Nga Çapajev Gjokutaj
Sa shumë selfie! Nuk guxon të hysh në fejsbuk a instagram se ndihesh i përmbytur prej tyre. Në fakt shqip duhet t’u thoshnim autoportret, po mbase është më mirë që i quajmë selfie: ku autoportretet e Rembrandit, Van Gogut, Frida Kalos etj. etj. dhe ku selfiet e sotme.
Të parat priren nga thellësia, të dytat nga sipërfaqja; të parat të joshin të qëndrosh e t’i shohësh gjatë, të thellohesh në psikologji e karakter; të dytat janë të qasjes hi-bye, të shpejta, njëpërdorimshe…
Një gjë të bën përshtypje: rrallë, shumë rrallë has mes miqsh shqiptarë selfie komike, dmth autofoto që e nxjerrin postuesin në pamje jo fort të pëlqyeshme, madje edhe qesharake. Njerëzit e zgjuar i përdorin këto për të krijuar atmosferë, për të ndërtuar një marrëdhënie gazmore, mbushur me mirëbesim, qeshje e nënqeshje.
Dhe duke ecur kësaj rruge mbase lënë më shumë mbresa te rrethi i miqëssisë virtuale. Është e njëjta teknikë që përdorin hokatarët: bëjnë humor me veten jo se e nënçmojnë a e përçmojnë, por se janë të bindur për vlerat që kanë.
Thonë se teprimi me selfiet mund të jetë shenjë e një vlerësimi të ulët për veten, dëshirë për të tërhequr vëmendje, pasojë e vetmisë dhe e të tjera mungesash e dobësish.
Po ç’të gjeti ty se tjetra a tjetri një e dy e poston selfie, do thoshte i urti, apo të dhemb se të kujtojnë ç’surrat ke?
(Nga cikli ‘Zgara e meditimeve të çastit’)
ObserverKult
Lexo edhe: