Në 86 vjetorin e lindjes, poetja Naime Beqiraj ka përzgjedhur një cikël poezish të Azem Shkrelit, për të kujtuar e nderuar krijimtarinë e tij:
PRAPË UNË E AI GUR
Rugovë 1989
Prapë unë e ai gur një muranë një mur
Zëri qielli hapi përmbi maje rrapi
Hajla Kacuberri tek thërmohet terri
Lami Bajram Musa më pret te Tre Pusa
Tahir Ibra Taku me një ballë oxhaku
Rama Ramë Elezi koburet pas brezi
Rri e pi me llullë digjet tokë e kullë
Ma këndo gjeth ahu këngën maje krahu
Vegim mos m’i qeshe vitet mbi qeleshe
GURI I MARTINIT
M. Camajt
Miku i gjakut të penës, kush e di sa vite
Fëmijë të kërkoja me “Një fyell ndër male”
Kush e di se në male, përmbi gurë më rrite
Me një daltë fjale
Dhe sot pas sa vitësh që s’na panë
Më del në Bavari një gur prej të Dukagjinit
Rritur me qumësht ashti të tokës nënë
Jam guri i Martinit
Më lër dhe pakëz, me lër, Guri i Martinit
T’ia mbaj dorën në krah si andej në Malësi
T’ia ftoh shkrumët e mallit e të mërgimit
Dhe do shkoj, s’do rrij
Pse gurët dhe poetët nëpër botë
I dashka të shpërndarë ky dhé i yni
Zi nuk mbajmë, po kurrë mos qofsh e kotë
Dhembje në Gur Martini
Lengrisë, shkurt, 1993
KASHELASHË PËR ATDHEUN
Atdheu është dheu i birit e i atit e i shpirtit të shenjtë
Në vargun me krushq atdheu është krushku i parë
Në të tëra meshat shenjte ai është Meshari
Në kulm e në flamur është kumti e kremtja
Në kokën rënduar në mendime ai është mendimi
Është një krah shqipeje këtej, një andej kufirit
Është flaka e Oso Kuka në kullën kallë të barotit
Është ara shtatë vjet djerrë e gruaja djerrë e fara
Në bukë e krypë e zemër atdheu është zemra
Në të parën pushkë për ukj atdheu është krisma
Në trupin tonë vig atdheu është vigu
Në mishin tonë për krymb atdheu është ashti
Atdheu është treni në binarin nëntë, buleta për nesër dhe trasta
MOTIV ME KOSOVË
Në këngën time nuk hyri një zog i bardhë
Njqind vjet orëliga na u rrit motmoti
Dikush vonohej, ja pushka, ja paqja, ja Zoti
Kohë e pëlkyera, Kosova është bukë e ardhë
Ja, at i Bajram Currit i bie me thundër
Zonjës Evropë të portat gjithë tërsëllimë
Prap krajlat kundër janë, Vërsajet kundër
Dhe Nëna Tereze ka hequr nga koka shaminë
E tund, i tremb oguret nga bijt, nga Arbëria
Krymba kryezez fshikon nga mëndafsh i bardhë
Në dy gishtër ngulur qielli, flamuri, fëmija
Kohë e ndërkyera, Kosova është bukë e ardhë
Në këngën time nuk hyri një shpend i mirë
Njëqind vjet, durimit po i mësojmë fe tjetër
Bekim i thadërt, na merr, shenjt i pamëshirë
Saherë rilindemi, mortin e kemi më të vjetër
Maje ç’Ajfeli ka zënë vend prapë historia
Në këngën time nuk hyri një zog i bardhë
Kohë e mbërthyera, Kosova është bukë e ardhë
Për fytzë të ashtit i merr frymë liria
KOSOVA
Kokë e tokë e të gjallëve burra të dheut
Orëve të zgjuara mundit të Prometheut
S’ishin të urta kohët që të panë e s’të dinë
Ose verën tënde në hile kuq e pinë
Vapa jonë të mos i ketë gjak gurit
Ashtu qoftë si duan kallijt e grurit
DUKAGJINÇE
Po vinë arëgatët
Të heshtur. Të muzgët. Po vinë
Po vinë. Err e terr
Brodhi arave të tyre dita
Po vinë. E poçën
Diellin e bakërt të bukës
Po vinë. Po vinë
Me bimët mugullore ndër muskuj
Po vinë. Ditë arëgetare
Grua që do t’ua mbash mend farën
LIRIKË ME SHI
Shi, apo sheshit të qiellit shoje shoje
Shushurimë po vjen, mos shtojzovallet
Vesh në vesh po i pëshpërisin të fshehtat
Shi, apo gur i verdhë po i rrjedh nga shtjerra
Shoshës së kumtrit përmbi Bjeshkë të Shtedimit
Shi, apo qiellit të shqepur, kah shpendëria
Me kashtë e kashtërrojë po ngitet bari
Shi, apo toja e ujit, lot të teltë mallëngjimi
Shpirtërat na dërgojnë nga lartësi të lashta
Shi, apo i fëshfërijnë diç shqip shqiponjat
Shoqjashoqes në Shkumbin e në Mal të Sharrit
Shi, apo fytyrë e frymë na zu me flokë Rozafa
Bimëve në Shkodër po u shëngjergjet shtati
Shi, ‘asha të madhin, shi e jo thashethëna
Shi i eçtë, gjol etjesh, lum ai lumë që s’plasi
Çplanju, të kaltër, mëkatesh të kaltëra, çplanju
Shihni, shpirtërat, shtonat, plot po mbushen
Shkruajni, të gjorë, simfoninë e shtatë të shiut
LIRIKË PËR LIRINË
Liria është ylberi im matanë grilave
Liria është gërshet i vashës më fjongë
Kur rritet, e veshim nuse
Kur eçtohemi, i pijmë shëndet nga gjiri
Ajo është pikë në ujë, zog në qiell
Kur flet, e kuptojmë si nënën
Kur dhemb, dhemb në zemër
Liria thinjet bukur, nuk plaket
Kur vdiset, është e pavdekshme
Kur vdes, i bëjmë vend në dhe të atdheut
Liria është si Kosova, s’kam më fjalë të lirë
ObserverKult