Charlie Chaplin, para dhe pas Hollivudit!

Gjeni universal, dalë nga një rini e vështirë për të bërë karrierë në Shtetet e Bashkuara, Charlie Chaplin kishte ndër të tjera edhe dhuntinë e muzikës. Tashmë njihet reputacioni i romancës së tij hit: “Buzëqeshje”, por pak e dinë se interpretuesi i Sharlotës e kompozonte vetë muzikën filmave të tij, duke filluar nga “Dritat e qytetit” (1931).

Edhe në ditët e sotme, mbreti i filmave pa zë vijon të na flasë e të na bëjë për vete. Aktor, regjisor, producent dhe kompozitor i filmave të tij, Charlie Chaplin është krijuesi i një vepre universale, artist akrobat, gjithmonë mes të qeshurave dhe lotëve. Rolet e tij si endacak janë të paharrueshme, filmat e tij mahnisnin miliona spektatorë. Gjeni i komikes, Chaplin është me siguri artisti më i kompletuar i epokës së tij. Figurë emblematike politike dhe artistike e shekullit të 20-të, gjeni i parodisë, ai e vuri talentin e tij në shërbim të idealit të drejtësisë dhe lirisë. Edhe ata që nuk janë rritur me Charlie Chaplin dhe filmat e tij, e njohin endacakun.

“Ai nuk ishte një yll Hollivudi, – shprehet ekspertja amerikane e Chaplin-it, Lisa Stein Haven, – sepse teksa ai shkëlqente, Hollivudi nuk ekzistonte”.

Madje, edhe sot mund të pohojmë se ai është shumë më tepër se sa një aktor: ai është një legjendë që diti ta ruante lirinë artistike. Duke i rezistuar kinemasë me zë, ai gërmoi në dimensionin joverbal të gjuhës. Në këtë eksplorim të mundësive ritmike dhe vizive të kinemasë së pazëshme, tingulli do të mbërrinte shumë shpejt për Chaplin, i cili deklaroi se nuk dëshironte të kalonte tek e folura: nëse do të fliste jo vetëm që Sharlota (Charlot) nuk do të ishte më stricto sensu ndërkombëtar, por arti i kinemasë do të rrezikonte të binte në teatrin e filmuar. I ashtuquajturi raport anakronik i Chaplin-it ndaj të folurit shpaloset në fjalimin e Hynkel/Hitlerit – ky sabir që përzien gjermanishten, anglishten dhe gjuhën e derrave, për të njehsuar nivelin e nxitjes në punë në çdo ideologji propagandistike. Hanah është emri i parë i së ëmës, të cilën e citon në autobiografinë e tij, si një nga artistet më të mëdha të pantomimës që ai ka njohur ndonjëherë dhe se ajo kishte dhuratën e vëzhgimit dhe imitimit të njerëzve. Ankthi që ai kishte për të kaluar te dialogu, mund të kuptohet vetëm me fjalinë drejtuar berberit te “Diktatori”, kur e urdhëron të ngjitet në tribunë: “Ju duhet të flisni, kjo është shpresa jonë e vetme”. Në të vërtetë, kur hyri në dialog me “Diktatorin” në vitin 1940, ai provoi se mund ta përdorte zërin dhe të folurit në mënyrë perfekte.

Chaplin përjetoi një devotshmëri universale thuajse unike, mirëpo në paranojën e ambientit të Shteteve të Bashkuara të pasluftës, ai do të kthehej në shënjestrën e sulmeve të njëpasnjëshme të krahut të djathtë amerikan, që e akuzonte për pozicione radikale. FBI, nën drejtimin e të famshmit J. Edgar Hoover, orkestroi me një publicitet të paparë një proces gjyqësor, çka çoi në rrënimin e mëtejshëm të popullaritetit të tij. Më pas, ai vendos të sistemohej me qëndrim të përhershëm në Zvicër, sesa të vazhdonte të luftonte kundër Shteteve të Bashkuara, prej nga drejtoi dy filma në Evropë: “Një mbret në Nju Jork” dhe “Kontesha e Hong-Kongut”, botoi dy libra autobiografikë: “Autobiografia ime” dhe “Jeta ime në fotografi”, vazhdoi të shkruante skenarë dhe të kompozonte partitura të reja muzikore për filmat e vjetër pa zë, praktikisht deri në vdekjen e tij në vigjilje të Krishtlindjeve 1977.

Për Chaplin-in, të flasësh si artist është diçka tjetër, përveç parakalimit ose komunikimit, është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, njëherazi një përvetësim i pashmangshëm: të marrësh stafetën e zërit të pazëshëm, kur askush tjetër nuk mund ta marrë përsipër.

Në historinë e kinematografisë edhe sot e kësaj dite nuk ka figurë tjetër, që të jetë kaq e pranishme sa Charlie Chaplin qoftë në reklama, në qendra tregtare, në pllakata, në fotografi apo në internet, figura e endacakut me tiparet tipike të aktorit Chaplin haset kudo dhe në çdo kohë. Çaplini u ka mbijetuar kohërave, ndonëse periudha e tij si regjisor i përket një të kaluare të largët./Konica.al