Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Irena Gjoni.
TI QIELLI IM
E di, ti ke sy prej stuhie qielli im
Që mundesh të ndalësh stuhitë e qiellit tënd,
me magjinë e vetëm një buzëqeshjeje që ma fal.
Në mendjen tënde vallëzojnë fluturimet.
Me dashurinë tënde, në një sekondë më sjell në pëllëmbë,
mijëra botëra të panjohura për mua.
Ma ke rrëmbyer frymën e ma rikthen të shumëfishuar
në mijëra uraganë të shpirtit tënd, detrave të panjohur,
duke më rishpikur një puthje të tejmbushur me qiej…
TROJA NË TRI KOHË
Çapitem mes rrënojave të Trojës.
Këto gërmadha më flasin me memecërinë e tyre.
Por unë dua zërin tënd të kthjellët
si shndritja e shkëlqimi ageve të këtij qytetërimi
para se të kishte një Parid e Helenë;
Para se deti të ishte tërheqë në thellësi të tij,
si një përbindësh i verbuar nga tmerri,
ku paqen e gjen në verbëri dhe heshtje
për të mos dëshmuar tradhëtitë,
as dashuritë e mëdha të lëna përgjysmë,
as zjarrin e kasaphanën e natës së kalit;
As shpinën e kreshpëruar dallgësh,
ku barti heronj e viktima
nëpër të njëjtat shtigje ujërash,
por të shenjuara nga ora e lundrimit:
Disa të gjakuara nga rrjedha e dejeve trojane;
Të tjerat të metalta nga tringëllima monedhash
e hiresh robinjash trofesh akeje.
Çapitem mes rrënojave të Trojës,
penguar mes pirgjesh shpatash të ndryshkura.
E harruar mes tyre, një guackë nga deti i dikurshëm,
si shpresë për të mësuar të pathënat e sekretet.
Te kjo guackë është strehuar tingulli.
Me zë, Muret e Trojës së Rrënuar,
ia dërgoj Helenës së shekujve të ardhshëm…
NË TOKËN E ERËS E TË FLAKËS
Në tokën e erës e të flakës,
ku stinët nuk kanë emër,
përjetësitë për të mbijetuar,
kacavirren rrëmujshëm, ujshëm,
rrënjëve të rrëpirta të eshtrave
e të frymëve të tua…
BUZËQESHJA, ËNDRRA QË SOLLI JEHONËN TËNDE
Buzëqeshja është ëndrra që solli jehonën tënde,
Ngjizjen e dritës në kundërmim universesh,
ku Unë lexoj ajrin e Ti lexon në ajër.
Rrëmojmë në ritualin mistik të Mallit të Kaltër,
në fshehtësinë e thellësive të përjetshme,
ku nën drita të verbërta, çorienton meridianët.
Frymëmarrjet, me Postën e Zotave postohen netëve.
Sa më errët shkojnë, aq më tepër ka përndritje
tek e qara e parë si kënga e sekreteve.
PËRRALLA E SYVE TË TU
Pak ditë para se të më ikje,
heshturazi kishim bërë një pakt
për të mos folur për Ikjen,
por për t’u futur nën lëkurën e njëri – tjetrit,
me Zotin heshturazi rrotull.
Te Bota në prag,
Vegimet e tua për një qytet të panjohur
në mes rrezesh prej vetëtimash,
ku shihej përndritja, po nuk dëgjohej gjëmimi,
m’i përcillje me zërin e syrit si tinguj simfonish.
Në rrugicën e qelqtë,
me kristale forma gjurmësh të madhësive të ndryshme,
në mozaikë infinitësh ndiqnin në ecejake të pambarimta,
konture njerëzish të bardhë e të turmtë.
Një vajzë e vogël me flokë të shndritshëm si dielli,
i binte violinës me flladitjen e flokëve të saj mbi tela.
Me dorën tjetër të rrëmbente kopshtijeve ,
të të terte frikën e së panjohurës
me këngë laureshash
e të të rrëfente sekretet e së bukurës.
Me buzën plasur, qeshja e lumtur për ty,
me rrëfimin e përrallës së syve të tu për magjinë e Botës në prag.
Qeshja të gjakosja e vrisja dëshpërimin, si për të të thënë,
se ke akoma për t’i vjedhur udhëtimit deri në rërëzim.
Dhe përralla e syve të tu vazhdoi:
Kur qesh ti,
sikur qesh dallga e shtrëngata që janë në prag…
ISHUJT KURRË NUK FLASIN PËR DHIMBJEN E UJIT
Ishujt kurrë nuk flasin
për dhimbjen e ujit.
As për sekretet
e thellësive të tyre,
dhe pse dalin në sipërfaqe,
në fijëza leshterikësh pa gojë
të nxirë nga pakohësia.
Nderen ta thajnë dhimbjen
në zemrën e frikësuar
të çdo kallamishteje Siringë
me rrënjën në shkëmbinjtë ishullorë
rrahur nga dallga e kripur
si ndëshkim për heshtjen,
gati për t’u bërë çdonjëra
vetëm fyell Pani…
AH, PENELOPË QË THUR E SHTHUR VETEN
“-Të puth pafund zemër e të pres…
-Dhe unë do të vij, do të të gjej…”
… … …
Po ulem në bregun e pritjes,
Penelopë që thur e shthur veten.
Ditën e shëmtoj të mbaj larg mëtonjësit,
E natën e bëj Sirenë malli.
Në pasqyrat e saj ujore, prej së largu
derdhet tingulli i një kitare
që e kris mespërmes,
fytyrën e Hënës të pasqyruar në të.
Sa kohë i duhet Vetmisë,
të dalë nga një zemër thellësish,
si nga rrathët e fundit dantesk
e të iki pa e kthyer më kokën pas?!
Sa kohë i duhet një shpirti për në shpirt?!
E pres, e pres të vish ti nga fluturimi.
Se kush është grimca më e vogël e kohës,
do ta mat kur të mbërrish te unë.
Në rrugëtimin tënd lexon historinë e botrave.
Gjelbërimin e ditëve ia fal yllit polar,
si blatim për busull errësirës,
që të mos humbasësh mes demonëve.
Në lëkurën e netëditëve të pritjes të flakura tej ,
ti hedh e ngul spirancën e majave të Shën Diellit.
Mes buzëqeshjeve prej rrezesh më thua:
Më prite zemër? Ja ku erdha…
Biografia e autores
Irena Gjoni ka lindur në Sarandë. Është doktore e shkencave në letërsi.
Aktualisht punon pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës Filiali Sarandë dhe mësuese në gjimnazin “Hasan Tahsini”.
Ka punuar si gazetare në median e shkruar dhe audio- vizive, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, nënkryetare e shoqatës “Klubi i krijuesve jonianë”, anëtare e Këshillit Artistik të Bashkisë së Sarandës.
Ka botuar poezi, prozë letrare si dhe shkrime kritike e studimore në periodikë të ndryshëm në gjuhë shqipe e në gjuhë të huaj. Është pjesëmarrëse në shumë konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit. Po kështu dhe në shumë manifestime poetike në vende të ndryshme të Evropës ku ka fituar disa çmime. Është pjesëmarrëse në disa antologji poetike në shqip e në gjuhë të huaja.
Ka botuar librat:
- “Tatuazh në shpirt të detit” poezi 2003,
- “Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare” studimor 2008,
- “Gjysma dashurish” vëllim me fiksione 2010,
- “Maja malesh e magmë jonike” poezi 2011,
- “Poetry” poezi 2013.
Po kështu kjo autore është përkthyer në disa gjuhë të huaja (anglisht, frëngjisht, kroatisht, rumanisht, greqisht, turqisht, suedisht, italisht etj.).
ObserverKult
Kliko edhe:
IRENA GJONI: TI ERDHE TEK UNË
TRI REKOMANDIME LEXIMI NGA IRENA GJONI