Charles Bukowski: Kur të largohet nga kjo botë… do jetë kaq e vështirë…

Charles Bukowski ku shkon

Poezi nga Charles Bukowski

Në gusht mbush 73 vjeç,
pothuaj koha për të gatitur valixhet
për një hedhje në zbrazëti,
por dy gjëra më përmbajnë:
ende nuk kam shkruar mjaftueshëm poezi
e, mandej, plakushi
që banon në shtëpinë krah simes.
gjallë e shëndoshë,
96 vjeç.
godet dritaren me bastun
dhe i dërgon puthje
gruas sime.
kupton gjithçka,
shpina drejt,
hap i zhdërvjellët,
sheh televizor pa karar,
kurse ne
ende?
herë pas here shkoj e takoj,
shet mend,
por s’ flet hajvanllëqe,
priret t’ i përsërisë nga pak,
por ia vlen barra qiranë
ta ridëgjosh.
një ditë isha te ai
dhe më tha:
” e di, shpejt do t’i kthej potkonjtë nga dielli…”
” bah!” i thashë unë,
” s’ jam kaq i sigurt…”
” unë po” u përgjigj,
” gjithsesi, ç’ thua sikur të bëjmë një këmbim me shtëpinë time?”
” pse jo, jotja është e këndshme”
” nuk e di nëse mund të ma japësh atë çka do të të kërkoj në këmbim…”
” varet, vërmë në provë”
” po ja” më tha,
” dua një palë herdhe të reja.”
Kur fqinji të largohet nga kjo botë,
do jetë kaq e vështirë
të mbushet zbrazëtia që do lërë.
U shpjegova, apo jo?

Ujdisi shqip: Rielna Paja

ObserverKult

Lexo edhe:

CHARLES BUKOWSKI: TË DESHA TY KUR NUK IA DILJA DOT TA DOJA AS VETEN…