Cikël me poezi nga Anton Marku: Aroma e shiut…

Ju ftojmë të lexoni një cikël me poezi nga Anton Marku:

Për t’u rrëfyer
nuk është e nevojshme
të gjunjëzohemi

NDJESË PAQSHIM

Kur lodhja të mos i bëj më ballë të ecurit
pluhuri i parë do t’u bie hapave
gjithçka tjetër
lumë do të bëhet nën këmbët tona
etshëm për atë botë

Bora do t’ia zbardhë fytyrën dimrit
një erë e paemër
do i grisë retë

Qielli do të zvogëlohet
e do të zbresë më poshtë
atje ku zbrazet gjithçka
e mbushet me asgjë

Jeta
tokës do t’i ulet në prehër

Të pambjellë
të mbirë nga askund
një tjetër atdhe
do të kërkojnë sytë

Kohës do t’i shtohen
ditët pa ne

Pa këtë psalm
librat e shenjtë
nuk do të ishin të plotë.

AROMA E SHIUT

Po të mos kisha vdekur atë ditë
ende do të ishim bashkë
Eva ime

Sikur ëndrra të kishte zgjatur edhe pak
me sy do të merrnim frymë

Nata do të plaste nga puthjet
pa a ditur se në cilin prush
u dogj gjithë ai zjarr

Bota do të mbetet
si ajo në të cilën jetuam
e pagojë, si lutja
ngarkuar me të gjitha
pse-të e saj.

MESHA E DRITËS

Një popull
që ngre dorë
mbi profetët e vet
xhepave bartë
dheun e varrmihësve të tyre

Në të sotmen
pak e nesërme mbetet

Kjo botë nuk është
atdheu i përjetshëm i lutjeve

Hapave të fundit
ecjet zgjaten

Rreth qafës zvarriten
këmishat e hedhura
koreve të tokës.

ENDËSJA E PENJVE

Një grua e vejë
për herë të parë u zgjua
e vetme në shtrat

Iu duk sikur ndjeu
dorën e tij
në barkun e saj

Një zë që i tha
cilin emër t’ia lë
asaj që po vinte

Për rrënjët e saj
nuk kërkoi tjetër tokë

Në djep e lidhi
një ëndërr nusërie

Libri i jetës
u nënshkrua dy herë.

PAS

Çfarë mbetet
kur të harxhohet
edhe ajo pak
që ishte

Në asgjë
a ka diçka
që nuk soset
apo gjithçka zbrazet
kur të mos gjendet më
as edhe një pikë

Për t’u rrëfyer
nuk është e nevojshme
të gjunjëzohemi

mjafton
të mos i duartrokitet mëkatit.

ObserverKult


Lexo edhe:

CIKËL ME POEZI NGA ANTON MARKU: PAS NDARJES…