Në ditët e sotme, Chernivtsi është një rajon jashtë kufijve të BE-së dhe jashtë kujtesës. Artistët hebrenj që shkruajtën poezi dhe kënduan në gjermanisht, gjuhë e nënës, kanë ndërruar jetë. Mirëpo, trashëgimia e tyre është më e gjallë se kurrë. Legjenda thotë, se nuk ka pasur kurrë një vend me një të atillë dendësi letrarësh në kontinentin tonë: nga Paul Celan tek Aaron Appelfeld, nga Rose Ausländer te Gregor von Rezzori. Në një tokë pa kufij gjuhe, besimi ose origjine.
Zakonisht, Chernivtsi ofron një seri reportazhesh të treguara në trashëgiminë e tyre letrare, filozofike dhe artistike, për të udhëtuar në shoqërinë e shkrimtarëve, filozofëve, shkencëtarëve, përgjatë shtigjeve që na kanë lënë tekstet e tyre.
“Një rajon ku jetonin burra dhe libra…”. Kështu e konisderonte- Chernivtsin Paul Celan. Dhe ai ishte një prej bijve të tij më të famshëm. Chernivtsi është qyteti që mban një duzinë emrash, banorët e të cilit kanë ndryshuar në mënyrë të përsëritur shtetësinë pa i braktisur shtëpitë e tyre, sepse vendi ndryshonte padronë, sundimtarë, gjuhë zyrtare. Dhe Celan, dihet, ishte një poet madhështor, ai shkroi vargje në një gjermanishte në dukje të vrazhdë, por në të vërtetë me një sqimë për të sfiduar edhe mjeshtërinë e Franz Kafkës dhe që, sidoqoftë, duke folur për Katastrofën dhe prindërit e vrarë në një lager (kamp), e zhvleftësoi tabunë e pashprehur dhe të paimagjinueshme dhe, mbi të gjitha, ndryshoi fytyrën e poezisë gjermane.
Chernivtsi është sot një qytet ukrahinas, pasi pati qenë sovjetik, madje para kësaj rumun dhe, deri në fund të Luftës së Madhe (1914-1918), austro-hungarez. Banorët e saj e konsideronin “një Vjenë të vogël”. Duket si ekzagjerim krahinor, madje deri në mendjemadhësi “Vjena e vogël”. Por, ta mendosh hollë, Chernivtsi ishte më i mirë se Vjena, sepse në miniaturë ishte një metropol siç e ëndërronin ata që përgjatë shekujve XIX dhe XX, punuan për një humanizëm pa ndasi gjuhe, besimi, origjine dhe ku kushdo kishte të drejtë të zgjidhte edhe identitetin më intim, torturues dhe të dhimbshëm.
E dhimbshme? Po. Celan gjithashtu shkruante (citimi i Anna Ruchat, studiuese e veprës së poetit): “Dora që do të hapë këtë librin tim mund të ketë shtrënguar dorën e vrasësit të nënës time. Por ky është fati im: të shkruaj poezi në gjuhën gjermane”. Fjalët datojnë në vitin 1946, kur poeti ishte njëzet e gjashtë vjeç, kishte mbijetuar në geto dhe në kamp pune, tashmë ishte gati të linte vendlindjen për të zbarkuar në Perëndim, ku do të gjente vdekjen, do kryente vetëvrasje në Paris në 1970, pas histori dashurie torturuese dhe një pasioni intelektual zhgënjyes për filozofin Martin Heidegger.
Chernivtsi ishte qyteti i poetëve. Legjenda thotë, se nuk ka patur kurrë në kontinent, një vend me dendësi të ngjashme të burrave dhe grave që prodhuan vargje, bënin letërsi, të bindur se një libër i mirë dhe përkushtimi ndaj të bukurës mund të shpëtonin botën. A mund të bëjmë një listë të përkohshme të tyre? Le të fillojmë me Aharon Appelfeld, shkrimtari izraelit një nga investiguesit më të mprehtë të kujtesës. Itsik Manger poeti jidish, më krijuesi nga të gjithë në përdorimin e asaj gjuhe të poshtëruar dhe të vrarë. Yosef Burg, romancieri i fundit jidish, i cili vdiq gati njëshekullor, disa vjet më parë. Rose Ausländer, e cila u nis për në Amerikë dhe në kërkim të dashurisë, ndryshoi shpeshherë vendet, shtetësinë, u kthye në qytetin e lindjes, u largua përsëri.
Pas një jete endacake, le të themi, u shtrua në një qendër rehabilitimi të moshuarish në Dusseldorf, e emërtuar si një tjetër poeteshë e madhe e çmendur, çifute gjermanishtfolëse dhe në mërgim, Nelly Sachs (Nobel në 1966), me poezitë e botuara. Dhe kur vdiq u zbulua se gjithë pasuria e saj përmblidhej në dy valixhe. Dhe përsëri, Gregor von Rezzori, i cili në moshë të vonë vendosi të jetojë dhe të vdesë në Toskana, apo Moisi Rosenkranz, një autor i cili mbeti i panjohur për dhjetëra vjet, Eliezer Shteynbarg e cila kodifikoi përrallat në jidish dhe vdiq e varfër dhe në vështirësi. Karl Emil Franzos shkruajti për këtë vend, i cili ëndërronte për simbiozën hebreo-gjermane në kohërat e Perandorisë, nuk e duronte gjuhën jidishe (as fisnikërinë polake) dhe për rajonin fliste si “HalbAsien” (gjysma e Azisë), sepse ndodhte që këto vende i donte, por në të njëjtën kohë i urrente. Poetesha Selma Meerbaum-Eisinger, e quajtur hera-herës “Ana Franku bukoviane”, vdiq nga tifoja në kampin “Michailovska” në moshën 18-vjeçare. Dhe lista mund të jetë e pambarim.
Kishin të drejtë. Chernivtsi është kryeqyteti i Bukovinës (Bucovina). Emri vjen nga fjala buk, ahu në gjuhët sllave. Është toka e aheve. Por edhe tokë zanash. Aneksuar në Perandorinë Habsburge në shekullin e tetëmbëdhjetë, zona banohej nga fshatarë ruteni (siç quheshin ukrainasit), hutzuli (një popullsi fshatare që merreshin me mbarështimin e kuajve, poetë dhe këngëtarë), hebrenjtë hasidikë, pasuesit e rabinëve traumaturgici (mrekullorë) (këtu ndodhej selia e zaddikut të Sadagorës), rumunët, polakët, etj. Në fshat, ndryshimi midis ëndrrës dhe realitetit ishte relativ, edhe pse jo për varfërinë dhe urinë. Qyteti, nga ana tjetër, pati një zhvillim shumë të shpejtë: hotele të mëdha me ashensorë, salla të zbukuruara me pasqyra të mëdha siç janë Pallatet Perandorake në Vjenë, si dhe dhoma të pajisura “me banjo private” siç thuhej asokohe. Teatri mund të mbante gjashtëqind spektatorë.
Në rrugën “Herrengasse” (rruga e zotërinjve) nëpër kafene, të famshmet “Caffé Habsburg” dhe “Caffé l’Europe” diskutohej për politikën dhe artin, si dhe mund të lexoheshin gazeta dhe revista nga e gjithë Evropa, në një duzinë gjuhësh. Pas copëtimit të perandorisë, pakogjë ndryshoi. Gjuha rumune ishte e detyrueshme në shkolla dhe zyra, por vazhdoi të ndiqej teatri dhe të diskutohej për letërsi në gjuhë të tjera. Një e treta e popullsisë përbëhej nga hebrenjtë. Më 1940 qyteti iu aneksua BRSS-së, më 1941 u rimor nga rumunët, të cilët së bashku me gjermanët i dëbuan hebrenjtë drejt kampeve të Transnistrisë, vendi i vdekjes. Në fund të luftës botërore, fuqia sovjetike u kthye. Nga gjashtëdhjetë mijë hebrenj rezultoi të mbijetonin pesë mijë.
Midis hebrenjve, gjuha e kulturës, pasaporta për në botë, ishte gjermanishtja. Gjithkush në Chernivtsi zotëronin të paktën tre ose katër gjuhë që nga lindja. Appelfeld me gjyshërit fliste jidish, me prindërit gjermanisht, në shkollë rumanisht, me dadon ukrainisht. Në 1941, kur ai ishte nëntë vjeç, pa të ëmën të qëlluar për vdekje në oborrin e shtëpisë. Me babanë u internua në një kamp përqendrimi, u arratis, u bashkua me një bandë hajdutësh dhe prostitutash, me të cilët fliste kryesisht në rusisht. Ai mbërriti në Jeruzalem dhe shkroi libra në një hebraishte të mrekullueshme, ku mund të dëgjohej tingulli i gjermanishtes dhe nostalgjia për gjuhën jidish. Rosenkranz shkruante në gjermanisht, por në shtëpi fliste një idiomë të përbërë nga fjalë në jidish, polonisht, rusisht dhe çekisht. Çifut, kur pas luftës pa gjermanët të internuar nga pushteti komunist në makina bagëtish, ai protestoi. U dërgua në Rusi, kaloi dhjetë vjet i burgosur në Gulag në Veriun e largët. Ai mbijetoi. U kthye i shkatërruar, emigroi në Gjermani, donte të jetonte i vetmuar, larg botës, për t’u përkundur me kujtimin e qytetit dhe fëmijërisë.
Në geto, Celan u takua me Rose Ausländer. Takimi pati pasoja të jashtëzakonshme për të dy, në mënyrën e të shkruarit. Ajo i transmetoi dy fjalë kyçe: “qumësht i zi” të kryeveprës së poetit (dhe të shekullit XX absolutisht) “Arratisja e vdekjes” (Die Todesfuge). Fraza ishte shprehje nga një poezi e hershme e tij. Nga ana tjetër, ai e mësoi atë të hiqte qafe tepricat e panevojshme. Pas luftës, ajo shkroi: “Atdheu im ka vdekur / e varrosën / në zjarr / Unë jetoj / në atdheun nëna fjalë”. Në një fjalim, ai u shpreh se poezia ishte si një meridian: “jo një vend konkret, por një linjë shumë reale dhe në të njëjtën kohë ireale që tregon një drejtim nëpër shumë territore”./Konica.al