Çfarë historie trajton filmi “Zgjoi”?

Zgjoi

Pas filmit “Shok”, një tjetër film kosovar është pranë nominimit për Oscar. Me regji të Blerta Bashollit dhe aktore protagoniste Yllka Gashi, filmi trajton historinë e një gruaje që ka humbur burrin në luftë me Serbinë. Filmi flet përpjekjet e saj për të mbijetuar mes patriarkalizmit.

Filmi artistik nga Kosova, “Zgjoi” (Hive) me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë për nominim për Çmimin prestigjioz Oscar.

“Zgjoi” është përzgjedhur mes 15 filmave ndërkombëtare për edicionin e 94-të të Çmimit Oscar.

Filmi “Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe. Ajo në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.

Përpjekjet e saj vështirësohen, teksa gruaja përballet me një ambient tradicionalisht patriarkal. Aty ku ambicia e gruas për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Por asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj, gjë që e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj. Rolin e Fahrijes e luan aktorja kosovare, Yllka Gashi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e quajti sukses të jashtëzakonshëm futjen në listën e ngushtë për nominim të filmit “Zgjoi”. Ky film është shpërblyer me çmime të shumta përfshirë edhe tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival.

Nëse fiton nomimin për Oscar, “Zgjoi” do të bëhej filmi i dytë nga Kosova që do ta arrinte një gjë të tillë. Kjo pasi më 2016, filmi “Shok” me regji dhe skenar të një regjisori britanik përfaqësoi kinematografinë e Kosovës në Oscar. Edicioni i 94-të i Çmimit Oscar mbahet më 27 mars, 2022.

Pasi filmi kosovar ‘Zgjoi’ hyri në listën e ngushtë për Oscar 2022 këtë gjë e përshëndeti edhe Dua Lipa.

Ajo shprehet se ishte lajmi më i mirë për të nisur ditën.

Kujtojmë që Dua ishte e pranishme pak javë më parë në premierën e “Zgjoi” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dua këtu ka takuar nga afër regjisoren Blerta Basholli, aktoren Yllka Gashi dhe ekipin realizues./shqiptarja.com

_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _

Lexo edhe:

HISTORIKE: “ZGJOI” FUTET NË LISTËN E NGUSHTË PËR “OSCAR”

ObserverKult