
Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të zgjedhura të Jorge Luis Borges:
Kam kryer më të tmerrshmin e mëkateve, s’isha i lumtur…
Përktheu: Azem Qazimi
Kam kryer më të tmerrshmin e mëkateve
Që njeriu mund të kryejë. Nuk kam qenë
I lumtur. Akullnajat e harrimit
Pa mëshirë më gllabërofshin.
Prindërit më lindën për lojën
Rrezikzezë e të bukur të jetës,
Për dheun, ujin, ajrin e zjarrin.
Por i zhgënjeva, nuk qeshë i lumtur.
Shpresat e tyre rinore nuk u përmbushën.
Ia blatova mendjen çështjeve
Simetrike të artit dhe çikërrimave të tij.
Atë më deshën trim. Po trim unë s’qeshë.
Kurrë s’më braktis. Ngaherë bri meje
Ajo hije prej burri të trishtë.
Me kohë mësohet se…
Përktheu: Jozef Radi
Me kohë mësohet edhe ai ndryshim i brishtë
midis marrjes përdore dhe prangimit shpirtnor,
mësohet se dashni s’do me thanë me shkue n’shtrat,
e shoqni s’do me thanë se je i sigurt,
dhe kështu çdonjeni prej nesh nisë me mësue…
Se puthjet s’janë kurrsesi kontrata,
as dhuratat s’janë aspak premtime,
e kushdo nis me i pranue humbjet e veta
kryenaltë e me sy t’hapun mirë, e kushdo mëson me i zbulue
ma mirë shtigjet e veta të s’përditshmes,
pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt tuj thurë andrra…
e të ardhmet kanë me e pasë formën e nji rr’zimi përgjysë.
Me kohë kushdo mëson
n’se asht e tepërt dhe ngroftësia e diellit që djeg.
Prandej, dikush e mbjell kopshtin e vet me e shndritë shpirtin,
në vend që t’presi prej ndokujt mos po i bjen lule;
dikush mëson n’se mundet me u mbajtë mbas dikujt
që vërtet asht i fortë, e n’se tjetri vlen me gjith’ mend
dhe se prej tij mund edhe të mësohet.
Dhe mësohet… përditë mësohet.
Me kohë mësohet se me ndejtë me dikë
pse t’ka ofrue nji t’ardhme ma t’mirë, domethanë herët
a vonë dishron me u kthye në të shkueme.
Me kohë kuptohet se veç kush asht i zoti me dashtë
njashtu edhe me dobësitë e veta, pa u ndryshue,
mundet me ju ofrue lumtuninë që ju dishroni.
Me kohë keni me u kujtue, se tuj i ndejtë sa ma afër
nji njeriu veç me i ba shoqni vetmisë suej,
n’mënyrë të pashmangshme, keni dashtë mos me e pa kurrë ate.
Me kohë keni me e ndje se miqtë e vërtetë janë gjà e rrallë
e kush s’lufton për ta, herët a vonë
ka me mbetë i rrethuem prej miqsish të rrejshme.
Me kohë mësohet se fjalët e thana
n’nji çast zemërimi, munden me ta vazhdue
dhimbjen e me t’plague për tanë jetën.
Me kohë mësohet se m’e shfajsue dikënd
njiherit edhe e ke falë, po kjo asht vepër shpirtmdhenjsh.
Me kohë kuptohet që edhe në qofshi të lumtun
me miqtë, nji ditë keni me u përlotë
për njata që ju vetë i keni lanë me shkue.
Me kohë ka me u ba gjithnji e ma e qartë se krejt
ajo përvojë e jetueme me cilindo, asht e papërsritshme.
Me kohë ka me ju ra ndërmend se njaj që e poshtnon
o e përçmon nji krijesë njerzore,
herët a vonë ka m’i pësue të njajtat poshtnime
o përbuzje, po tashma n’katror e ka.
Me kohë mësohet krejt harta e labirintheve t’sotme,
pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt për andrrat.
Me kohë ka m’u kuptue se ushtrimi i trusnisë
mbi gjithçka, veç me i detyrue gjanat me ndodhë,
ka me sjellë në fund të fundit ç’ka ju s’e kishit shpresue.
Me kohë ka me u marrë vesh me t’vërtetë
se ma e mira s’ishte e ardhmja, por njaj çasti
që ju jeni tuj i përjetue vetë ndër n’kto vargje.
Me kohë, edhe pse vedin ke m’e pa të lumtun
me krejt ata që t’rrethojnë,
ke m’e kuptue se janë tue t’mungue tmerrësisht
njata që dje ishin me ty, po tash kanë shkue me të shumtit.
Me kohë keni me mësue me kërkue falje e me ju kërkue falje,
e me thanë të due e të adhuroj
pse e keni t’nevojshme me thanë se: dishroj t’kem mik,
po kjo para nji vorri, s’ka ma asnji kuptim.
Sepse, për fat të keq, veç me kohë
për fat të mirë apo të keq, veç me kohë…
Po edhe sa kohë na ka mbetë n’kët ndërdyshje?
Sa kohë na duhet me pritë, që t’jetë e vërtetë kjo gja?
A mos vallë dishrojmë të jetë gjithnji kështu?
I kërcënuari
Përktheu : Erion Karabolli
Është dashuria. Duhet të fshihem ose të marr arratinë.
Si në një ëndërr mizore, ngrihen muret e burgut të saj.
E hirshmja maskë ka ndryshuar, por si gjithmonë është e vetmja.
E për çfarë do të më vlejnë hajmalitë mua: përdorimi i shkronjave,
erudicioni i mugët, mësimi i fjalëve që përdori Veriu i ashpër
për të kënduar detet dhe shpatat e tij,
miqësia e pastër, galeritë e bibliotekave, gjërat e rëndomta,
zakonet, dashuria fëmijërore e sime mëje, hija luftarake e të vdekurve të mi,
nata e pakohë, shija e ëndrrës?
Të jem apo të mos jem me ty, është përmasa e kohës sime.
Tani shtamba thyhet në gurrë, tani njeriu me zërin e shpendit ngrihet,
tani ata që këqyrin nga dritarja janë hijesuar, por hija nuk e sjell paqen.
E di, dashuria është: ankthi dhe qetësia që të dëgjoj zërin tënd,
pritja dhe kujtesa, tmerri i të jetuarit në të pastajmen.
Është dashuria me të sajat mitologji, me të sajat të vogla magji të kota.
Është një kryqëzim ku s’marr guximin të kaloj.
Tani ushtritë më rrethojnë, hordhitë.
(Kjo dhomë nuk është reale; ajo nuk e ka parë)
Më kallëzon emri i një gruaje
Në gjithë trupin më dhemb një grua.
Andrra
Përktheu: Agron Tufa
Nata i ngarkon të fjetunit një detyrë
shtriganësh – zhbamjen e tan ksaj bote,
degzimet e saj të panumrueshme
të shkaqeve e pasojave, që kridhen në rrethin
e humertë të qarkullimit të kohnave.
Nata do, që ti t’a harrojsh për një natë
vedin, prejardhjen dhe t’parët e tu,
pikën e parrokshme me mend prej gjeometrave,
linjën, rrafshin, piramidën, kubin,
cilindrin dhe sferën, oqeanin dhe dallgët,
nënkrejsën poshtë faqes, palën e hollë të çarçafëve
të freskët…
perandoritë, perandorët e tyne, Shekspirin
dhe atë – ma t’randën e punëve – dashninë tande.
Sa çudë: ky rreth i drandofilltë
e fshin kozmosin, tue i çilë udhë kaosit.
Duhet ta ndërtoj sërish këtë jetë
Përktheu: Orjela Stafasani
Duhet ta ndërtoj sërish këtë jetë të pafundme
që edhe tash është pasqyrë jotja:
çdo mëngjes duhet ta ndërtoj përsëri e përsëri.
Prej se je larguar,
sa vende janë shndërruar në të kota,
pa kuptim, ashtu si
dritat gjatë ditës.
Mbrëmjet që ishin kamare të imazhit tënd,
këngët në të cilat më ruaje gjithmonë,
fjalët e asaj kohe,
duhet t’i shkatërroj me duart e mia.
Në cilën humnerë duhet ta fsheh shpirtin
që të mos e ndiejë mungesën tënde
që si një diell i tmerrshëm, pa perëndim,
shkëlqen përjetësisht dhe shkatërrimtare?
Mungesa jote më rrethon
si litari rreth qafës,
si deti atë që po mbytet.
ObserverKult
lexo edhe:
Borges: Poezia është diçka aq intime, sa nuk mund të përkufizohet…