Çapajev Gjokutaj: Kadare, pse ky polarizim?

Çepajev Gjokutaj adem jasharin

Nga Çapajev Gjokutaj

1. Sa herë që ka ndonjë lajm për Ismail Kadarenë, rigjallërohen në rrjetet sociale qasjet e njohura ndaj shkrimtarit, qasje që strukturohen në gjedhin e kahershëm: dy grupe me qëndrime krejt të kundërta; njeri e vlerëson deri në kufijtë e idealizimit, i dyti e kritikon duke kaluar hera-herës në viset e mohimit.

Asgjë e re nga fronti i opinionit popullor për shkrimtarin tonë të shquar, mund të thoshe në një vështrim të parë e të sipërfaqshëm. Që nga vitet 1960 e deri në ditët tona, për treçerek shekulli me radhë diskutimet për Kadarenë kanë gjeneruar vazhdimisht polarizime të tilla. Vetëm se kur e sheh dukurinë më nga afër, dallon se ka diçka të diskutueshme, madje edhe vështirë të shpjegueshme: kanë ndryshuar çuditshëm motivet e grupit kundër, thënë ndryshe motivet e detraktorëve.

Sot ky grup e kritikon shkrimtarin kryesisht për marrëdhëniet me diktaturën. Në postime, “Fejsbuku” e komente përfund tyre, sillen zakonisht vargje që Kadare pat shkruar për partinë, postohet e ripostohet një vjershë e kahershme për qenin e kufirit, përmendet me ironi disidenca e vetëpretenduar, rikujtohen artikulime të Kadaresë kundër vlerave letrare të Fishtës etj.. Lista mund të shkonte gjatë, po kritikat më të hasura mbeten ato që mund të përmblidheshin në sintagmën “shkrimtar oborri”.

Ngjan tejet e çuditshme, por në periudhën totalitare argumentet për ta kritikuar e sulmuar shkrimtarin kishin motive të kundërta, shumica e tyre përmblidhej në shprehje të tipit ‘nuk shkruan për popullin po për të huajt’, ‘ia ka me hile partisë, se shumë gjëra mund të lexohen edhe ashtu, edhe kështu’ etj., etj.. Thënë shkurt dje sulmohej për herezi ndaj diktaturës, kurse sot për shërbime ndaj saj, dy gjëra këto që e kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe vështirë të artikulohen nga të njëjtët persona. Rrjedhimisht e me logjikë arithmetike mund të thuash se ata që e kritikonin a mohonin dje nuk janë po këta të sotmit.

Edhe kështu mund të jetë, se dukuria është treçerekshekullore ndaj dhe në grupin kundra s’ka si të jenë të njëjtit njerëz, jeta bën të vetën, shumë kanë ikur e janë tretur, ndërkohë që shumë të tjerë janë bërë të zëshëm në tri dekadat e tranzicionit. Megjithatë, vështirë të thuash se grupi është krejt i rinovuar dhe në të nuk bëjnë pjesë edhe kritikues e mohues të djeshëm. Nuk dihet dhe vështirë të hamendësosh se ç’masë të detraktorëve të tanishëm përbëjnë këta që dje e kritikonin për herezi kundër regjimit, kurse sot e venë në shënjestër për të kundërtën. Gjithsesi, mendja ta do se sado pak të jenë motiv kryesor dhe të vetëm kanë smirën e provincialit për talentin që bota e pranon dhe e vlerëson.

2.Qasja e polarizuar ndaj Kadaresë mund të kuptohet më mirë po qe se shihet si pjesë e një dukurie më të gjerë, me gjasë botërore. Në fakt, nuk janë një a dy shkrimtarët e shquar, që kanë arritur njohje dhe vlerësim ndërkombëtar, por në vendin e tyre, sidomos në fillim, nuk janë vlerësuar nga një pjesë e opinionit publik. Ndër ta mund të rendisësh Orhan Pamuk, Selman Ruzhdie, Gabriel Gracia Marquez, Vidiadhar Naipaul, Chinua Achebe, Milan Kundera, Mario Vargas Llosa etj..

Vetëkuptohet se detraktorët e gjithë këtyre dhe të tjerësh të këtij lloji, duke qenë të shpërndarë në kohë dhe në kontekste krejt të ndryshme, motivohen nga lloj-lloj arsyesh sociale, politike, estetike, historike etj.. Megjithatë, disa motive i gjen të përsëritura shpesh dhe si të tilla synojnë të krijojnë një farë norme. Këtu do të hynin: pikëpamjet e kundërta politike e ideologjike, koncepte të ndryshme për identitetin të përcaktuara nga kundërvënie qasjesh provinciale e folklorike me qasje universale e kozmopolite, pëlqime të ndryshme për modernen dhe tradicionalen në stil dhe në narrativa, zili dhe xhelozi të establishmenteve letrare vendase, por edhe të një pjese të publikut etj..

Pothuajse të gjitha këto motive, që i gjeje shpesh edhe tek detraktorët e Kadaresë gjatë periudhës totalitare, sot janë bjerrë për t’u lënë vendin vetëm shtysave politike ose, siç e thamë, akuzave që përmblidhen në etiketën ‘shkrimtar oborri’. Sot nuk diskuton kush më në rrafshet: është tradicional apo modern, metaforik apo metonimik, i destinuar për intelektualët e për të huajt apo për njerëzit e tabanit, përcjell ambiguitet e alegori estetizante apo qartësi e vendosmëri militanti etj., etj.. Detraktorët përsërisin e stërpërsërisin disa fakte klishe, duke u kujdesur që edhe këto të jenë të njëanshme e të shkëputura nga roli i vyer emancipues, që ka luajtur vepra e Kadaresë në lexuesit e periudhës totalitare.

Natyrisht është në të drejtën e individit apo të grupimeve të ndryshme të zgjedhin për çfarë do diskutojnë edhe kur vjen fjala për shkrimtarë e për letërsi. Në kuadër të kësaj të drejte kushtetuese, që lidhet me lirinë e shprehjes, do të tingëllonte si censurë, po të bëje policin e opinionit dhe të caktoje ku duhet përqendruar diskutimi dhe, aq më pak, çfarë duhet thënë e çfarë duhet lënë.

Gjithsesi, akuzat e detraktorëve për shërbime ndaj diktaturës ngjajnë të ndërtuara mbi gjysmë të vërteta si dhe mbi seleksionim tejet tendencioz të fakteve. Për t’u dhënë jetë këtyre akuzave e për t’i bërë ato më bindëse, detraktorët harrojnë ose injorojnë rastet kur krijimtaria e Kadaresë grishte për kundërvënie me institucionet, praktikat dhe frymën totalitare. Dhe këto s’janë të rralla.

Tabir Saraj psh., institucioni grotesk që tregonte frikshëm prirjen e shtetit totalitar për ta kontrolluar individin dhe për të hyrë deri në kthinat më të thella të privatësisë së tij, në ëndrrat e gjumit, u lexua edhe nga qarqet zyrtare të kohës si “aluzion për institucionet tona”. Ritregimi mjeshtëror i legjendave të moçme shqiptare u shfrytëzua nga Kadareja për të plazmuar idenë e identitetit europian të shqiptarëve dhe më tej shkëputjen brutale nga kontinenti mëmë dhe lidhjen e përdhunshme pas një perandorie obskurantiste. Vetëkuptohet si do të lexoheshin nga banorët e një vendi të mbyllur dhe të vetizoluar të gjitha këto. Lënë mënjanë raste të tjera të këtij lloji, vepra e Kadaresë në tërësinë e saj, me etjen e fuqishme për novatoren dhe bashkëkohoren luante rol të dukshëm emancipues, mes të tjerash nxiste breza të tërë të rinjsh për të synuar modernen, eksperimentin, lirinë.

3.E tepërt të thuash se detraktorët janë vetëm një pjesë e atyre që shkruajnë e flasin në rrjetet e sotme sociale për Kadarenë dhe veprën e tij. Madje, ngjan se janë një pjesë e vogël krahasuar me ata që e çmojnë dhe e admirojnë. Gjithsesi, kur gjykon raportet mes mbështetësve dhe kontrasve mund të gënjehesh dhe iluzionin ta marrësh për realitet. Detraktorët apo kontrasit ngjajnë se janë më shumë sesa në realitet, ngaqë bëjnë më shumë zhurmë, por edhe ngaqë algoritmet, që koordinojnë funksionimin e rrjeteve sociale, janë ndërtuar në mënyrë të tillë që të nxisin me përparësi vëmendje për negativen dhe të lënë dis në hije pozitiven.

Ka edhe diçka tjetër. Dikur diskutimet pro dhe kundër Kadaresë zhvilloheshin përgjithësisht në trajtë debatesh, kryesisht orale, në kafene, në ambientet e shkollës, në bordura vendesh publike etj., por gjithsesi ishin dhënie e marrje argumentesh e vlerësimesh mes palëve dhe, si të tilla ndihmonin krijimin e një opinioni sa më real dhe shoqërisht të dobishëm. Sot në rrjetet sociale këto diskutime zhvillohen brenda hapësirash virtuale që në gjuhë teknike quhen “echo chambers”. Algoritmi, për interesa të paracaktuara nxit krijimin e këtyre hapësirave ku individi ndesh vetëm opinione a besime që i vijnë për hosh dhe çimentojnë bindjet a paragjykimet që ka, duke mënjanuar e mohuar palën tjetër, qëndrimin alternativ. Natyrisht që e njëjta gjë ndodh edhe me admiruesit dhe vijmë në situatën kur secila palë ndihet zot në kullën e saj, jo vetëm pa kontakte me palën tjetër, por edhe larg veprës së Kadaresë; thuajse gjithçka që thonë e shkruajnë janë riciklime opinionesh e tifozllëqesh të mëhershme, të zbërdhylura nga përdorimi i shumtë.

Kjo mbyllje kontrastuese, disa në kullat e kritikës e të denigrimit dhe disa në ato të vlerësimit e të admirimit, bëhet më shqetësuese po t’i shtosh heshtjen që vjen nga qarqet letrare dhe nga ato akademike, heshtje që me kalimin e viteve sa vete e po bëhet më e thellë e më e patrazuar. Të krijohet përshtypja se veprën e Kadaresë e kemi kthyer në ikonë dhe po e mbyllim në kamare rreth të cilës gumëzhin një gërrmër pëshpërimash ikonoklastie a ikonolatrie, të artikuluara jo aq për hir të veprës sa për tifozllëk dhe maraze të paçliruara. Ia vlen të kujtojmë më shpesh se korpusi kadarean është pasuri e çmuar kombëtare dhe, si çdo thesar apo kapital, nuk e ka vendin në muze a në qyp, po në qarkullim e riqarkullim të përditshëm, për të krijuar e rikrijuar vlera të reja./panorama.com.al

ObserverKult


Çepajev Gjokutaj adem jasharin
Çapajev Gjokutaj

Lexo edhe:

“GJITHOLOGË VS EKSPERTË” NGA ÇAPAJEV GJOKUTAJ

Nga Çapajev Gjokutaj

M’u desh të shfletoja disa shënime të kohës së karantinës kundër covidit. Më ra veçanërisht në sy njeri ku shënoja se në banaqet televizive ishin pakësuar gjithologët dhe qenë shtuar goxha ekspertët, kryesisht mjekë, por edhe ekonomistë, statisticienë, kimistë, biologë etj., jo vetëm nga ata ‘brenda unazës e këndej bulevardit’, por edhe nga diaspora.

Vetëm se nuk durohen, ironizoja. Moderatori a moderatorja i pyet, kurse ata jo rrallë ia kthejnë: këtë duhet ta thotë imunologu, unë jam infeksionist; këtë duhet ta thotë ndonjë ekonomist, unë jam biolog’.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult