Çfarë modelesh u ofrojmë të rinjve, a i nxisim ata kah puna e vlerat apo nga kotësia e vulgariteti?

Çepajev Gjokutaj adem jasharin
Çapajev Gjokutaj

Nga Çapajev Gjokutaj

Ditët e fundit në rrjet has shumë reagime kundër Big Brother Vip. Nuk e ndjek, ndaj nuk mund të them sa të drejta janë kritikat aq shpesh të përziera me nervozizëm dhe qasje sarkastike.

Gjithsesi thelbi i tyre ngjan racional se lidhet me një problem ashtor për shoqërinë tonë: çfarë modelesh u ofrojmë publikut dhe sidomos të rinjve; a i nxisim ata të priren nga puna e vlerat apo nga kotësia e vulgariteti?

Ky problemi i modelit m’u rikujtua mbrëmë pasi mbarova së pari filmin ‘Argjentina, 1985’, fitues i Golden Globe 2023 dhe njëherësh edhe i nominuar për Oscar, si filmi më i mirë i huaj.

Subjekti rreket të tregojë sesi prokurori federal i Argjentinës,  Julio César Strassera (Ricardo Darín) vë në bankën e të akuzuarve përfaqësuesit e juntës ushtarake, shkaktarë të mijëra rrëmbimeve, torturave, vrasjeve e zhdukjeve.

Në rrjedhën e ngjarjeve shohim sesi gradualisht Strassera pranohet nga bashkëkohësit si hero kombëtar, si David që përgjunj Goliathin fashist.

Megjithatë para syve tanë si spektatorë nuk shfaqet ndonjë heroizëm impozant, përkundrazi prokurori na bëhet i dashur e i respektuar si një figurë thellësisht njerëzore që, krahas dramës, vendosmërisë, principialitetit përjeton edhe pasiguri, ndruajtje e frikë, ndriçuar të gjitha këto nga një humor i ngrohtë e dashamirës.

Me pak fjalë filmi sjell një hero që është në radhë të parë njeri, si unë dhe si ti dhe që na grish të mendojmë se heroizmi nuk zbret nga qielli, as nga legjendat, po është pjesë e të zakonshmes; nuk shfaqet me poza, pohë e bujë po me vlera e me modesti.

Ky rrafsh i filmit bëhet më i pëlqyer ngaqë klima e sotme kulturore përpiqet të na mbushë mendjen se heronj të kohës tonë janë ata që dalin shpesh në televizion: politikanë, këngëtarë tallavash, llafollogë studiosh, njerëz bjerrakohë që rrinë me javë e muaj në reality show etj., me një fjalë personazhet mediatikë.

Në fakt edhe shumë prej nesh janë të prirur t’i shohin këta si heronj, por harrojnë se ka disa ndryshime thelbësore mes heronjve të vërtetë dhe të famshmve mediatikë.

Kështu psh, heroi peshohet me vepra, me arritje, kurse personat mediatikë me famë, popullaritet a thjesht me klikime.

Mediatikët hyjnë në lajme, kurse heronjtë në histori, thoshte një historian.

Mbase s’do lenë mënjanë edhe një ndryshim tjetër: koha praron heronjtë dhe zbërdhul të pompuarit nga media. Harrohen në pak kohë, si të mos kishin frymuar kurrë.

Arritje e madhe: edhe ‘heronjtë’ po na i bëjnë njëpërdorimsh si gotat plastike a, më shqeto, si bebelinot.

ObserverKult


sabit rrustemi

Lexo edhe:

SABIT RRUSTEMI: KËTË ZEMËR VETËM MOS E LË

Poezi nga Sabit Rrustemi

andej dritares je
shtegut të ngrirë prej bore
nën flokët e blerta të pishave
e brenda s’hyn

a unë që nga mesnata e vjeme
e parvjeme pres
mosardhjen

filli i kujtesës
ndizet dejve e s’shuhet
deri në pikën e fundit të gjakut
të frymës
asaj fryme që ende s’u tha e tëra

buzët
që moti e kanë harruar shijen e puthjes
asaj lëkure ngjyrëzjarri
që t’sosë si acari
i kësaj stine që ma solle pas vjeshtës

mes kockash diku
lëpihet gjuha
e nuk nxjerr zë
mësa ti

lëvizi së paku gishtat
ato maje të buta
të buta e dridhshme
poreve që thithin dritë
ajër

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult