Çela: Këtu, mjalta është më e hidhur se çdo helm!

Ku na duket balta ma e ëmbël se mjalta? Këtu, si gjithnjë, në vendin e të parëve.
Ku na bëhet mjalta ma e hidhur se çdo helm? Sigurisht, këtu, si gjithmonë këtu, në vendin stërgjyshor… Ashtu si paraardhësit tanë, të ndjerët stërgjyshërit tanë, të gjithëve një ditë do të na mbulojë dheu. Sa lopata prej tij hidhen në një varr? Si zor t’i ketë numëruar a peshuar dikush. Dhe s’ka përse, atje është i natyrshëm…

Nga Zija Çela

Mirëpo, tashmë, pa pritur gjendjen së vdekurish, prej mizorisë së sjelljes sonë po mësohemi me baltën qysh në të gjallë. Dhe në këtë akt pervers të llaçit e të llucës, e arrijmë ekstazën sidomos, sidomos kur nuk e kthejmë nga vetja, por përbaltim të tjerët.

Mungesa e argumentit ia hap shkurt rrugën baltës. Ndërsa goditjet, siç shpjegon shkenca, janë të pritshme të shoqërohen nga kundërgoditjet. Hidh e prit, prit e hidh, një fillim pa mbarim. Veçse askënd të mos e rrejë mendja se, duke mos qenë vetë shënjestra, mbetet i papërfshirë, pra, higjienik. Jo, kurrsesi jo! Prej çdo grushti balte që hidhet, të gjithëve na spërkatin ca cirkla. Prandaj, mos pyet se kush po gjuhet, por ndaloja dorën atij që gjuan. Ndryshe… Ndryshe nuk është çudi që, një ditë prej ditësh, asaj këngës së njohur për shiun t’i shkojë dhe ky tekst: “Baltë bie mbi Tiranë…” Përfytyroni një çast se çfarë qielli do të jetë dhe sa shumë mund të tremben fëmijët e shkretë.

A thua kaq përvëluese janë bërë acidet e inateve, sa tashmë të jetë marrë vendimi final: “Ose ta ha rrashtën me gjithë kocka, ose ma ha!”. Në këtë lloj nekrofolie është vetë balta që po aludon mishin.

Llahtari e lemeri, verbëri e njeriut kundër njeriut. Prej dhembjes, kur sheh një të tillë gjëmë, për të mos iu dorëzuar dekadencës, nuk di përse të vjen të vdesësh në këmbë…