Charles Baudelaire: Due me ndërtue për ty, Madonë…

Ju ftojmë të lexoni poezinë “Nji Madone” të poetit francez, Charles Baudelaire!

(EX-VOTO SIMBAS SHIJES SPANJOL)

Due me ndërtue për ty, Madonë, dashnorja ime,

nji lter t’nëndheshëm në fund të brengës sime;

me grrye në qoshen mâ të errët të zemrës,

larg tundimit mondan e synit shpotitës,

nji kamare me ar e kaltërsi krejt të zmaltueme,

ku ti do t’ngrihesh, Shtatore e mrekullueme.

Me vargje t’lmuet, thurë metali të pastër,

mençurisht t’hyllzuem me rima prej kristali,

do t’bâj për kryet tand nji kunorë të pamatë;

e n’xhelozi, o Madonë vdekatare,

veç unë e di si me ta qepë Mantelin,

barbar, korthan, dyfish ngarkue dyshime,

si karakoll që t’i ndrŷjë magjepsjet:

kush t’tha qendisë me perla, jo! por me Lot’t e mi!

Fustan do t’kesh Dëshirën time fërglluesen,

valzuesen Dëshirë që hyp e zdryp,

ndër cepa tundulatet, në pala ban pushim

e me ‘i t’puthun e vesh shtatin tand drandofill.

Respektin tim n’vend t’kpucëve do ta mbathësh,

kpucë t’mndafshta, poshtnue prej hyjnoresh kambë,

që, tue i burgosë, mbrenda ‘i shtrëngimi t’lehtë

si kallëp besnik trajtën ia ruejnë.

E, në mos ditsha me gjithë artin tim zellnik,

për Shendilet me pré nji hanë argjendi,

Gjarpnin do t’vê që m’bren përmbrendcat,

mu nën kambët tua që ta shtypësh e ta tallësh,

o Mbretneshë fitimtare, e pasun ndër falje,

ketë shlligë të fryme me urrejtje e këlbazë.

Ke për t’m’i pà mendimet t’rreshtuem porsi Qirij

para lterit me lule të Virgjinës Mbretneshë,

tue e gjuejtë me feksje tavanin lye me të kaltër,

që rrinë tue t’kqyrë gjithnji me sŷ prej zjarri;

e, prej se në mue gjithçka të do me admirim,

gjithçka do t’bâhet storaks*, kem, livan e mirë

e paprâ drejt teje, o majë e bardhë me borë,

ndër vorbuj do t’sulet stuhi ky shpirti im.

E s’fundi, për me plotsue rolin tand prej Marie,

si dhe me përzie dashninë me egërsinë

– o Epsh i zi ! – e shtatë Mkateve mortarë,

si xhelat plot pishmane shtatë thika do t’i ndreq,

mprehë për bukuri e, si xhongler i pandieshëm,

nishan do të marr në mâ t’thellën e dashnisë tande

e do t’i ngul të gjitha n’atë Zemër t’gulshueme,

n’atë Zemër të dnesun, n’atë Zemër në gurgullim!

Përktheu: Primo Shllaku

* lloj rrëshine bimore që kur hidhet në zjarr lëshon aromë dehëse

ObserverKult

Lexo edhe:

SERGEJ ESENIN: TANI E TUTJE NUK DO VUAJ…