Cikël me poezi nga Erina Çoku: Atje ku ishujt e shpëtimit janë

erina çoku

ATJE KU ISHUJT

Dikur mendimet ishuj ishin,
atje mbërrinim shpëtuar prej ujit
e botë të reja ndërtonim,
bota numër një,
bota numër dy,
bota numër tre.

Në mos njëra, tjetra – do të ishte.

Tani një breg ikës jemi
ishujt na ndjekin
po heshtja jonë botët fashit,
minus tre, minus dy, minus një,
dhe më i lehtë na bëhet qielli mbi shpinë,
dhe më e rëndë vetmia nën shputë na rri.

Në mos njëra, tjetra – gravitetin do ta lëndojë.

Dikur dhe tani aspak nuk ndryshojnë
ishuj mendimesh përzihen atje larg
luftë botësh jetohen këtu afër,
shpirti lëkurën na e ha,
se gjithkund ujë ka plasur
e lëkura tendosur na është në shpirt,
me sy po e shohim e të qetë po rrimë.

Në mos unë, ti – në mos ti, unë.

Kështu u fola me veten
dhe bota pa frymë
nuk më mbeti në duar.

Në mos shumë, pakëz jetë – ishujt do ta kërkojnë.

20 gusht 2020

VALA

Një valë pa emër më shtyn në breg
sa trupi ndien si thërrmohet rërë
por thellë atje dot nuk më ndjek
në gur, mbi gur bëhem e rëndë.

Rënie e lirë pa sipërfaqe.

Atje shumë larg, këtu shumë afër
si gur në ujë unë nisur jam
diku të humbem e të strukem
ku nuk më gjen as breg, as valë.

Rënie e butë pa tinguj.

25 gusht 2019

TI TANI E DI

Ti tani e di,
harta jote utopike ka mbaruar:
nuk ka ura, nuk ka brigje, nuk ka ishuj.

Po, e di.

Por, brenda ujit të kripur
nuk e ndal udhëtimin, jeton etjen
ha hartën me dhëmbët e tu të bardhë
e thërret:
“Jam një ishull, shikomë, unë jam një ishull”.

Po. Je, si nuk je.
Fundja, cila hartë thotë të kundërtën?

17 gusht 2021

JEMI GJALLË GJER NË MBRËMJE

Jemi gjallë gjer në mbrëmje
dhe të gjallë endim një litar gjer në qiell
mbahemi, kalamendemi lehtë
mbahemi, shpirtin thurim me diçka
pastaj në mbrëmje shtrihemi në shtrat
me kujtesën e qiellit si brengë të pambaruar.

Mandej flemë e shohim një ëndërr
sikur jemi gjallë gjer në mëngjes.

Aty në ag zgjohemi, e kujtojmë dashurinë.
Se jemi gjallë. Prandaj jemi gjallë.
Gjer në mbrëmje, sërish.

13 gusht 2021

_____________________

Erina Çoku ka mbaruar shkollën e mesme “Pjetër Budi” në Burrel (1994-1998) dhe studimet e larta për Gjuhë-Letërsi (profil Gjuhësi), në fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës (1999-2003).

Ka botuar dy vëllime poetike:  “Krahë s’kanë ëngjëjt e mi” (“Toena”, 1997) dhe “Gjurma e gjethes”  (“Botimet WestPrint”, 2011).

Poezitë dhe e shkrimet e saj janë publikuar në revista, antologji dhe mediume të ndryshme letrare, si: “Poeteka”, “Milosao”, “Radi and Radi”, “Poets and Writers”, “Botimet shqiptare”, “Fjala Review”, “Emathia”, “Kultplus”, “Tetova News”, “Darsiani.com”, “Mapo”,  “Telegraf”, “Dita”, “Observer.com”,  “Albmendimiarts.com”, “Shekulli”, “Tirana Post”, “Shkodra Press”, “Zemra Shqiptare”, “Gentlewomen”, “Fjalashqipe.com”, “Koha”, “AtunisPoetry”, “Revista Letrare”, “ObserverKult”, “Tekste Shqip”, “Ars Albanica” etj.

Ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme poetike, si: “Poeteka”, “Portiku letrar”, “Festivali i poezisë së pabotueme”, “Verë dhe poezi”, “TransformArt”, “Takimet Ndërkombëtare Azem Shkreli”, “Këngë dhe poezi”, “Ditët e Naimit” etj.

Ka pasur një bashkëpunim artistik (si krijuese dhe redaktore) për tekstet përshkruese të pikturave të artistit italian Luca Moriçi (Luca Morici) paraqitur në ekspozitën “Il dolore” (Dhimbja), 2012.

Është redaktore e mjaft librave me poezi, ka punuar prej vitesh si redaktore letrare në shtëpinë botuese “Pegi” dhe aktualisht punon në Qendrën e Botimeve për Diasporën.

Po përgatit veprën e tretë poetike…

ObserverKult