Sherri me grushta mes Luigj Gurakuqit dhe Faik Konicës

Faik Konica dhe Luigj Gurakuqi kanë qenë dikur bashkëpunëtorë në revistën “Albania”. Por pas shpalljes së Pavarësisë, rrugët e tyre u ndanë. Madje, sikurse tregon Sej Vllamasi në kujtimet e tij, mes tyre ka pasur edhe një sherr fizik ku u zunë me grushta në Durrës.

Në vitin 1922, ky sherr do të rikthehej në vëmendje në diskutimet që bëheshin në parlamentin shqiptar. Temë u bë kur diskutohej për caktimin e një deputeti të Vatrës së SHBA-së në parlamentin shqiptar.

Vatra në atë kohë drejtohej nga Konica. Si rrjedhojë, deputetët gjatë diskutimeve nuk mungojnë t’i bëjnë “gjyqin” Konicës. U fol për disa kritika që ai kishte bërë ndaj shqiptarëve në shtypin e huaj.

Në këto diskutime, evidentohet edhe elementi i sherrit që kishte bërë me Luigj Gurakuqin. Ky i fundit, merr fjalën dhe del në mbrojtje të Konicës. Evidentoi rolin e tij në çështjen shqiptare.

“Po zotnij! Jemi zanë e mund të zihemi prapë. Por gjithmonë ball për ball e jo me sharje prapa kurrizit. Zihja personale nuk do më shtrëngojë kurrë të harroj shërbimet e tija”, u shpreh Luigj Gurakuqi duke i dhënë fund këtij debati.

ObserverKult


Lexo edhe:

FAIK KONICA: MALLI I ATDHEUT

Kur vete njeriu, i lirë e i vetëm, larg atdheut – viset e reja, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e një mijë gjëra që vihen re ndër popuj të huaj. Të gjitha këto ta përgëzojnë zemrën e të bëjnë jo të harrosh Shqipërinë, po të mos të vejë tek ajo aq dendur mendja.

Më tutje, si ngopen sytë së pari ndryshime, gazi shuhet pak nga pak. S`di ç`të mungon. S`di se ç`të duhet. Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën. E, pikë së pari herë-herë, mbastaj më dendur e më në fund shpesh e pothuaj kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e shokëve, kujtimi i dheut ku u lindem e u rritem, ku qajtëm foshnja e ku lozëm djelm, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron dot mirë një shqiptar, kujtimi i kombit, që, me gjithë ca të liga që ka, është kombi ynë, e më tepër kujtimi e dëshira e etja e gjuhës sonë ta shtrëngojnë e ta dërrmojnë me të vërtetë zemrën.

Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur. I shenjtë mall e dashuri e shenjtë. Kush është ai shqiptar që s`e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jeshë jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç`forcë e ç`bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura letër, ajo fjala më e vogël, na sjell, kur vjen nga Shqipëria, një gaz të parrëfyeshëm, se na sjell si një copë të atdheut…

ObserverKult