Cecilia Resio: Gra që enden natës pa kërkuar një burrë…

buzeqesh

Gra që enden natës pa kërkuar një burrë
ose një shtrat me një burrë brenda,
ose një vështrim të përshtruar apo përshtrimin e një vështrimi.
Gra që mjaftojnë dhe që dinë të mjaftohen,
që nëse enden e bëjnë për t’u endur dhe jo për t’u gjetur,
shumë – shumë për t’i bërë të tjerët të humbasin gjurmët e tyre,
gra të nginjura me pjesën tjetër,
po kurrë të nginjura me veten.
Gra që rreken t’i
paraprijnë ankthit të vet
duke marrë të fundit stol në sfond, majtas, atë në kurbë, më të qetin,
në terr larmuar me anison, në pasqyrimin e bakërt të banakut,
në bosht të të ndenjurave të përkryera,
dyshemenë.
Ato gra, në heshtjen e tyre vetmitare,
në ashpërsinë e një ëndrre,
në mospërfilljen e dëshpëruar të një ideje ndoshta të zakonshme,
në vetëkundrimin e padobi, në gulçimin e një vuajtjeje dhe brenda metrit katror të një hamendësimi të guximshëm.
Gra si unë, si ju dhe të tjera, që nuk dinë ku ta vendosin veten,
ja, këtyre grave u kushtoj zërin e ngjirur të një dite të mbarë gjelbëroshe,
dëllinja dhe duhan,
ku do të duhej edhe një
piano luajtur në largësi për të mos u ndjerë jashtë vendit,
ku bota duhet të gjejë një tjetër zë për fjalorin e saj:
as dashnore, as të martuara,
as të dëshpëruara e as kurva.
Ah po, do të duhej fishkëllima e një bukëpjekësi me biçikletë,
një këngë franceze, një aforizëm, një fjali e përsosur.
Do të duhej një strehë.
Në disa mëngjese të lyrshme ku vapa i mbyt edhe takat
dhe ku shtëpitë duken gjithmonë shumë larg për t’u kthyer.

Ujdisi shqip: Rielna Paja

ObserverKult

—————-

Lexo edhe:

CHARLES BUKOWSKI: VALLË, A ËSHTË E MUNDUR TË DUASH NJË NJERI?