Shpesh marinarët marrin për zbavitje
Me vete albatrosët, zogjtë fisnikë
Që ngathtësisht mbi det ndjekin anijen
Tek shket mbi gropa, përmbi hone ik.
Të lënë mbi kuvertë, këta princa
Të kaltërsisë, si leshko janë tani
Mjerueshëm varin ata krahë të bardhë
Si rremat e braktisura përbri.
Ky udhëtar me flatra ç’qulls që ngjan,
Ç’i bukur ish, ç’komik duket, i keq.
Dikush ia tall ecjen e tij të çalë.
Një tjetër sqepin me çakmak ia djeg.
Kështu dhe ti, poet, princ resh të larta
Që mbi stuhitë zotëron e qesh,
Porsa të zbresin nëpër tokë e baltra,
Krahët viganë të pengojnë t’ecësh.
Përktheu: Ismail Kadare