Do të dëgjojmë në qetësinë e lodhur
muzikën e largët
të rinisë sonë të tmerrshme,
që në një ditë të shkuar
u përkul mbi vetveten
e buzëqeshte si e dehur
nga ëmbëlsia e drithërima e tepërt.
Do të jetë si të dëgjosh në një rrugë,
në shenjtërinë e mbrëmjes,
ato nota që lartohen të çliruara,
të ngadalta si muzgu,
nga zemra e një shtëpie vetmitare.
Pulsime të jetës,
shtysa pa harmoni,
por që në ankthin e tendosur të dashurisë tënde
na ngjizën, o shpirt,
shtrëngata të të gjitha harmonive.
Se nga gjithë gjërat
u arratisëm përherë,
të paqetë e të panginjur,
gjithë duke bartur në zemër
dashurinë e dëshpëruar
kundrejt krejt gjërave.
Përktheu: Elvana Zaimi