Charles Bukowski: Babai i kishte vdekur, nëna kishte ikur nga shtëpia e ajo…

Kesi ishte më e reja dhe më e bukura e 5 motrave. Kesi ishte vajza më e bukur në të gjithë qytetin. Gjysmëindiane, kishte një trup çuditërisht të hedhur, të zjarrtë, ishte si gjarpër, me dy sy që flisnin. Kesi ishte zjarr i lëngshëm në lëvizje. Ishte si një shpirt i mbërthyer në një kallëp, që nuk arrinte ta përmbante atë. Flokët e gjatë kafe, flokët e mëndafshtë valëzonin dhe hepoheshin ashtu si valëzonte dhe hepohej trupi i saj. Nuk kishte rrugë të mesme për Kesin. Kishte edhe nga ata që thoshin se ishte e çmendur. Idiotët e thoshin këtë. Idiotët nuk mund ta kuptonin atë. Për njerëzit në përgjithësi ajo dukej një makinë qejfi, dhe prandaj nuk donte t’ia dinte, ishte apo nuk ishte ajo çmendur. Dhe Kesi kërcente, flirtonte, i linte meshkujt ta puthnin, por veç në raste të rralla, kur duhej të hynte në temë, ajo eklipsohej, ajo iu jepej meshkujve.

Motrat e akuzonin se po e shpërdoronte bukurinë e saj, se nuk po e përdorte mirë trurin e saj. Por Kesit i duhej të shiste trurin dhe shpirtin. Kesi pikturonte, vallëzonte, këndonte, modelonte baltën, dhe kur dikush lëndohej, plagosej në trup dhe shpirt, Kesi ndiente dhembshuri për të. Truri i Kesit ishte kështu, ndryshe; mentaliteti i saj nuk ishte praktik, kjo është e gjitha. Motrat ishin xheloze për shkak se i tërhiqte meshkujt e tyre; kishin inat me Kesin, sepse, sipas tyre, Kesi iu rrëmbtene atyre shumë raste. Zakonisht Kesi ishte e sjellshme ndaj të shëmtuarave; kokëboshet nuk i përfillte. Ato i dukeshin të neveritshme. “Pa tru,” thoshte Kesi, “pa sharm. Ato kapardisen, me hundët përpjetë, me veshët si të vizatuar… Vetëm pamje të jashtme, pa shpirt.” Natyra e Kesit ishte e ngjashme me çmendurinë; Kesi kishte një temperament që disa e quajnë çmenduri.

Babai i Kesit kishte vdekur nga alkooli, nëna kishte ikur nga shtëpia, duke braktisur vajzat e saj. Vajzat u kthyen te të afërmit e tyre, të cilët i vendosën në një manastir. Manastiri ishte një vend shumë i pikëlluar, më shumë për atë sesa për motrat. Vajzat e tjera ishin xheloze për të dhe ajo gjithmonë grindej. Kesi kishte shenja prerjesh në krahun e majtë, si rezultat i këtyre grindjeve. Pastaj Kesi kishte një shenjë të përhershme në faqen e saj të majtë, por vraga, në vend se t’ia zvogëlonte, duket se ia rriste bukurinë.

E takova në barin e West Endit, pak pasi u largua nga manastiri. Duke qenë më e vogla e motrave, Kesi ishte larguar e fundit. Atë mbrëmje Kesi hyri atje dhe thjesht u ul pranë meje, ndoshta se isha mashkulli më i shëmtuar i qytetit, dhe ndoshta kjo do të ketë ndikuar në një farë mënyre.

“Do të pish?” – e pyeta.

“Po sigurisht, si jo?”

Ne nuk thamë asgjë të jashtëzakonshme, mendoj, atë mbrëmje; por për mua kishte rëndësi gjesti i saj. Kesi më kishte zgjedhur mua dhe kjo ishte e gjitha. Asnjë detyrim. Kesi e pëlqeu birrën dhe piu shumë gota. Nuk besoj se ishte në moshën madhore, megjithatë në klub i shërbenin. Ndoshta kishte një kartë identiteti të rreme,  kushedi. Gjithsesi, çdo herë që ajo kthehej nga tualeti dhe ulej pranë meje, ndieja një krenari të rrallë. Kesi nuk ishte vetëm vajza më e bukur në qytet, Kesi ishte gjithashtu një nga femrat më të bukura që kisha parë ndonjëherë. Ia shkova krahun rreth belit dhe e putha një herë.

Përktheu: Skënder Buçpapaj