Bukowski: Jam duke dashur një tjetër grua…

Charles Bukowski
Henry Charles Bukowski (16 gusht 1920 – 9 mars 1994)

Poezi nga Charles Bukowski

Jam duke dashur një tjetër grua,
dhe jam duke e dashur me gjithë atë qetësi
që ti kurrë s’ma dhurove.
Tashmë, e kuptoj
që dashuria është kjo,
të vësh në rresht
ditë lumturie
jo domosdo të pushtuara
me luftime të pareshtura.
Ajo është e hijshme
dhe e palëkundshme,
magjia e qëndrueshmërisë
së saj është kaq mahnitëse
sa s’mund ta përshkruaj.
Me ty, kurrë s’ia dola mbanë ta njoh këtë magji.
Jam mirë,
ajo ka marrë ndër duar
frerët e jetës sime,
mendjen time
dhe bëri të puqet
gjithçka,
i dha rregull dhe kuptim
shtëpisë sime,
ishte vendi ku shpëtova veten.
Ka ditë të diellta
dhe të gjithë më thonë
se jam një burrë i rinuar,
e kështu ndihem,
më duket se do mund të haja edhe retë.
Dal më herët nga puna se
ndonjëherë mallohem fort
për të dhe dua ta shoh,
shihemi çdo ditë,
por vetëm kur jam me të nuk mendoj për kurrgjë
dhe besoj
se mund të shpëtoj botën, prandaj, kuptomë
kur çdo herë rend ta përqafoj sa më shpejt të jetë e mundur.
Nuk të dua më
dhe as ti nuk më do mua,
por po të shkruaj,
sepse kur takohemi
e shoh si më vëren
dhe po ashtu mund të shoh veten teksa të vështroj ty.
Unë, Sofi,
nuk të dua më,
por ti mbetesh
dashuria e jetës sime.
Ekziston një e vetme
dashuri në jetë
dhe ne e kemi njohur, e kemi dashur
dhe pastaj ndalëm së ndjeri
mungesën e saj,
por ti mbetesh
dashuria e jetës sime.
E vështirë t’ua shpjegosh të tjerëve,
por unë lëshohem krejt
kur të shoh,
ndryshoj sy dhe zemër,
bëhem i moçëm,
zgjat një grimëkohë,
sepse unë
dhe as ti
s’mund t’ia lejojmë vetes më shumë.
Sidoqoftë, ky çast,
është gjithherë aty,
sidomos kur të telefonoj
për të ditur si je,
ai çast është gjithherë aty, sepse ti je dashuria e jetës sime,
mospërputhja,
luftërat,
kokëfortësitë,
unë me ty
dhe për ty
të gjitha këto do më duhet t’i duroja.
Nëse më duhet të përshkruaj dashurinë,
unë flas për të,
por nëse ndonjëherë më kërkojnë të them diçka
që shkon përtej dashurisë,
do të flisja për ty,
sepse ti reziston
pavarësisht meje që
reshta së dashuruari ty prej kohësh.

*Titulli i origjinalit: Ti je dashuri

Ujdisi shqip: Rielna Paja

ObserverKult

Lexo edhe:

NJË RRËFIM NGA CHARLES BUKOWSKI PËR LINDA LEE, GRUAN QË E FRYMËZOI TË SHKRUANTE…