lakonike:

– E përse duhet ta lexoj unë?

– Për të ma vlerësuar, u mundove të flas sa më shkurt, sepse po më dukej vetja fajtor që po i grabisja kohën e çmuar atij burri të shquar.

Ai buzëqeshi pak (me siguri e ndjeu se nuk kish të bënte as me keqbërës dhe as me ndonjë hafije të sigurimit, por thjesht me një të ri entuziast) dhe tha :

– Por për këtë punë ne kemi shtëpi botuese, revista, redaktorë dhe kritikë.

Te fjala e fundit shtrembëroi pak fytyrën, si të kish futur pa dashje diçka të thartuar në gojë.

– Por unë s’kam ndërmend ta botoj tregimin, unë dua të di vetëm a vlen apo jo dhe mendova se më mirë se ju nuk mund t’a gjykojë askush tjetër.

– Mirë, tha ai, meqë puna qënka kështu, po e marr tregimin me vete dhe nesër mbasdite eja tek Lidhja e Shkrimtarëve të dëgjosh mendimin tim për të.

Nuk i thashë se jam gjirokastrit nga Dunavati, që të merrja vlerësim të paanshëm. Të nesërmen shkova te lidhja e atyre që bënin sikur shkruanin.

Shkrimtari i madh u ngrit nga tavolina e mbushur me ëmbëlsira e komplimente të atyre, që e shoqëronin dhe erdhi më takoi.

Më dha dorën dhe më tha:

– E ke shkruar bukur! Ke penë!

Unë u largova me vetëdijen, se kisha takuar të vetmin shkrimtar zyrtar që kishim, midis një morie të panumërt shkruesish qesharakë, si ai shkruesi Vanjek në romanin e Hashekut “Ushtari i mirë Shvejk”./(telegrafi.com)