Camus: Do të mbesë veç dielli i dashurisë sonë

Ai ylli në ngjitje i rretheve letrare në Paris. Ajo vajza e kryeministrit të fundit të Spanjës republikane. Të dy takohen në më 1944, ndërsa natën e parë e kalojnë në shtëpinë e Jean Paul Sartre. Në mes të marrëdhënies së tyre pengesë bëhet bashkëshortja e Camus, Francine.

Albert Camus hipi në atë makinë për shkak të motorrit të fuqishëm, një Facel Vega. Botuesi i tij, Michel Gallimard ishte kaq krenar. Ndodheshin në Lourmarin, në jug të Francës, në shtëpinë që shkrimtari bleu me paratë e çmimit Nobel. Ishte një vend “arratisjeje” për familjen e tij, bashkëshorten Francine dhe dy fëmijët.

Micheli mendoi që të niseshin për në Paris, në një udhëtim të gjatë nëpër shi që nuk përfundoi kurrë. U përplasën pas një peme, pak para Fontainebleau. Ishte 4 janari i vitit 1960. Katër ditë para se të ndërronte jetë, Camus i kishte shkruar letrën e fundit të dashurës, Maria Casares, një ndër aktoret më të famshme të asaj kohe. “Jam kaq i lumtur nga ideja që do të të takoj, saqë po qesh duke shkruar”.

Një shekull nga lindja e Camus, më 7 nëntor 1913, Gallimard ka publikuar korrespondencën, deri më tani sekrete, mes tij dhe Casares: 865 letra, nga 1944 deri në ndarjen nga jeta të shkrimtarit. Nëpër rreshta vihet re në besim i vazhdueshëm dhe një pjekuri e pashembullt, megjithë frikën dhe ndarjet e vazhdueshme. “E kam vendosur tashmë”, shkruan ai, “Do të jemi bashkë përgjithmonë. Këto nuk janë veçse re të lehta. Do të kalojnë, e do të mbesë veç dielli i dashurisë sonë.” “Të dashuroj”, i përgjigjet ajo, “Siç dashurohet deti”.

Të dy u takuan më 19 mars 1944, në Parisin e pushtuar nga nazistët, në shtëpinë e shkrimtarit Michel Leiris. Camus më pas do të zgjidhte pikërisht atë grua brune dhe të ligsht, me shikim të mprehtë e zë të ngjirur, për të interpretuar Martën në dramën “Keqkuptimi”. Në përfundim të një mbrëmjeje në shtëpinë e Jean Paul Sartre dhe Simone de Beauvoir, Maria dhe Alberti kaluan natën e parë së bashku. Ishte e njëjta ditë kur trupat aleate zbarkuan në Normandi, natën mes 5 dhe 6 qershorit. Ai ishte 30 vjeç, ajo 21. Shkrimtari jetonte vetëm në Paris, ndërsa bashkëshortja, Francine, pianiste dhe matematikane kishte mbetur në Orano, në Algjeri për shkak të luftës. Por pas pak u bashkuan sërish, ndërsa Camus nuk dinte kë të zgjidhte derisa në 1945 lindën dy binjakët e çiftit Camus.  Maria e la dhe u largua. Por katër vite më vonë, sërish më 6 qershor, të dy u takuan rastësisht duke ecur në Saint-Germain-des-Prés.

Pasioni u ndez sërish, por Camus nuk u nda kurrë nga Francine, edhe pse i ankohej vazhdimisht për depresionin e tij Marias. Ndjente dhembshuri (apo dashuri?) për gruan e tij, ndërsa Maria Casaresit iu desh të duronte edhe dashnoret e tjera që pati vitet e fundit të jetës, si për shembull Catherine Sellers e cila nisi t’i merrte edhe rolet në shfaqjet e Camus.

Maria ishte vajza e kryeministrit të fundit të Spanjës republikane. Me fillimin e luftës civile, u arratis në Paris. Megjithë theksin spanjoll, arriti të interpretonte në filma dhe drama radiofonike, ashtu siç u bë edhe një ndër yjet e para të festivalit të d’Avignone. Siç thoshte vetë, me Camus ndante “dobësinë dhe forcën, të dyja fryt i ekzilit” (Camus kishte ardhur nga Algjeria).

Nëpër letra shkëmbehen komente mbi letërsinë, spektaklet, modën e Parisit dhe jetën e përditshme metropolitane. Por, nëse Catherine Camus, vajza e nobelistit, vendosi që t’i botonte këto letra është sepse në to gjendet letërsi e pastër. Ajo e ka takuar vetë Maria Casares në vitet ’80 pas vdekjes së mamasë. “Kaluam gjithë pasditen të ulura në shtrat duke ngrënë çokollata, sikur njiheshim prej kohësh”, tregon Catherine, e cila më pas shton se edhe mamaja e saj, Francine, kishte respekt për të dashurën e Camus. “Letrat e tyre”, shkruan e bija e Camus në parathënien e librit, “e bëjnë tokën më të madhe, hapësirën më të shndritshme dhe ajrin më të lehtë, thjesht sepse ata të dy ekzistuan.”/Përgatiti Erjon Uka

ObserverKult